Një ngjarje sa e çuditshme aq edhe kriminale ka ndodhur në Tiranë, ku është keqpërdorur emri i emisionit social që transmetohet në News24 “Me zemër të hapur”.
Ditën e sotme, në kthesën e Rinasit, janë filmuar dy vajza dhe një djalë të cilët prezantoheshin si pjesëtarë të fondacionit “Shpresë dhe jetë” dhe iu kërkonin qytetarëve para duke përdorur emrin e emisionit. Stafi i emisionit ka sqaruar se ky është një mashtrim i madh dhe iu kërkon qytetarëve të mos bien pre e këtij mashtrimi pasi stafi i programit nuk del rrugëve për të grumbulluar para.
Çdo aktivitet bamirës i emisionit transmetohet në ekranin si dhe në faqen e Facebook-ut. “Shpesh na ka ndodhur të trajtojmë raste varfërie dhe të dhimbshme ku shumë qytetarë por edhe emigrantë janë sensibilizuar duke ofruar shuma të konsiderueshme dhe kemi qenë transparent me ta dhe teleshikuesin.
Edhe njëherë jeni të lutur të mos bini pre e këtyre njerëzve që kërkojnë të përfitojnë padrejtësisht duke përdorur emrin e emisionit tonë”, deklaron autorja e emisionit Evis Ahmeti dhe stafi i saj.
Madje Ahmeti ka bërë denoncim edhe në Drejtorinë e Policisë Tiranë për këtë mashtrim, duke kërkuar vënien para drejtësisë të autorëve të saj. Policia ka nisur hetimet për episodin e pakëndshëm që luan me problemet sociale të njerëzve.