Kokoshi i arsimit u katandis një thel në fondin 1 miliard dollar

0
401

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Në vijim të shkatërrimit të vendit përmes PPP, partneritetit publik-privat, së fundmi kryeministri i vendit Edi Rama, ka shpallur projektin e tij më të ri të investimit 1 miliard dollarë në të gjitha sektorët ekonomik të vendit. Kjo do të bëjë- që sipas kryeministrit- vendi të përjetojë një rilindje të vërtetë ekonomike.

Sa përfiton sektori i arsimit nga ky fond kaq i “rëndësishëm” i shpallur prej vetë Ramës?

Shpresonim se të paktën në letër do të rreshtoheshin 100 a më shumë shkolla të reja e ndoshta pesëfishi i tyre të rikonstruktuara, një fond i veçantë për trajnimin e mësuesve, laboratorë, mjete didaktike, zgjerimi i arsimit parashkollor etj. Në fakt ministrja na “ndriçoi” shumë rreth pjesë që do të kishte për arsimin nga fondi kur na deklaroi shifrën surprizë (që sigurisht është më e madhja e investuar në këto 25 vite në arsim) 56 milion euro që do të “preknin 150 shkolla nga të cilat 53 shkolla do të ndërtohen të reja”. Pra më një llogari të thjeshtë kemi 53 shkolla të reja në 12 qarqe të vendit dhe 97 që do të rikonstruktohen, pa i sqaruar fakti se në sa vite do të shtrihet plani “Marshall” alla Rama. Po ashtu nuk e dimë nëse do të preket infrastruktura shkollore e arsimit 9-vjeçar apo atij të mesëm? Por pavarësisht kësaj paqartësie, ka një kontradiktë të rëndësishme, mes asaj që thuhet këto ditë nga ministrja e arsimit dhe asaj të thënë nga Rama, e Veliaj për infrastrukturën shkollore. Në datë 26 maj 2015, Veliaj përpara mësuesve është zotuar se në 4-vjeçarin e parë të qeverisjes së tij, do të “ngrinte 200 shkolla të reja dhe 100 kopshte në Bashkinë e Tiranës”. Ndërkaq që kryeministri Rama nga Vora premtonte se do të ngrinte 40 shkolla të reja, në aksin Durrës-Vorë-Tiranë, ose siç e quante në zonën Durrana. Pra sipas një përllogaritje të thjeshtë del se në katërvjeçarin tjetër do të kemi 293 shkolla të reja dhe 97 të rikonstrukturaa. Tani kujt ti besojmë, Ramës kryeministër, Veliajt kryetar i Bashkisë së Tiranës, apo Nikollës,  Ministre e Arsimit dhe Sportit? Apo ndoshta këto 153 shkolla, do të planifikohen veç atyre të premtuara nga kryeministri dhe krye bashkiaku Veliaj? Kjo është një përgjigje që s’kemi për ta mësuar kurrë, ose do të marrim ndonjë përgjigje, për një përllogaritje të bërë qëllimisht nga opozita që të pengoj punën e suksesshme të qeverisë. Përtej kësaj ajo që është ende e paqartë se përse arsimi vazhdon të mbete si një fëmijë jetim, ku askush nuk merr përsipër të përkujdeset. Në investimet, buxhetin, projektet e qeverisë ai mbete u fundit. Për të mos folur për arsimin parashkollor, ku qeveria ka marrë si zotim se deri në vitin 2018, 95% përqind e fëmijëve nga 3-6 vjeç do të shkollohen në institucionet e arsimit parashkollor. Por si do të arrihet ky objektiv kaq ambicioz, pa investimin minimal që është ngritja e infrastrukturës, për të përballuar këtë fluks e pale më për sigurimin e mjeteve didaktike të domosdoshme.

Gjithsesi edhe pse arsimi është katandisur në pikën e tij më të ulët, në të gjithë historinë e ekzistencës së tij, prapë se prapë ai quhet një histori suksesi.

