Një krisje 175 km e gjatë është krijuar në akullnajën Larsen C, që gjendet në pjesën lindore të Gadishullit të Antarktidës, raporton BBC. Instituti Britanik i Vëzhgimit të Antarktidës ka filmuar pamje të kësaj krisje, që me shumë të ngjarë do të krijojë një ajsberg gjigand.
Nëse krisja do të përhapet edhe 20 km më shumë, atëherë një bllok akulli me sipërfaqen e Uellsit, do të shkëputet për të lundruar në det.
Së fundmi studiuesit kanë fluturuar përgjatë krisjes në akullnajë, ku në disa raste kap një gjerësi 400 deri në 500 metra, për të vëzhguar gjendjen. Shkencëtarët xhiruan pamjet filmike, ndërsa po mblidhnin instrumentet matëse në ishin vendosur në akullnajë.
Mospasja e një garancie për qëndrueshmërinë e zonës do të thotë së shkencëtarët nuk mund të ngrinë një kamp studimor në këtë zonë. Për rrjedhojë ata kryejnë ekspedita të shkurtra në afërsi të kësaj zone.
Askush nuk mund të thotë me saktësi se kur do të krijohet ajsbergu, por nëse ndodh, do të jetë më i madhi i të gjitha kohërave.