Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë një takimi me bizneset gjermane prezantoi programin ekonomik të Partisë Demokratike, duke theksuar se në qeverinë e demokratëve asnjë investim nuk do të shkojë për fasada. “Në qeverinë time nuk do të ketë investime fasadë, palma, pllaka buzëkuq ku janë harxhuar 510 milionë dollarë që kanë sjellë zero investim e punësim. Është investim i kotë por dhe skemë vjedhjeje”, – u shpreh Basha.
Lideri i selisë blu akuzoi qeverinë Rama se ka rritur taksat me 1.5 miliardë dollarë.
“Në këto vite të qeverisë Rama, taksat janë rritur me 1.5 miliardë dollarë. Çdo shqiptar është detyruar që të paguajë 500 dollarë më shumë gjatë viteve të kësaj qeverie.
Ne do të ulim taksën e sheshtë. Do heqim tatimin mbi dividentin. TVSH do të ketë një shkallë të vetme tatimore prej 15%. Tatimi i biznesit të vogël do të jetë kuote fikse, 1,5 % të xhiros e cila do të zëvendësoje tatimin mbi të ardhurat dhe TVSH. Paratë e taksave, në shërbim të taksapaguesit,” – theksoi shefi i opozitës.