Reforma zgjedhore në pritje të konsensusit, PD këmbëngul për votim elektronik

0
160

Shtyrja me një muaj e punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore nga Parlamenti, nuk po sjell ndonjë të re nga palët për gjetjen e konsensusit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Ndërsa nga data e zgjedhjeve na ndajnë vetëm katër muaj, Partia Demokratike vazhdon të këmbëngulë në kërkesën e saj për votim dhe numërim elektronik në procesin zgjedhor, të cilin e konsideron kusht të panegociueshëm. Përdorimi i teknologjisë nuk mbështetet, jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga OSBE, e cila argumenton se nuk ka kohë të pamjaftueshme për aplikimin e saj, shkruan ‘ATA’.
Në komisionin e posaçëm, i ngritur nga Parlamenti me qëllim jetësimin në Kodin Zgjedhor të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, maxhoranca dhe opozita kanë depozituar platformat respektive se ku duhet ndërhyrë për përmirësimin e ligjit elektoral.
Amendamentet e përgatitura nga PS lidhen me depolitizimin e komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë, por dhe me transparencën e financave të fushatës së partive.
Ndërsa për Partinë Demokratike garantimi i një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm sigurohet me numërimin elektronik, identifikimin biometrik, dënimin e shitblerjes së votës, transparencën për financimet publike, etj.
Por, ndërsa në letër propozimet ka kohë që janë bërë të njohura, për miratimin e tyre nuk ka ende asgjë të re.
Komisioni i Reformës Zgjedhore, i ngritur nga Parlamenti në dhjetor 2015, kishte një mandat 6-mujor, por siç ka ndodhur dhe më parë afatet janë tejkaluar, duke e vënë në dyshim ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, të rekomanduar nga ndërkombëtarët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here