Mendimi i qytetarëve/ Më ke zhgënjyer kryeministër, ke veshur kostumin e mashtrimit

0
310

Nga Anna Duka

Hyri marsi ndërsa kryeministri nuk ka për të hequr kostumin e rëndë edhe për pak kohë. Ai ka veshur një kostum që nuk i shkon shumë. Jo më larg sesa kur futi këmbët në terrenin e politikës vishej me ngjyra dhe stil të veçantë, me zell dhe vullnet, të paktën ashtu e kam parë unë, një admiruese dikur dhe një e zhgënjyer sot.

E kam parë pa kollaro, me këmisha të verdha, çorape interesante, xhaketa lëkure, madje e kam pare edhe lakuriq. Jo se jam një nga vajzat fatlume qe i kanë parë gjithë këto live, thjesht kam parë atë që kanë parë të gjithë përmes fotografive dhe videove. Por dënofsha veten nëse nuk është e vërtetë që kam parë ndoshta më shumë se të tjerët në momentin kur vendosa t’i besoja, se në sytë e mi ai ka qënë kapiteni me të meta ideale.

Të jesh politikan duhet më së pari të jesh i metë por kjo e metë duhet të vijë si një gjetje delikate mes intelektit të beftë dhe shpirtit protestant. Kryeministri për mua ishte perfekt në iperfeksionin e tij, megjithëkëtë unë ëndërroja ditën kur ai do bëhej ai që është sot. Kjo bindje ndoshta vinte edhe për shkak të hamendësimit tim se kryeministri i ëndrrave të mia kish kuptuar që në krye të herës një filozofi të thjesht: lider nuk është ai që urdhëron masat por ai që motivon, frymëzon dhe iu imponohet masave në formë të shëndetshme, por mbi të gjitha është ai që masat nuk i shikon si masa.

Lider i vërtetë nuk është bariu, bariu i shikon delet si mjete jo si gjallesa me identitet, i therr, i ha, i mjel, i shet, i rrjep, dhe në rastin e një kopeje figura e liderit të saj duhet të vijë pikërisht nga rradha e deleve, pra duhet të jetë një tjetër dele, më e guximshmja, më e krisura, më e zonja, ajo që nuk ka interesa të therr e të mjel, por që kërkon të zgjojë pjesën e fjetur: Dele të dashura ngrihuni, zgjohuni, revoltohuni, mos e lini shpirtin të qetësohet, jepini elektricitet, tension, mllef por mos flini, ne kujtojmë se bariu është shpëtimtari ynë por ai është ujku më i rrezikshëm se çdo ujk tjetër që na kanë zënë sytë e veshët.
Në sytë e mi, oh në sytë e mi ai ishte lideri im, me atë natyrën e tij revoltuese, me atë veshje moskokëçarësë, dukej sikur ai ndjente tamam si ne, pra tamam si delet, mllefin e kohës, mllefin e regjimit, dhe kërkonte të ndryshonte, të bënte histori, të linte gjurmë, t’i jepte vendit një tjetër epokë, një tjetër imazh të lartësuar. Me një fizik pothuajse liderjan, ai më jepte siguri, i gatshëm në çdo kohë për të marrë timonin e anijes, gatishmëri kjo që vihej re në çdo lëvizje, në pëllembët që godisnin podiumin, në rebelizmin që dukej se nuk bënte paqe me hipokrizinë, padrejtësinë, një shpirt artisti, një bishë e shëndetshme strukur brenda tij, një figurë që rrezatonte me çregullsinë e vetë, me mos krekosjen e tepruar, se artistët kështu janë, ata nuk krekosen por imponohen, nuk urdhërojnë por frymëzojnë, nuk kollarisen por shkëlqejnë gjithsesi.

Një figurë që mbante me pahir hapat e rëndë, pakëz i kërrusur ndonjëherë edhe për shkak të gjatësisë, por i gatshëm në çdo kohë, i karikuar, elastik, i mbushur me vetbesim nga kënaqësia që i jepte bindja se po bënte gjënë e duhur. Të gjitha ishin fare në rregull, madje edhe fotoja lakuriq, edhe makaronat, edhe sarkazmat, gjithë sa tregonin për atë që ai ishte vërtetë. Një njeri mes njerëzve, një dele mes deleve, dhe kur njerëzit, turmat e kuptojnë që ti je si ata, i thjesht, i vuajtur, i çmendur ndonjëherë atëherë të duan, të admirojnë, të zgjedhin, por nëse ti tenton t’ju tregosh që je më i mirë, më i zgjuar, më i bukur, atëherë të shkelmojnë.

Të gjitha kanë qënë në rregull derisa kreyministri realizoi ëndrrën e tij por theu ëndrrën time.

Ja që kryekomandati në vend të makaronave zgjodhi të hajë delet, u bë bari. Tanimë shfaqet në media i ngrirë, gatitu, i gurosur, i shtirur, vesh kostumin e rëndë e të errët si për të fshehur mëkatet, dhe bashkë me kostumin vesh një sjellje shtinjake, false e cila ashtu si kostumi nuk i shkon, nuk i rri mirë, i rri ngushtë. Mesa duket politika e ndryshoi, ose e shfaqi, këtë nuk e kam të qartë dhe nuk besoj se do ta kem ndonjëherë; ajo që kam të qartë tani është se ai ka kuptuar gabim çdo gjë, qyshkur preku timonin për herë të parë, që në krye të herës, në vend të vishte kostumin e punëtorit, e kryeshërbëtorit ai u vesh i padron, në vend të vishte sjelljen e përulësisë, thjeshtësisë, dashamirësisë, ai veshi arrogancën, fodullëkun dhe shpirtngushtësinë.

E vetmja gjë që ka rilindur këto katër vjet ka qënë arroganca e tij, ose më saktë një lloj cekësie të cilën unë si ish admiruese nuk ia fal. Si mundet një djalosh me shpirt artisti të katandiset në një plakush skllav i politikës. Skllav i një sjelljeje që nuk po e çliron dot më, i një poze të rreme që shfaq siguri nga jashtë por frikë nga brenda. Se ka momente në jetën e njeriut, siç thotë dikush, që pozicioni i shpirtit ndryshon nga ai i trupit, mund të ndodh që trupi të jetë në këmbë por shpirti te ndodhet ne gjunjë.

Krizë personalitetesh, apo paqëndrueshmëri, apo mungesë zotësie për të qënë lider, nuk di si ta quaj, di të them vetëm që ai më prishi ëndrrat… dhe nuk ja fal…Nuk ja fal që kishte një detyrë aq të thjesht e përsëri nuk e kreu. Ai nuk e ka kuptuar ose më keq akoma nuk do ta kuptojë që unë e zgjodha për të më shërbyer jo për të më vjedhur ëndrrat. Se në të vërtetë detyra e kryeministrit është të kuptojë që politika nuk është privilegj por sakrificë. Ai e pa si privilegj që në momentin kur zgjodhi në bashkëqeverisje shërbëtorë të verbër; nuk vuri luftëtarë por servilë, nuk vuri drejtues por ushtarë, të bindur të gjithë, robotë të gjithë, të paaftë shumica. Më ke zhgënjyer kryeministër! Më ke zhgënjyer.

Hyri marsi por dimri jonë nuk ka për të dalë, dhe s’ka për të dalë për aq kohë sa ti nuk do heqësh kostumin e mashtrimit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here