Kallëzimi penal i Policisë ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, ka tërhequr vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Prestigjozja Associated Press, i ka kushtuar një shkrim të veçantë këtij lajmi, duke theksuar se policia kallëzon penalisht bashin, pas thirrje të këtij të fundit drejtuar qytetarëve për mos bindje civile.
AP shkruan se Basha ju ka bërë thirrje qytetarëve që të mos rrinë si delet por tu përgjigjen me luftë atyre që ju shkelin të drejtat. Ndërkohë në shkrim thuhet gjithashtu se pavarësisht thirrjeve të Bashës, qytetarët nuk kanë shpërthyer në dhunë ndaj institucioneve apo zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Shkrimi flet edhe për ngjarjet e mëparshme në vend, si bojkoti i parlamentit nga ana e opozitës, vonesat për procesin e vettingut, apo thirrjet e ndërkombëtarëve për tu kthyer në Kuvend.
Sipas AP opozita i druhet korruptimit të prokurorëve dhe gjykatësve të ardhshëm që pritet të zgjidhen nga reforma në drejtësi, duke kujtuar vështirësitë që ka hasur Shqipëria në vite që pas rënies së diktaturës komuniste.
Pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve, e djathta nuk duket se do të kthehet në Parlament pa iu plotësuar kushti i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nëpërmjet qeverisë teknike.
Këtë shkrim e kanë transmetuar edhe “New York Times” dhe “Deutsche Welle”.