Basha: Bandat e Ramës dhunuan dy motra pse protestuan në 18 shkurt

0
192

Bandat e Ramës po terrorizojnë qytetarët. Kështu u shpreh kryetari i opozitës, Lulzim Basha, në bashkëbisedim me qytetarët në çadrën e protestës, duke deklaruar se dy motra në Fier janë sulmuar dhe agresuar për pjesmarrjen e tyre në tubimin e 18 shkurtit në Tiranë.

Ai i bëri thirrje policisë së Fierit për arrestimin e keqbërësve deri në orën 24:00, ndryshe kërcënoi Basha, do të përballen me pasojat.  I pashmangshëm në këtë bashkëbisedim ishte vettingu.

Në ditën e dhjetë të protestës, kryetari i PD-së Lulzim Basha edhe njëherë ripërsëriti se opozita do të qëndrojë derisa të përmbysë republikën e vjetër.

Basha: Dua ta nis me një lajm të trishtë, por po kështu një lajm i cili na bën edhe më të fortë, edhe më të vendosur në betejën tonë. Dje bandat e republikës së vjetër kanë sulmuar dhe kanë agresuar dy vajza 29 vjeçare nga Fieri.

Kanë sulmuar Antonetën dhe motrën e saj binjake për arsyen e vetme se në bashkimin e madh popullor të 18 Shkurtit, ishin këtu dhe qëndruan këtu prej minutës së parë e deri në fundin e asaj mbrëmjeje, bashkë me dhjetëra e qindra vajza të tjera, me dhjetëra e qindra gra nga Fieri e Tirana dhe gjithë Shqipëria.

E pra, bandat e republikës së vjetër dje kanë ngritur dorë mbi Antonetën, vetëm e vetëm për këtë arsye: Sepse pati guximin, sepse pati vendosmërinë, sepse pati qytetarinë të jetë pjesë e këtij bashkimi të madh popullor.

Sot kam një thirrje për Policinë e Fierit, keni afat deri në orën 24:00, të darkës për arrestimin e autorit, i cili është i njohur publikisht nga ju. Mos e zvarrisni çështjen, arrestojeni autorin, ose merrni përsipër pasojat e parikuperueshme të mosveprimit tuaj.

Ky është mekanizmi i republikës së vjetër. E keni parë në Korçë në zgjedhjet e 2014-ës, e patë në zgjedhjet lokale të 2015-ës, e patë së fundmi në Dibër, në zgjedhjet e shtatorit të kaluar.

Bandat dhe banditët e kurdisur dhe të paguar nga qeveria e krimit, bandat dhe banditët e paguar me lekët e pista të drogës kanë guximin të frikësojnë, të terrorizojnë dhe të godasin qytetarët, vetëm e vetëm për bindjet e tyre politike, vetëm e vetëm për shkak se duan të japin votën e tyre si qytetarë të lirë.

Ky është fundi i republikës së krimit, e cila ka ndërtuar mekanizmat me kriminelë për të shpytur qytetarët e lirë dhe ku Policia e Shtetit, prokuroria dhe gjykatat nuk arrijnë të vendosin ligjin, por kthehen “de facto” në mburojë të bandave. Ky është fundi i këtij shteti, kjo është tirania e krimit, dhe tiranitë e krimit përmbysen dhe prandaj jemi këtu të gjithë bashkë, sepse kemi vendimin për të mos pranuar kurrë më tiraninë e krimit.

Shtetin e të padrejtës, shtetin që mbron dhunuesin, në vend që të mbrojë të dhunuarin e të godasë me forcën e ligjit dhunuesin.

Ky është mekanizmi në dritën e diellit që shteti i bandave të Edi Ramës përdor për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Ky është mekanizmi që ka rikthyer dhe dëshiron të rikthejë në rrugët tona, në sheshet tona, në qytetet tona dhe në fshatrat tona, terrorin. Jo më terrorin politik si dikur, por terrorin e bandave të veshura me pushtet.

A mund ta pranojnë më shqiptarët këtë?

A jemi gati të pranojmë këtë?

A jeni gati të ulni kokën dhe të pranoni terrorin e bandave, republikën e bandave, shtetin e bandave?

Jemi këtu për t’i thënë njëzëri Jo, dhe jemi këtu deri sa republikën e vjetër ta përmbysim, ta varrosim dhe mbi të të nisim udhëtimin e një Shqipërie të re, ku ligji funksionon, ku ligji mbron qytetarët njësoj, ku ligji godet me ashpërsinë e tij këdo që prek dhe dhunon të drejtat e qytetarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here