Kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi ka reaguar në lidhje me hetimet e prokurorisë në kuadër të dekrimianlizimit, ndërsa emri i tij gjendjet mes 8 zyrtarëve të tjerë. Peçi ka mohuar të gjitha pretendimet, ndërsa ka ftuar prokurorinë që të bëjë detyrën.
“Prokuroria të bëjë detyrën, nuk kam qenë i dënuar. Kam pasur vetëm një gjobë makine 150 mijë lekë.”, u shpreh Tërmet Peçi.
Po ashtu ai tha se prokuroria nuk e ka thirrur asnjëherë për ta marrë në pyetje. “Asnjë problem me drejtësinë, nuk jam thirrur asnjëherë nga prokuroria. Ky është një proces verifikimi dhe ata qe kane dyshime le t’i largojnë”, tha Peçi.
Nëntë funksionarë të lartë, deputetë dhe kryebashkiakë janë në listën e prokurorisë me dyshimin se ata janë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit. Top Channel e verifkoi listën e Prokurorisë së Përgjithshme nga burime zyrtare dhe rezultoi se 6 prej tyre janë deputetë dhe 3 kryebashkiakët e Poliçanit, Tepelenës dhe Pogradecit. Artan Gaçi, Armando Prenga, Gledion Rehovica, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi janë deputetët që Top Channel konfirmoi se po verifikohen nga prokuroria.
Të gjithë këta zyrtarë, përveç Mhill Fufit dhe kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Eduard Kapri, janë të mazhorancës. Por ndërkohë edhe Mhill Fufi është i përjashtuar nga grupi i PD, pas votës së tij për një nga shtatë ligjet e drejtësisë dhe nga selia blu llogaritet si votues i maxhorancës.