Një tjetër tenxhere me presion, e mbushur me paratë e grabitura në Rinas është gjetur sot në Bathore, në banesën e Admir Çerpjas, të arrestuar dje në Dibër si pjesë e bandës që godiste blindat me para të bankave që lëviznin në aksin Qafë-Kashar – Rinas.
Edhe në Vlorë disa ditë më parë gjatë kontrolleve të policisë në banesën e një prej anëtarëve të bandës, Neim Avdulaj u gjetën para të futura brenda tenxhereve me presion, që ishin groposur për t’i shpëtuar kapjes nga policia.
“Në Vlorë u gjetën në një ambient të jashtëm të groposura dy tenxhere me presion të mbushura me kartëmonedha Paund, Dollarë Amerikanë, Australiane, Kanadeze si dhe Euro”,- sqaron policia.
Ndërsa “në Vorë tek servisi i familjes Murataj u gjet një kasafortë me një sasi Eurosh e Dollarë”,- thekson më tej policia.
Po sipas tyre, kontrollet kanë vijuar në disa banesa, hotele e lokale në Prezë, Vorë, Farkë, në Vlorë, Lushnje, ndërsa operacioni për gjetjen e provave të tjera materiale dhe për kapjen e personave të përfshirë në këto ngjarje, vijon.
Burime për “BalkanWeb” konfirmuan më herët se një pjesë të parave grabitësit i kanë investuar në blerje banesash e biznesesh, ndërsa një pjesë i kanë humbur në bixhoz.
Nuk dihet ende shuma e parave në valutë që u zbuluan sot teksa pritet një deklaratë zyrtare nga Policia e Shtetit. Policia vijon aksionin dhe hetimet në kuadër të operacionit “Patriot”, ku deri tani janë vënë në pranga 5 persona të dyshuar dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim për grabitjet e kryera në datën 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017.