22 mijë lekë në muaj për 8 orë punë në ditë (por edhe më tepër) është paga mujore me të cilën trajtohen aktualisht rreth 200 mijë punonjës në shkallë vendi. Kjo dysheme ligjore e pagës minimale është vendosur 3 vite më parë dhe vijon të qëndrojë në të njëjtët kufij të ngrirë, pavarësisht ecurisë së ekonomisë, rritjes së çmimeve dhe të nevojave që kanë konsumatorët. Rritjet e mëparshme që i janë bërë pagës minimale, kryesisht lëvizje modeste, nuk janë bazuar në studime të mirëfillta, referuar disa aspekteve ekonomike apo sociale që duhen marrë në konsideratë. Nëse minimumi jetik vlerësohet në kufijtë e 16 mijë lekëvë në muaj, një pagë minimale 22 mijë lekë, është shumë pak për të përmbushur kërkesat normale të një individi, e më tej të një familjeje. Megjithatë, së fundmi, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë është bërë iniciatore, përmes bashkëpunimit me pedagogë të ekonomisë, duke hartuar një studim sa shkencor aq edhe pragmatik, që hap një debat të rëndësishëm dhe vendos në tavolinën e qeverisë kërkesën e argumentuar për rritje të pagës minimale duke “përplasur” kështu këtë të fundit me sipërmarrjet. Sinjalet e qeverisë kanë qenë pozitive për një rishikim, por një debat i tillë kërkon edhe kohën e nevojshme për të arritur të mesmen e artë me biznesin.
Studimi, argumentat pro rritjes së pagës minimale
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, në studimin e prezantuar, propozon rritje në masën 30-50% të pagës minimale. Paga minimale është paga më e ulët orare, ditore apo mujore që punëdhënësit, mund t’iu japin të punësuarve, për t’i patur ata në marrëdhënie pune ligjore. Në studim argumentohet se për përcaktimin e pagës minimale detyrimisht duhet të merret parasysh plotësimi i nevojave themelore, pra përcaktimi i “shportës së mallrave dhe shërbimeve” që konsiderohen si më të domosdoshmet për plotësimin e nevojave jetike të punonjësve. Mallrat dhe shërbimet e shportës vazhdimisht duhet të vlerësohen me çmimin aktual të tregut. Studimi “Efektet e rritjes së pagës minimale në ekonominë shqiptare” duke marrë në konsideratë trinomin zhvillim ekonomik, pagë minimale, treg pune, del në përfundimin e domosdoshmërisë së rritjes së pagës minimale në mënyrë ritmike. Referuar draftit në fjalë, kjo rritje për aq kohë sa nuk dëmton artificialisht koston e punës dhe çmimin e krahut të punës, ndikon direkt në punësimin e punonjësve nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës, në rishpërndarjen më të gjerë dhe më të drejtë të të ardhurave dhe të produktit shoqëror, si dhe në ruajtjen dhe harmonizimin e nivelit të qëndrueshëm të çmimeve. Po ashtu, argument tjetër, është ndikimi direkt që sjell rritja në familjet e varfëra, duke rritur të ardhurat e tyre, i cili pasohet me rritje të konsumit, si rrjedhojë edhe me rritjen e GDP-së së vendit. Nga ana tjetër vlerësohet se ndryshimi i pagës minimale, ndalon ndjeshëm ‘hemoragjinë” e migrimit, sidomos tek të rinjtë duke reduktuar numrin e azilantëve nga Shqipëria në vendet e BE-së.
Propozimi, rritje sipas sektorëve
Kush fiton më shumë, të paguajë më shumë! Kjo është edhe logjika në të cilën bazohet kërkesa për rritjen e pagës minimale, duke u përpjekur që të mos preken shumë ato biznese që nuk kanë performancë të mirë.
“Ne mund të bëjmë kompromise për një fazë kalimtare një vit, dy vjet, duke favorizuar disa biznese. Për shembull, fasoneria të ketë një pagë minimale më të ulët, rritja të jetë 30%, sepse ka një numër të madh të punësuarish dhe ka një produktivitet jo shumë të kënaqshëm sepse punon me material porositësi. Ndërsa në sektorët e agropërpunimit, turizmit, call center, ku norma e fitimit është e lartë, atëherë sigurisht që këta punonjës duhet të kenë një pagë më dinjitoze”, sqaron Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Nga ana tjetër apeli vjen për bizneset, që të analizojnë dhe të përqafojnë këtë inicativë. “Po zhvillohet një debat i madh me biznesin. Një pjesë e biznesit po justifikohet dhe nuk po tregohet shumë inteligjent. Sepse rritja e pagës minimale do të thotë rritje produktiviteti. Dhe biznesi duhet të jetë dakord që të rritet paga minimale, të investojë në kapitalin human, me qëllim që të rritet fitimi duke u rritur produktiviteti i punës,” thekson Nikollaj.
