“Këto fjalë kryetari i tanishëm i Bashkisë Tiranë, i ka thënë gjatë fushatës elektorale të 2015-tës duke premtuar se nuk do të jepte me leje ndërtimi për askënd”
Premtimet në fushatën elektorale të vitit 2015 ishin të shumta, në disa raste ato kalonin edhe kufijtë e paarritshmes. Kandidati i cili premtoi më shumë nga të gjithë ishte Erion Veliaj, për të ishte çdo gjë e rëndësishme dhe përpara qytetarëve gjithmonë thoshte se problemet e tyre do të zgjidheshin. Sipas Veliajt një problem që do të zgjidhej do të ishin edhe lejet e ndërtimit. Në një prej ditëve të shumta të fushatës , Erion Veliaj, kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës, deklaroi se fjala kryebashkiak nuk do të jetë sinonim i atij që jep leje ndërtimi. Këto fjalë ai i tha gjatë një takimi me biznesmenë për çështjet e ekonomisë dhe punësimit në kryeqytet. Ai pohoi se ka edhe qindra punë të tjera me të cilat kryetari i bashkisë duhet të merret çdo ditë. Sipas tij, aktualisht në Tiranë ka mbi ndërtime dhe mijëra apartamente të pa shitura. Veliaj tha se një nga shqetësimet kryesore të biznesit është fakti se në katër vitet e fundit bashkia e Tiranës nuk e ka marrë seriozisht në mënyrën se si paraqet ankesat dhe shqetësimet, me mënyrën se si bëhen propozimet. “Në katër vitet e shkuara Tirana nuk ka pasur model të qartë për zhvillimin. Këtu përfshihet jo vetëm zhvillimi ekonomik, por edhe zhvillimin urban, sigurisht edhe zhvillimi social. Edhe plani urbanistik që u miratua nga kryetari aktual i Bashkisë nuk ishte një plan për zhvillimin e Tiranës, ishte një plan klientelist për leje ndërtimi dhe për troje pallatesh në Tiranë. Në konceptin tonë modern, plani i zhvillimit nuk mund të jetë vetëm një plan për të përcaktuar lejet e ndërtimit. Ndaj dhe do të ndërtojmë një model të qartë për zhvillimin e Tiranës, një model që do të gërshetojë zhvillimin ekonomik me atë urban duke orientuar zhvillimin e qytetit drejt periferisë. Pra, për të inkurajuar më shumë investime aty ku ato janë më të pakta dhe mundësitë janë më të mëdha”, u shpreh Veliaj gjatë takimit elektoral. Me këto fjalë Veliaj përpara qytetarëve premtoi që nuk do të jepte me leje ndërtimi si kryetari i mëparshëm. Ai tha se lejet e ndërtimit që janë dhënë janë klienteliste, dhe Tirana ka ngelur mbrapa nga këto ndërtime.
Çfarë po ndodh tani?
Në Tiranë që me ardhjen e Erion Veliajt, kanë lulëzuar edhe lejet e ndërtimit. Në shumë vende në Tiranë shihen tabela që janë vendosur të cilat lajmërojnë ndërtime të pallateve shumëkatëshe. Anës rrugëve dhe në vende të cilat për banorët është një shqetësim, makineritë e shumta punojnë natë e ditë për të ndërtuar pallatet e reja. Në tabelën që vendoset për të informuar se çfarë objekti po ngrihet, dokumenti shoqërues që është leja e ndërtimit në fund të saj shihet firma e Erion Velaij, kryetarit të bashkisë Tiranë. Edhe pse premtoi që nuk do të jepte asnjë leje ndërtimi, përsëri ky premtim është thyer dhe në Tiranë pallatet po mbijnë si kërpudhat. Gjatë gjitha kësaj kohe qeveria dhe policia kanë vazhduar aksionet për të gjitha ata që ndërtonin pa leje sepse më parë ishte miratuar moratoriumi për lejet e ndërtimit. SIaps një vendimi të qeverisë për një vit nuk do të lejohej asnjë ndërtim, dhe çdo ndërtim do të bëhej kur të miratoheshin planet e reja urbanistikë në çdo qytet. Por ky vendim vlente vetëm për qytetarët, të cilët mundoheshin që të ndërtonin një çati pasi për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj lejet ishin si më parë. ai gjatë kohës që ka qenë në krye të bashkisë ka dhënë disa dhjetëra leje për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, përpara së të miratohej plani i ri urbanistik.
