Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili ka zhvilluar një takim me Kreun e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Ambasadorin Bernd Borchardt.
Në nisje të këtij takimi, Borchardt e ka cilësuar Ministrinë e Drejtësisë si një nga partnerët më të afërta dhe më të mira, me të cilën janë zhvilluar dhe finalizuar me sukses disa nisma të rëndësishme bashkëpunimi.
Në këtë kuadër, Ambasadori Borchardt e ka njohur Ministrin Vasili me disa projekte aktuale përmes të cilave prezenca e OSBE po e asiston aktualisht sistemin e drejtësisë dhe që lidhen kryesisht me shërbimin e provës, sistemin penitenciar etj.
Ministri Vasili e ka inkurajuar Borchardt për të vijuar punën në konkludimin me sukses të këtyre projekteve duke garantuar mbështetjen maksimale nga institucioni që ai drejton.
Takimin e zhvilluar ditën e sotme Vasili e ka vlerësuar si një hap të parë të rëndësishëm të marrëdhënieve me OSBE, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së mbështetjes së saj edhe në drejtim të zbatimit të strategjisë për drejtësinë.
Ndërkohë, Ambasadori Borchardt gjatë diskutimit është shprehur pozitiv lidhur me mbështetjen që mund të ofrojë OSBE për implementimin e kuadrit të ri ligjor, veçanërisht në drejtim të procesit të dekriminalizimit.