Pse banorët e Zharrëzës besojnë vetëm mediet online dhe si i bojkotuan televizionet

0
240

Mediet Online nuk janë në ditën e tyre më të mirë. Me gabime, me lajme që nuk duhen hedhur, me raportime që çalojnë herë pas here…Të gjitha këto i dimë, mbi të gjithë ne që i drejtojmë.

Por mediet online padyshim që janë të vetmet kanale ku të vërtetat merren vesh në këtë vend.

Sot televizionet bojkotuan tërësisht protestën e grevistëve të Zharrëzës. Por po ta shohësh në tjetër këndvështrim janë këta banorë që i kanë bojkotuar ato.

Nëse gazetat prej kohësh e kanë humbur luftën me televizionet, televizionet prej kohësh e kanë fituar luftën me to por që krahasuar me mediet online gëzojnë shtrirjen e madhe gjeografike të audiencës, e kanë humbur luftën përfundimisht me mediet online.

Sot mjafton ”Nisma Thurje”, ”Qytetarët për Parkun”, ”Jeta osh qef”, apo portale të tjera, që të gjithë të informohen realisht për atë që ndodh brenda këtyre 28 mijë kilometrave katrorë.

Dje në darkë bisedova me një djalë energjik e të palodhur, Besjan Peshën, i cili më tha se ia kishte dedikuar këto ditë rrjetin në ”Facebook” vetëm lajmeve e videove nga protesta e Zharrëzës dhe maratona qindra kilometra e grevistëve.

A mund ta mendoni dot? Një djalë që ndjek hap pas hapi, me vetëm një profil në ”Facebook”, atë që televizione si ”News 24”, ”Ora News”, ”Report Tv”, ”ABC News” e të tjerë e kanë detyrim por nuk e bëjnë?

Fatmirësisht ”Facebook”-u këtyre djemve të rinj e që besojnë te mbrojtja e qytetarëve, raportimi i shqetësimeve të tyre, transmetimi i zërit që mbytet, u ka mundësuar edhe transmetimin live të vendndodhjes.

Tani më thoni ju: pse një grevist i Zharrëzës kërkon që të shoqërohet nga Besjani në takim me ministrin Gjiknuri dhe jo nga ndonjë gazetar i TV-ve që përmendëm?! Fare e thjeshtë. Sepse te Besi apo të rinj si ai që i kanë parë, ndjekur dhe raportuar kanë fituar një gjë: besimin.

Dhe besimi i publikut ashtu siç mund të fitohet për vite me radhë nga televizionet që vetëcilësohen ”Të parët”, mund të humbasë brenda sekondash. /Shuplaka/

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here