……………………………………………………………………………………….
Dënimi për qytetarët
Në pranga 20 qytetarë, kishin tentuar të ndërtonin pa leje
Menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2015, policia dhe strukturat tjera të shtetit nisën aksionet e tyre për të ndaluar shkelësit e këtij vendimi. Urdhri ishte i qartë burg për të gjitha ata që ndërtojnë pa leje. Gjatë disa aksioneve në të gjithë Shqipërinë u prangosën rreth 20 qytetarë, të cilët kishin tentuar që të ndërtonin pa leje shtesa apo edhe çati në shtëpitë e tyre. Sipas policisë, në fushën e ndërtimeve të paligjshme, gjatë një prej javë të kontrolleve nga ana e strukturave të shtetit, në të gjithë vendin janë evidentuar 35 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste, janë evidentuar dhe proceduar 35 autorë nga të cilët, 9 autorë janë arrestuar në flagrancë, 24 autorë ndiqen në gjendje të lirë, si dhe të tjerë janë shpallur në kërkim.
………………………………………………………………
Dokumenti i 2015
Rama pezulloi lejet e ndërtimit për një vit, rikthehen vetëm pas miratimeve të planeve
“Të gjithë ata që japin leje pas këtij vendimi ato do të cilësohen nul. Ose të paktën kështu përcakton vendimi i fundit i KKT-së, për moratoriumin e ndërtimeve”
Kryeministri Edi Rama ka firmosur në vitin 2015 vendimin që pezullon lejet e ndërtimit në të gjithë vendin. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit janë caktuar detyrat që duhet të zbatojë Ministria e Zhvillimit Urban, si dhe Agjencia e Planifikimit të Territorit dhe parashtrohej kërkesa për të zgjedhurit e rinj vendorë, të cilët duhet të nisin nga puna për planet e reja vendore, një kërkesë që automatikisht hedh poshtë të gjithë ato plane të miratuara deri më tani.
Pezullimi
Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit përcaktonte se deri në miratimin e planeve të reja vendore nuk mund të jepet asnjë leje e re ndërtimi. Kjo në fakt vlen për lejet për ndërtimin e pallateve, kurse vendimi ka të përfshirë edhe një listë të gjatë me përjashtime. Kështu, mund të jepen leje për punime në struktura publike, infrastrukturë, në ndërtime për banim/një familjare,
por sipas përcaktimeve të sipërfaqes që lejon KKT. Po kështu, mund të bëhen ndërhyrje me karakter emergjent apo struktura me interes publik e kombëtar. Por, për të gjitha këto raste përjashtimi, ka edhe një procedurë specifike që duhet të ndiqet nga vendorët para se të japin miratimin. Të gjithë ata që japin leje pas këtij vendimi ato do të cilësohen nul. Ose të paktën kështu përcakton vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Territorit. “Me përjashtim të rasteve dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim, çdo leje ndërtimi e lëshuar pas datës së miratimit të këtij vendimi në zonat objekt i këtij vendimi konsiderohet nul dhe e pavlefshme. Ky vendim ngarkonte Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për miratimin e procedurës që duhet ndjekur nga autoritetet e zhvillimit të territorit, në zbatim të pikës 5, si më sipër dhe monitorimin e zbatimit të këtij vendimi nga autoritetet përgjegjëse”, përcaktohet në pikat 8 dhe 9 të vendimit.
