Kreu i Kuvendit dhe LSI-së, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me situatën në Maqedoni, pasi presidenti George Ivanov nuk i dha mandatin kreut të opozitës, Zoran Zaev, për të formuar qeverinë.
“Shpreh shqetësimin për situatën e rënduar politike në Maqedoni dhe inkurajoj të gjitha forcat politike në vendin fqinj për qetësi, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet”, shprehet Meta.
Kreu i Kuvendit shprehet se, “dëshiroj të shpreh gjithashtu keqardhjen për retorikat nacionaliste anti-shqiptare të cilat cenojnë harmoninë dhe bashkëjetesën ndër-etnike – si garanci për stabilitetin e vendit fqinj”.
“Shpresoj që gjithë aktorët institucionalë dhe politikë të tregojnë përkushtim për progresin demokratik dhe euro-atlantik të Maqedonisë”, thuhet në mesazhin e Ilir Metës.