Rritja e pagës minimale ndihmon rritjen ekonomike?
Në debatet e mëparshme të rritjes së pagës minimale, argumentet kryesore kundër kanë qenë se një rregullim ligjor sa dhe detyrues, në kushtet kur informaliteti është në qendër të vëmendjes, do të sillte shkurtim të vendeve të punës për shkak të rritjes së kostove të biznesit. Por nëse kjo nuk përcaktohet me ligj, kush garanton se biznesi është aq i ndërgjegjshëm sa të aplikojë një dysheme të denjë? Argumenti i dytë kundër ka të bëjë me rritjet e çmimeve. Por a kanë qëndruar stabël çmimet këto tre vitet e fundit kur nuk është prekur paga minimale? E vërteta tregon të kundërtën. Çmimet kanë ardhur në rritje për shumë arsye, por paga minimale nuk ka qenë një prej tyre. Studimi ka dalë në konkluzionin se në realitetin shqiptar, rritja me 1% e pagës minimale, rrit Prodhimin e Brendshëm Bruto me 0.07%, duke rekomanduar se duhet detyrimisht që kjo pagë të indeksohet me normën e inflacionit. “Nëse kërkesa jonë do të pranohet për një rritje page prej 30%, atëherë automatikisht, ne do të kalojmë në 2% rritje ekonomike. Nëse ne do të kemi 2% rritje ekonomike dhe 4% e kemi parashikuar për t’u realizuar, do të gëzojmë një rritje ekonomike prej 6%. Nëse ekonomia jonë do të performojë në këto nivele, atëherë besoj se do të jemi në rrjedhën normale, dhe në zhvillimet normale të ekonomisë, që do të thotë se do të kemi investime publike normale, një tërheqje të investimeve të huaja të kënaqshme, por do të kemi dhe një rishpërndarje të produktit shoqëror më të drejtë, duke dhënë një shpërblim dinjtitoz për pagat, pensionet, etj. Pra do të sjellë një revolucion në të gjithë ekonominë”, thekson Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Rekomandohet gjithashtu rritja e pagës minimale duke u bazuar tek Karta Sociale Evropiane, ku kjo pagesë nuk duhet të jetë më poshtë se 60% e pagës mesatare neto kombëtare. Duke analizuar ndikimet në ekonomi, studimi konkludon se ndryshimi i pagave, sjell rritje të performancës së punonjësve në punën e tyre, stabilitet në vendin e punës, standard më të mirë jetese, nxitje për punësim, të ardhura më të larta të taksave, mbrojtje të kapitalit human, redukton privimin social dhe krimin, rrit produktivitetin dhe ul shpenzimet e qeverisë për pagesat e ndihmave sociale.
Paga minimale në BE dhe rajon
Paga minimale e aplikuar në Shqipëri prej 156 euro për 174 orë punë në muaj, apo 129 lekë/orë pune, ka një hendek shumë të madh me pagat minimale që aplikohen në Bashkimin Evropian. Dhe është utopike të mendohet se mund të ketë përafërsi në kushtet e Shqipërisë, kur në fakt pagat që aplikohen në BE janë rreth 15 herë më të larta se ato të Ballkanit. Sot në vendet e BE-së nuk ka një politikë të unifikuar duke qenë se për pagën minimale, praktikat mbi të dhe ndryshueshmërinë, vendimet merren në nivel kombëtar. Paga minimale në disa nga vendet e BE-së është e përcaktuar me ligj, ndërkohë në disa të tjera jo, ose jo për të gjitha profesionet. Vihet re veçanërisht se vendet, të cilat nuk e zbatojnë një parim detyrues të pagës minimale janë vendet nordike dhe vende si Austria, Qipro dhe Italia (kjo e fundit është shembull i veçuar nga vendet e Mesdheut me të cilat zbaton përgjithësisht politika të ngjashme). Shtete që zbatojnë legjislacion mbi përcaktimin e pagës minimale: Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Republika Çeke, Estoni, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Irlandë, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Poloni, Portugali, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Spanjë dhe Mbretëri e Bashkuar. Shtete që nuk kanë një mekanizëm ligjor për përcaktimin e pagës minimale Austri, Danimarkë, Finlandë, Itali, Qipro dhe Suedi. Minimalja më e lartë në BE është në Luksenburg prej 1923 euro, që është 15 herë më e lartë se paga më e ulët minimale në Ballkan e cila është 130 euro. Sipas statistikave më të fundit, paga minimale në Kosovë shkon nga 130 deri në 170 euro. Në Maqedoni paga minimale mujore është 131 euro, ndërkohë që në Serbi minimalja mujore është 174 euro, në Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë është 193 euro.