Planet vendore
Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar që 61 bashkitë e reja që dolën nga reforma territoriale të angazhohen për plane të reja vendore. Deri më tani në KKT kanë kaluar ndër vite disa plane vendore, por të gjitha këto me zbatimin e reformës së re territoriale mbeten pa sens, pasi përfshijnë brenda tyre një hapësirë më të vogël nga ajo që kanë sot këto bashki. Në këto kushte është kërkuar që të hartohen plane vendore nga e para dhe vetëm pasi këto plane të jenë dorëzuar dhe të kenë kaluar procedurat e tjera të miratimit, qeveria duket se do të lejojë vijimin normal të ndërtimit. Deri atëherë, të vetmet ndërtime që do të lejohen do të jenë ato të listës së përjashtimit të renditur në vendimin e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Vendimi i KKT
Vendim Nr. 1, datë 30.07.2015
Për Përcaktimin e rregullave dhe procedurave që do të ndiqen nga autoritetet e zhvillimit të territorit për shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi në miratim të planeve të përgjithshme vendore Në mbështetje të ligjit nr.1 107/2014, datë 31.07.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, neni 45, pika b), të VKM-së nr.408, datë 13, 05, 2015 “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit” e ndryshuar, VKM-së nr. 877, datë 03.10.2013 “Për përbërjen e Këshillit Kombëtar të Territorit” me propozimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit:
Vendosi
- Të gjitha autoritetet vendore të fillojnë procedurat e planeve të përgjithshme vendore për territorin përkatës, në përputhje me legjislacionin e ri.
2. Deri në miratimin e planeve të përgjithshme vendore, në zonat sipas nenit 45, pika b), të VKM-së nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit të ndryshuar, autoritetet e zhvillimit të territorit lejohen të japin leje ndërtimi vetëm për këto raste përjashtimore:
a) punime të infrastrukturës;
b) struktura publike;
c) ndërhyrje me karakter emergjent
ç) objekte për interes publik, shtetëror dhe kombëtar
d) struktura me funksion prodhues industrial, përfshirë këtu ato me material porositës;
dh) struktura me funksion turistik
e) struktura në funksion të prodhimit, përpunimit dhe distribucionit të produkteve bujqësore dhe blegtorale.
ë) banesa individuale/një familjare kërkuar nga pronari i truallit për strehimin primar të tij, me sipërfaqe totale ndërtimi deri në 250m2;
f)shtesa në banesa individuale/një familjare ekzistuese deri në masën 50 për qind të sipërfaqes së tyre totale të ndërtimit.
3. Autoritetet e zhvillimit të territorit lejohen të japin leje ndërtimi për rastet përjashtimore të pikës 2, vetëm brenda zonave të urbanizuara, të identifikuara sipas vendimit numër 5, datë 29.12.2014 të Këshillit Kombëtar të Territorit me përjashtim të strukturave sipas germës e)për të cilat zbatohet VKM nr. 283, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e tipave, rregullave, kritereve dhe procedurave për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në tokë bujqësore”, e ndryshuar.
4. Në bazë të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, kusht për lëshimin e lejeve të ndërtimit është botimi në Regjistrin e Integruar të Territorit të kërkesave për leje dhe akteve përkatëse të miratimit të tyre.
5. Autoritetet e zhvillimit të territorit duhet të vijojnë me miratimin e kërkesave për leje ndërtimi për rastet sipas pikës 2 të këtij vendimi, vetëm pas marrjes së njoftimit nga AKPT për konformitetin e zhvillimit të propozuar me rastet përjashtimore të përmendura më sipër, në rrugë elektronike nëpërmjet Regjistrit të Integruar të Territorit, si edhe informimin e Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me këtë konformitet.
6. Për lejet e ndërtimit dhe lejet zhvillimore të miratuara, të cilave u ka përfunduar afati i zbatimit të punimeve, të përcaktuara në formularin e lejes përkatëse përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, shtyrja e afatit mund të kryhet nga autoriteti përgjegjës vetëm një herë për një periudhë jo më të gjatë se afati fillestar i përcaktuar në lejen e ndërtimit.
7. Me përjashtim të rasteve dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim, çdo leje ndërtimi e lëshuar pas datës së miratimit të këtij vendimi në zonat objekt i këtij vendimi konsiderohet nul dhe e pavlefshme.
8. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për miratimin e procedurës që duhet ndjekur nga autoritetet e zhvillimit të territorit, në zbatim të pikës 5, si më sipër dhe monitorimin e zbatimit të këtij vendimi nga autoritetet përgjegjëse
9. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, si dhe të gjitha autoritetet e planifikimit, zhvillimit, dhe inspektimit në nivel vendor dhe kombëtar për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.