Prindërit e të arrestuarit Fatjon Xhyliu, i dyshuar si një nga organizatorët e grabitjes së 3.2 milionë dollarëve në rrugën e Rinasit, nuk mund ta besojnë se djali i tyre është i implikuar në këtë krim.
Kujtim dhe Lumturi Xhyliu teksa flasin për gazetën “Panorama” shpresojnë se ai e ka pranuar grabitjen ndikuar nga presioni dhe shtrëngimi që i ka bërë Policia. Babai i tij i bën apel të birit të pranojë të vërtetën, nëse ka gisht në këtë ngjarje. Por ai e ka të pamundur ta mendojë se pas këtij krimi të bujshëm, të cilin e ka ndjekur nga mediat, është djali i tij.
Në një intervistë për “Panoramën”, Kujtim Xhyliu shprehet se i biri i akuzuar për 3.2 milionë dollarë e mbante familjen e tij me punë sezonale në Greqi.
“Djali ka mbaruar të mesmen dhe punonte si polic privat. Në muajin tetor ai u shkëput, meqë ishte koha e rrushit dhe shkoi në Greqi se e kishte punën gati. Atje punoi për tre muaj se pasaporta aq e lejonte. Punoi në kantinë vere, dhe u kthye për Vit të Ri. Me ato para që mori andej mbante shtëpinë, ruante edhe shpenzimet e djalit, por në të njëjtën kohë nusja e tij ka një sallon bukurie në Tiranë ku punon dhe nxjerr fitime normale” thotë ai. Ai shpreh bindje se Fatjoni nuk ka lidhje me ngjarjen./BW