Atentati ndaj gruas në Shkodër u porosit nga kunati? I arrestuari vendos të flasë

0
209

Atentati ndaj 49-vjeçares Flutura Muça tri ditë më parë në Shkodër, dyshohet të jetë porositur me pagesë. Policia po shkon drejt zbardhjes së kësaj plagosjeje, autori i së cilës është arrestuar, raporton “Panorama”. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se është prangosur shtetasi Shkëlzen Xhenja, 25 vjeç, banues në Shkodër. Për efekt të hetimit, blutë nuk dhanë detaje në lidhje me provat që çuan në prangosjen e të dyshuarit për këtë krim. Burime të Policisë bënë të ditur se ka dyshime të forta se ai është porositur nga Sadetin Sula për eliminimin e ish-kunatës së tij, shtetases Flutura Muça. Sula aktualisht është i arrestuar pasi më 18 prill të vitit të kaluar, dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, Suela Muça.

Pikërisht kjo ngjarje mund të jetë zanafilla e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj 49¬vjeçares Flutura Muça. Kjo, pasi kjo e fundit e ka akuzuar Sadetin Sulën për vrasjen e së motrës dhe familjet kanë qenë në konflikt gjatë gjithë kësaj kohe, sepse Sula e mohon krimin. Policia bëri të ditur se Flutura Muça u plagos teksa ishte në punë, duke shitur në një dyqan elektroshtëpiakesh, në lagjen “Partizani”. Ka qenë ora rreth 12:30 e datës 18 shkurt, kur dy persona me motoçikletë i janë afruar 49-vjeçares dhe njëri prej tyre e ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në trup.

Flutura Muça ka marrë tre plumba, dy në bark dhenjë në këmbë, por fatmirësisht nuk i kanë prekur organet jetësore dhe pas ndërhyrjes në spital, e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërkaq, i arrestuari i djeshëm, Shkëlzen Xhenja, ka mohuar lidhjen me ngjarjen. “Nuk kam asnjë lidhje me Flutura Muçën dhe nuk jam unë autor i plagosjes. Nuk e di pse jam arrestuar sepse s’kam bërë asnjë krim dhe s’kam asnjë dijeni për ngjarjen për të cilën akuzohem. Në orën në të cilën thuhet se ka ndodhur plagosja kam qenë në një vend tjetër”, është shprehur 25-vjeçari, duke mohuar implikimin në ngjarje. Policia është duke hetuar për identifikimin dhe kapjen e personit të dytë të implikuar në këtë ngjarje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here