Në letrën e bashkëshortes së Ervis Imerit, personit që tashmë gjendet në burg për moskallëzim krimi, zbulohen detaje të rëndësishme mbi ngjarjen ku mbeti i vrarë Elton Çiça. Ina Imeri, tregon se bashkëshorti i saj kishte prezantuar Elton Çiçan dhe Robert Ramën, të dy të vdekur. Shkak për nisjen e konfliktit, sipas saj, ishin bërë thëniet e Eltonit se ai mbante 5 milion euro në shtëpi.
“Një ditë ky i kërkoi një shtëpi me qira burrit tim dhe ai e prezantoi me Elton Çiçën, të cilit i mori shtëpine me qira dhe ku Elton Çiça mburrej se kishte 5 milionë euro. Po kujt i mburrej?! Një hajduti të lindur si Robert Rama, i cili nuk kaloi shumë muaj dhe shkoi për të grabitur atje. Po me kë i bëri planet Robert Rama për grabitjen?
Se që të shkonte atje i duhej një tepelenas që njihte vendin, t’i tregonte shtëpinë e Elton Çiçës dhe ta ruante në momentin e kryerjes së krimit. Ata janë bashkëpunëtorët nga Tepelena, ndoshta edhe miq të Robertit. Unë kam dyshimet e mia, të cilat nuk mund t’i publikoj sepse jam në rrezik pastaj. Atë ta gjejë policia”tregon Ina Ymeri.
Po sipas saj, pas vrasjes së Robert Ramës, Elton Çiça kërkonte të dinte kush ishin bashkëpuntorët e tij në grabitjen në Tepelenë, pasi ndjehej i kërcënuar.
“Elton Çiça i dërgoi njerëz në burg Ervisit ku thoshte: “Mua po më kërcënojnë malokët që kanë qenë bashkëpunëtorët e Robert Ramës, të cilët t’i i more në makinë (që ishin të maskuar). Më thuaj cilët janë t’i vras unë më parë se, përndryshe, unë do të hakmerrem te babai ose te vëllai”, shkruan Ina Imeri në letrën e saj.