Duke e hetuar zhdukjen misterioze të një familjeje prej katër anëtarësh në Nantes, policia franceze i ka arrestuar dy të afërm të kësaj familjeje, njoftojnë mediat franceze.
Motra dhe dhëndri i Pascal Troadec, njërit prej të zhdukurve, janë ndaluar në qytetin Brest, ku janë gjetur disa gjëra personale të familjes së zhdukur.
Zyrtarët francezë njoftojnë se ekziston mundësia që disa prej tyre të jenë ende gjallë. Ndërkohë hetimi ka nisur për vrasje, rrëmbim dhe mbyllje të jashtëligjshme.
Kjo familje jetonte në rrethinën e Nantes, në perëndim të Francës. Pascal dhe Brigitte, të dy të moshës rreth 50-vjeçare, dhe i biri i tyre Sebastien, 21-vjeç dhe e bija Charlotte, 18-vjeçe për herë të fundit janë parë më 16 shkurt.