Kthimi te Lugano po shkon ashtu siç parashikohej për Armando Sadikun, i cili po gjen me rregullsi rrugën e rrjetës me këtë skuadër. Ashtu si një javë më parë ndaj Grasshoper, edhe sot sulmuesi i kombëtares shqiptare ka gjetur rrugën e rrjetës për ekipin e drejtuar nga Paolo Tramexani, duke i siguruar një pikë klubit të tij.
Në fakt, kjo ishte një ndeshje ku Sadiku përballej me të kaluarën, pasi luante ndaj Vaduzit të cilin vetëm një vit më parë e ndihmoi që të mbijetonte në Superligën zvicerane. Vaduzi, ku luante titullar Albion Avdiaj, arriti të mbyllte pjesën e parë me avantazhin 1-0. Por në minutën e 65 të ndeshjes, në atë që ishte mundësia e parë reale që iu shfaq sulmuesit shqiptar, ai nuk ka gabuar duke çuar topi në rrjetë për të realizuar golin e barazimit 1-1 me të cilin u mbyll kjo sfidë.
Ndërkaq, në ndeshjen tjetër të luajtur sot, dy golat e Benjamin Kolollit nuk i kanë mjaftuar Lozanës për të mundur Bazelin kryesues edhe pse deri 20 minuta nga fundi i ndeshjes kryesonte 3-1. Bazeli përmbysi rezultatin duke fituar 4-3 dhe protagonist në golin e dytë të kampionëve në fuqi të Zvicrës ishte edhe Taulant Xhaka me një asist. (panorama sport)