Kjo nuk është ndonjë gjë e pazakontë, për qeveritë që mbijetojnë jo përmes arritjeve të tyre, por përmes propagandës që i ofrojnë publikut. Skandalet e njëpasnjëshme në punën e ministrisë së arsimit dhe të vërteta që vijnë nga njerëzit e thjeshtë, mbyten prej propagandës ose heshtjes. Drejtues të emëruar jashtë çdo kriteri dhe pa arsim përkatës, ndërtesa të rrënuara, nxënës që udhëtojnë me orë të tëra për të shkuar në shkollë, mësues që degdisen larg, sa më larg si kundërshtarë të qeverisë, klasa të pa ngrohura, mungesë e mjeteve didaktike e mësimore, tekste të pakuptueshme për nxënësit, shuan dhe droga të cilat nga rruga kanë hyrë në oborrin e shkollës e madje edhe në klasa, përsëri nuk përbëjnë lajm. Lajmi më i mirë është shfrytëzimi dhe përvetësimi i punës së mirë të paraardhësve, duke e shitur si sukses i stafit që shfrytëzon sot MAS në dobi të interesave të tyre. Nga ana e tij kryeministri si ministër de facto i arsimit lançon lloj e lloj reformash, që as nuk fillojnë dhe kur fillojnë mbeten në mes të rrugës. Mjeshtëria është se ky dështim i plotë, quhet sukses. Është e njohur thënia se “më thuaj si është gjendja e arsimit në një vend sot, që të them sesi do të jetë e ardhmja e tij nesër”. Nëse i rikthehemi përsëri argumentit të infrastrukturës, ende nuk dimë ndonjë shkollë të re të ndërtuar me fondet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe sa shkolla janë rikonstruktuar apo janë në proces rikonstruksioni? Edhe këtë përgjigje nuk e marrim dot, pasi nuk kemi asnjë të dhënë  transparente. Nga ana tjetër, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, përgjegjëse për arsimin profesional, nuk na jep asnjë të dhënë sa është pjesa që do t’u akordohet shkollave profesionale dhe Qendrave të Formimit Profesional, nga fondi 1 miliard dollarë? Gjithashtu nuk dimë se a do të ketë në fondin 1 miliard dollarë trajnimi i mësuesve, pilotimi i teksteve të reja, kërkimi shkencor, ngritja e institucioneve të reja të parashikuara nga ligji i arsimit të lartë, kampuset e reja të universiteteve publike, etj.

Ministrja Nikolla u mjaftua me sihariqin për shkollat e reja dhe rikonstruksionin dhe kaq. Ndërkaq të gjitha pritshmëritë e premtimet për arsimin cilësor, u tretën si kripa në ujë. Nuk flitet më trajnimin pa lekë të mësuesve, as për uljen e numrit të mësuesve pa arsim përkatës, as për konkurset e ndershëm, reale e transparente për mësuesit dhe drejtuesit e shkollës. Përkundrazi flitet për infermierë të përshtatur si mësues, shkolla që shërbejnë si stalla bagëtish, ekonomiste që komandohen si drejtoresha, për shkak se gëzojnë statusin e kunatës së drejtoreshës në ministri, psikologë burgu që komandohen drejtues në gjimnaz e plot e plot histori origjinale të arsimit shqiptar. Po t’i hyjmë pastaj përkushtimit të shtetit tonë për diasporën, shqiptarët në Ballkan, furnizimit të tyre me tekste shkollore, programeve të përbashkëta në fushën e trajnimit, shkëmbimit të eksperiencave, fundmi i grupeve të punës mes Kosovës e Shqipërisë, kanë mbetur thjesht një ëndërr mes lotëve, që nuk u bë kurrë realitet.  Por ama jam i sigurt se fondi 1 miliard dollarë dhe pjesa që do t’i takoj arsimit, do të sjelli pak më shumë pasuri për ata që do ta menaxhojnë dhe do të varfërojë gjithnjë e më shumë arsimin dhe do të shuaj shpresat për një arsim më të mirë e cilësor në këtë sektor. Por në fund të fundit slogani “Arsimi i gjeneratës tjetër”, do të mbetet në gojën e atyre që nuk kanë gjë tjetër për të thënë në këtë fushë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here