Dëshmia e motrës së Enver Stafukës, i zhdukur që dy vite më parë, dhënë në prokurori, ka shtyrë këta të fundit të hetojnë Durim Bamin dhe Emiljano Shullazin për rrëmbimin dhe zhdukjen e tij.
Prokuroria për Krime të Rënda, mori në pyetje dhe administroi dëshminë e Fitnete Stafukës, motrës së Enver Stafukës i rrëmbyer dhe zhdukur që më 8 shkurt të vitit 2015.
Motra e Enver Stafukës, pas daljes publike ku akuzoi ish-shokët e vëllait të saj, se kanë dijeni për zhdukjen e njeriut të tyre, prokuroria e merr në pyetje. Mësohet se ajo ka dhënë sqarime për disa orë, në lidhje me deklaratat e saj në media, ku ka përsëritur dyshimet për rrëmbimin dhe zhdukjen e vëllait të saj. Edhe para prokurorit Edvin Kondili, që prej rreth dy viteve po heton rrëmbimin dhe zhdukjen e Stafukës, e motra e tij ka hedhur dyshime ndaj ish-shokëve të vëllait, Durim Bamit. Mësohet se ajo i ka thënë hetuesve, se Enver Stafuka kishte dijeni për krimet që ka kryer grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami dhe për këtë fakt e kanë rrëmbyer dhe zhdukur për ti mbyllur gojën. Veç kësaj, në prokurori, Fitnete Stafuka mësohet se ka treguar edhe për ballafaqimin me Durim Bamin. Ku sipas saj, ky i fundit ka ngritur dyshime se rrëmbimin e Enver Stafukës e ka bërë Emiljano Shullazi me bandën e tij. Ajo ka pretenduar se Durim Bami, i kishte thënë gjithashtu, se shkak i rrëmbimit nga Shullazi, janë dyshimet që ai kishte se Durim Bamit me bandën e tij, i kishte bërë atentat kohë më parë Emiljano Shullazit. Për këtë bisedë mes Durim Bamit dhe motrës së Enver Stafukës, burimet nga prokruoria thonë se në ditët në vazhdim nuk përjashtohet mundësia e një ballafaqimi mes tyre.
Nga ana tjetër, mësohet se edhe grupi hetimor që po heton prej muajsh Emiljano Shullazin dhe bandën e tij, kanë marrë një kopje të deklarimeve të Fitnete Stafukës, për të bërë disa verifikime hetimore. Pasi, ndaj grupit kriminal që dyshohet se drejtohet nga Shullazi prokuroria veç akuzë së gjobëvënies, po e heton edhe për disa ngjarje të tjera kriminale në vend.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi dhe të dyshuarit si pjesëtarë të bandës së tij, prej më shumë se 2 javë kanë bllokuar ballafaqimin dhe pyetjen e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja, i cili ka akuzuar direkt të dyshuarit për gjobëvënie dhe kërcënime.abcnews