“Për 16 vite kemi punuar bashkë dhe çdo arritje është e përbashkët me BE-në, NATO-n dhe SHBA-në. Ne kemi qenë, jemi dhe do mbetemi partner të komunitetit ndërkombëtar”, kështu është shprehur lideri i BDI Ali Ahmeti pas takimit me përfaqësuesen e lartë të BE, Federika Mogherini.
Sipas Ahmetit kriza institucionale në Maqedoni nuk mund të kthehet në atë ndëretnike, ndërsa Mogherini ka shprehur vlerësim për rolin e Ahmetit drejt qasjes konstruktive të krizës së rëndë.
“Kriza institucionale dhe sistemore nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike, dhe ne do të mbetemi të përkushtuar për të arritur zgjidhje politike. Sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucione të besueshme, përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe integrimi në NATO dhe BE janë prioritete tona. Zonja Mogherini shprehu vlerësim për rolin dhe qasjen tonë konstruktive në këtë krizë të rëndë duke theksuar që Bashkimi Evropian është pranë nesh në përpjekjet për ta zgjidhur krizën, ndërsa theksoi nevojën për të vijuar dialogun tonë”, u shpreh Ali Ahmeti.