Flet shoku i kapiten Feti Voglit: Si u vra pabesisht në Afganistan nga një i infiltruar

0
404

Kanë kaluar 5 vjet që kur ushtaraku shqiptar, kapiten Feti Vogli humbi jetën gjatë misionit të NATO-s në Afganistan. Ishte 20 shkurt i vitit 2012 kur një grup me efektivë shqiptarë u godit pabesisht nga një efektiv taleban i infiltruar mes trupave afgane duke qëlluar me armë nga ku mbeti i vrarë kapiten Feti Vogli.

Por si e kujton 5 vjet më pas një nga miqtë e tij të afërt ngjarjen dhe gjithë njohjen dhe rritjen profesionale të Voglit? Major Ernest Marjakaj, efektiv i Batalionit të Forcave Speciale ka rrëfyer në emisionin e mëngjesit në TVSH atë çfarë ka mësuar nga kolegët për ngjarjen ku humbi jetën shoku i tij, raporton “BalkanWeb”.

Kapiten Feti Vogli ishte pjesë e misionit luftarak “Eagle 4” që nisi më 16 janar 2012, në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit.

Nestii

“Kapiten Feti Voglin e kam njohur që në vitin 1999 në ‘Akademinë Ushtarake Skënderbeu’. Kemi qenë bashkë në një kurs deri në përfundim të shkollës. Kemi mbaruar në të njëjtin drejtim, artileri tokësore. Që nga ajo periudhë Fetiu binte në sy, ishte mjaft i shkathët, i etur për të mësuar, shumë i komunikueshëm, jashtëzakonisht  dashur dhe me marrëdhënie mjaft të mira me pedagogët. Më pas ne u ndamë deri në vitin 2004 ku u ribashkuam në kursin bazë të forcave speciale. Që nga ajo periudhë deri në fund kemi shërbyer në të njëjtin repart, tek batalioni i Forcave Speciale për 8 vjet me radhë”, tha Marjakaj, shkruan “BalkanWeb”.

Ai tregoi se si vrasësi i kapiten Voglit, udhëtoi bashkë me grupin shqiptar në një fshat të Kandaharit dhe më pas hapi zjarr pabesisht drejt tyre.

“Grupi i Fetiut ka qenë grupi i parë. Ka qenë i vendosur tek Drejtoria e Policisë afgane në një qytet që quhet Spin Boldak, rajoni i Kandaharit. Me marrjen e urdhrit efektivi ka lëvizur përgjatë autostradës 4 siç quhet autostrada që lidh Kandaharin me Pakistanin. Janë ndalur në një nga pikat e kontrollit pasi aty ka shumë pika kontrolli gjatë gjithë rrugë-kalimit. Kanë marrë me vete një automjet me policë afganë dhe janë drejtuar drejt fshatit ku do të realizohej detyra. Detyra ka qenë takim me banorët e fshatit, diskutim për projektet që bëheshin në zonë dhe diskutohej gjithashtu për mundësinë e hapjes së shkollës fillore, pasi gjendja e arsimit në ato zona është inekzistente. Në fshatin afgan, një pjesë e efektivit futet brenda objektit ku do bëhej takimi me kryepleqtë dhe banorët dhe një pjesë qëndron pranë automjeteve për të bërë sigurimin. Gjatë realizimit të takimit për hapjen e shkollës, një nga policët e infiltruar nga forcat talebane qëllon drejt efektivëve tanë, ku ra në krye të detyrës kapiten Feti Vogli dhe plagoset rëndë tetar Aleksandër Peci”, tregoi major Marjakaj.

Ai tha se grupi i ushtarakëve shqiptarë e ka pasur të pamundur të mbrohej pasi ka qenë një sulm i befasishëm.

“Është e pamundur të shmangësh sulme të tilla sepse efektivin e ke marrë me vete dhe supozohet që jeni nga e njëjta anë, për të njëjtin qëllim. Pas ngjarjes ata janë dorëzuar dhe u janë dorëzuar forcave afgane të sigurisë”, u shpreh miku i kapiten Voglit.

Marjakaj tha se ky nuk ka qenë rasti i parë i goditjes së Forcave të Armatosura shqiptare në misione, por është rasti i parë me humbjen e një efektivi. “Ka pasur më parë vetëm të plagosur nga forcat tona. Ngjarja ka qenë shumë e rëndë dhe nuk do të harrohet lehtë as nga pjesëtarët batalioni special dhe as nga pjesëtarët e të gjitha Forcave e Armatosura. Është një ngjarje e rëndë pasi humbën një shok, një bashkëluftëtar, por gjithsesi vazhdojmë ta kujtojmë dhe jemi krenarë që kemi jetuar e punuar bashkë”, u shpreh ai.

Marjakaj shtoi se Feti Vogli arriti sukses vetëm duke u bazuar plotësisht në forcat e veta, dhe duke u bërë kështu shembull për shumë njerëz.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here