Gjykata e Shkodrës ka vendosur sot masën e “arrestit me burg” për efektivin e FNSH-së, Ardian Loci i cili u arrestuar më 28 shkurt me akuzën për dekonspirim të operacioneve policore anti-drogë.
Por dëshmia e Locit në seancën gjyqësore ka qenë tronditëse. Ai ka shpërthyer në të qara para trupit gjykues duke rrëfyer problemet e tij ekonomike dhe sociale dhe ka deklaruar se është i pafajshëm.
“Kam 21 vite shofer në FNSH. I kam shërbyer shtetit me zemër e me mendje. Kam gruan të sëmurë dhe vajzën e sëmurë po ashtu me sëmundje të keqe në kokë. Kam vajzën tjetër të vogël që s’ka kush ma çon në shtëpi. S’kam marrë asnjë shpërblim. Kam shtëpinë pa pllaka. E ndjej veten shumë të rënduar aq sa të vras veten. Janë akuza te shpifura. S’kam bukë në shtëpi. Edhe një shpërblim që mora kam shlyer borxhet dhe energjinë. S’kam patur lekë t’i paguaj vajzës ilaçet”, ka thënë mes lotëve efektivi i FNSH-së.
Duke folur për akuzat, Loci ka rrëfyer se i ka çuar një thes me miell një shoku pasi nuk kishte me çfarë ta merrte.
“Nuk i përkas asaj kategorie. I kam çuar një shoku një thes miell se s’kishte me çfarë e merrte dhe i thashë mos më thuaj më ashtu se kushedi si merret, në rregull më tha. Si qenka, unë kam folur me një në lagje… Kam qenë në shërbim më përpara dhe sa shkova në shtëpi duke ngrënë buke më arrestuan. Jam shume i zhgënjyer me këtë që më është bërë. Më falni për shqetësimin”, tha Loci.