Ornela Dervishi është 22 vjeçe dhe vuan nga një sëmundje e rëndë, nga kanceri i mushkërive. Ajo është në stadin e katërt të kësaj sëmundje. Vajza ka lindur më 29 korrik të vitit 1993, në Çermë, Proshkë, Lushnjë. Prej 16 muajsh ajo bashkë me nënën e saj Mystret Dervishi enden bashkë në pavionin e onkologjikun në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Shenjat e para me temperaturë, kollë, këputje ishin ato që e detyruan familjen e Ornelës t’i drejtohen mjekut të familjes në Lushnjë. Një skaner zbuloi edhe të vërtetën e frikshme. Ajo vuante nga sëmundje e rëndë, ku mundësia e trajtimit, siç u duk edhe me kohën, ishte e vështirë.
“Ime bijë është diagnostifikuar me kancer në mushkëri. Aktualisht është në stadin e katërt të sëmundjes. Sëmundja ka përparuar, metastazat janë përhapur deri në kocka. Sëmundja ka filluar t’i prekë edhe kokën”, shprehet nëna.
Ajo përlotet për kalvarin e madh të vuajtjeve që ka kaluar në pavionin e onkologjikut.
“Por nuk fillon dhe as nuk mbaron çdo gjë këtu. Kjo për faktin se nuk flitet thjesht për ilaçet e kimios. Të ishin vetëm ato, do të kishim gjetur derman. Por vajza ka edhe një numër i madh analizash të cilat është dashur t’i bëjë disa herë. Dhe analizat duhen kryer në privat, sepse këtu në shtet nuk bëhen. Dhe mjekët kur t’i japin për të bërë analizat, i duan që të dalin të gjitha nga një laborator dhe jo pjesë-pjesë, se kështu arrijnë të përcaktojnë më mirë problemet. Unë këto analiza që ju shikoni tani (në foto) i kam bërë të pjesshme, pasi nëse do t’i bëja të gjitha, shkojnë 126 000 lekë (të reja). Nuk mundem ta përballoj. Është shumë shtrenjtë. Bashkë me ilaçet e kimios janë aq shumë sa nuk dimë ku të përplasemi. Me mjekët nuk kapem dot, sepse ata nuk kanë faj. Shërbimin na e bëjnë, por vetëm nëse ne u çojmë medikamentet nga jashtë, ndryshe…Nuk kam çfarë të them, as nuk kam çfarë bëj. Nuk kemi mundësi ekonomike që të përballojmë blerjen e ilaçeve të kimios. Ilaçet që kemi marrë dorazi janë: ifosfamide, mesna, etoposide. Për më tepër, vajza ka nevojë për transplant. Kështu më kanë thënë mjekët. Por transplanti këtu nuk bëhet. Shteti e ka në dorë, por kështu siç shoh deri tani, shteti nuk do të na ndihmojë”, shprehet nëna e saj.
Sipas Gazeta Shëndeti + akoma sot nuk ka një përgjigje zyrtare nga QSUT-ja për këtë situatë. Sipas gazeta Shëndeti + QSUT kanë deklaruar se analizat e sipërpërmendura nuk kryhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe, për saktësi, pacientëve u kërkohet që të gjitha analizat të kryhen në të njëjtin laborator.