Njeriu i Vettingut/ Kush është “Ëngjëlli mbrojtës” i Ramës, ish avokati i Fatos Nanos

0
579

Pse një njeri i panjohur për publikun është pjesë e takimit Rama-Meta; negocion Reformën në Drejtësi me ndërkombëtarët dhe është njeriu më i besuar i kreut të qeverisë? Kush është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, ish-avokat i Fatos Nanos dhe i Otrantos ….

Pas liderëve politikë fshihen shpesh këshilltarët e tyre, të panjohur për publikun, por që kanë një rol të madh në mënyrën se si liderët sillen politikisht apo në vendimarrjet e tyre. Në një tryezë të rëndësishme të koalicionit qeveritar ku ishin të pranishëm dy krerët, Edi Rama dhe Ilir Meta, ra në sy dhe pjesëmarrja e një njeriu që publiku nuk e njeh. Bëhet fjalë për Ëngjëll Agaçin, i cili mban detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, ose thënë ndryshe njeriu më i besuar i Ramës dhe këshilltari i tij më i afërt.

Aq besim ka Rama tek Agaçi saqë i delegoi atij të drejtën për të negociaur në emër të qeverisë me ndërkombëtarët gjatë javëve kur po përgatitej platforma e Reformës në Drejtësi. Pra ai është njeriu kyç i kësaj draftit që u miratua më pas në Kuvend dhe sot emri i tij po sulmohet pikërisht për këtë arsye. Agaçi nuk ka një profil publik, asnjë dalje në media, por emri i tij është dëgjuar ndonjëherë në akuzat e Sali Berishës në Kuvend dhe së fundmi u përmend në letrën që Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili dërgoi Presidentit ku ankohej për rolin e ndërkombëtarëve në Reformën për Drejtësi. Ndër të tjera ai Vasili shkruante; “Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, nuk gëzon asnjë funksion të veçantë sipas Kushtetutës, që t’i lejojë atij t’i kërkojë Bashkimit Evropian të fillojë procedurat e konstituimit të ONM-së. Zyrtarët e BE-së referojnë të kenë komunikuar me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, por në fakt kanë komunikuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, pa autorizimin nëpërmjet vendimmarrjes së Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave de jure, është pjesë e nëpunësve civilë të administratës publike, por që de facto në rastin konkret, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, ka ushtruar kompetenca që nuk i ka pasur”.

Kush është Agaçi dhe si e zbuloi Rama?

Engjëll Agaçi,48 vjeç, ka emigruar si shumë shqiptarë të tjerë në fillim të viteve ’90 në Itali. Ai ka jetuar në Romë, ku ka studiuar Drejtësi dhe, prej vitit 2003 është bërë pjesë e Urdhrit të Avokatëve të kryeqytetit italian. Ai gjithashtu kishte zyrën e tij të avokatisë në një nga zonat më të pasura të Romës, në Parioli. Emri i tij është lakuar nga shtypi pasi ka qenë avokat mbrojtës i ish-kryeministrit Fatos Nanos në një gjyq për shpifje kundër mediave italiane të Grupit L’Espresso dhe L’Unità, gjyq që Agaçi e ka fituar në favor të Nanos. Gjithashtu ai ka qenë mbrojtës ligjor i çështjes së 27 familjeve të viktimave në procesin e gjatë gjyqësor të tragjedisë së Otrantos. Gjatë kohës që punonte si avokat në Itali, ai ka ofruar konsulencë legale edhe Ambasadës së Shqipërisë në Romë. Këto mund të kenë qenë dhe momentet që e kanë lidhur me njerëzit e politikës në Tiranë dhe me vetë Ramën. Megjithëse nuk dihet se si ata të dy janë takuar, Rama sapo u bë kryeministër i ofroi një nga detyrat më të rëndësishme administrative. Në prezantimin që i bën Engjëll Agaçit, kryeministri Rama shpreh bindjen se falë tij, “puna me draftet e reformave e të ligjeve do të njohë një cilësi të re dhe fryma e skuadrës vetëm do të fuqizohet falë kulturës së tij të jashtëzakonshme profesionale e qytetare”.

E vetmja foto e Agaçit që gjendet lehtësisht në internet është ajo që i ka publikuar Rama në facebook, ku ka dhe një përshkrim të kryeministrit për të.

Ja si e përshkruan Rama bashkëpunëtorin e tij të afërt, i cili vazhdon t’i qëndrojë besnik prej 4 vitesh;

“Historia e Ëngjëll Agaçit është një histori suksesi nga ato në rrugën e emigracionit, ku djem e vajza të dalë nga shtëpitë e varfra shqiptare të viteve ‘90 u nisën drejt ëndrrash në dukje të pamundura dhe i bënë ato të mundura. Me forcën e madhe të ambicies, me vullnetin e fortë të njeriut në një betejë për të ardhmen, me talentin e me përulësinë e kujt s’ka asgjë tjetër veç fuqive të veta në tokë të huaj, madje përballë paragjykimesh tejet penguese, shumë prej tyre ia dolën. Dhe një prej atyre që ia dolën të bëjnë rrugë e karrierë, është edhe Ëngjëll Agaçi.Ishkëlqyer në studime, i pandalur në punë, i papërtuar për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në Itali, i respektuar në mjedisin profesional të Romës, ai la studion e tij të avokatisë në kryeqytetin italian për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës sime që të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm i kryeministrisë. Duke falenderuar për mirësjelljene korrektesën në dorëzimin e detyrës paraardhësin e vet, kam bindjen se falë Ëngjëll Agaçit, puna me draftet e reformave e të ligjeve do të njohë një cilësi të re dhe fryma e skuadrës vetëm do të fuqizohet falë kulturës së tij të jashtëzakonshme profesionale e qytetare”. /tesheshi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here