Rrëfehet Xhilda: Unë prostituta e luksit ku shfrynin epshet te pushtetshmit e Shqipërisë

0
312

“Exclusive” ka treguar të dielën në mbrëmje se si funksionon rrjeti i prostitucionit në Shqipëri.

Të intervistuara pas hekurave te burgut, vajzat apo nënat e reja të divorcuara, rrëfëjnë se cilët janë klientët VIP të tyre. Të dhënat zyrtare tregojnë se prostitucioni po kthehet në një shqetësim, ndërsa policia se fundmi ka identifikuar edhe prostitucionin e luksit.

Xhilda sot është 29 vjeçe, po vuan dënimin për prostitucion dhe shfrytëzim prostitucioni. I kanë ngelur dhe dy vite burgim. Më herët jeta e saj ishte e lidhur me baletin, por premtimi për një jetë më të mirë përmbysi gjithçka tek ajo. Nga një adoleshente e trafikuar në Itali, Xhilda arriti t’i shpëtojë tutori, por më pas u kthye edhe vetë në një tutore.

“Isha 16 vjeçe, dhe me tha do ikim se do rrime bashke do punoj unë më tha. U largova nga Shqipëria pa dijeninë e prindërve, nuk i pyeta fare. Atje pastaj një muaj, dy muaj dhe më tha do dalësh në rrugë. Kam ndenjur atje gati një vit pastaj u largova nuk doja te rrija më, i shpëtova dhe ika nuk e kallëzova kurrë, sepse nuk doja t’i hapja probleme familjes time dhe kisha frikë. Erdha në Durrës, erdha tek familja ime dhe i lashë gjerat me kaq. Fillova duke punuar balerine nate në Durrës, bashkë me shoqet e mia fillova balerinë në lokalet e plazhit”, tregon ajo.
TCH: Si iu ktheve sërish prostitucionit, pse nuk qëndrove balerinë?
Xhilda: Sepse duke ndenjur me njerëz qe nuk janë të përshtatshëm. Filluan të më mbushnin mendjen, ky të jep kaq, ky të jep aq. Do të veshim, do të bëjmë, do të blejmë makinë. Dikush do të blejë një “BENZ”, dikush një shtëpi. Këto ishin mashtrimet e meshkujve që bëhen në Shqipëri. Klientët e mi i zgjidhja vetë kishte raste që ishin punonjës në shtet, pastaj prokurorë, avokatë, biznesmenë, ndërtues, inxhinierë, kështu gradash i kisha.

TCH: Politikanë?
Xhilda: Jo s’kam patur asnjë politikan

TCH: Ti je një prostitutë luksi?
Xhilda: Po, unë kërceja për ta, me merrnin me pas ne telefon dhe unë vendosja, u paguaja edhe me orë, po edhe me natë.

TCH: Si i hyre shfrytëzimit të prostitucionit
Xhilda: I hyra sepse nuk doja te merresha me ketë gjë dhe shoqet e mia balerina me thoshin na prezanto me ata klientët se ti i ke të ngritur.

Ngjitur me qelinë e saj ndodhet paraburgimi, aty ku për momentin presin të gjykohen për ushtrim prostitucioni 18 gra dhe vajza. Ushtrimi i prostitucionit përfshihet tek seksioni i veprave penale kundër moralit dhe dinjitetit që është i dënueshëm me gjobë deri në tre vjet heqje lirie.

Besa, studente për juridik është e arrestuara e operacionit më të fundit.

“Kam kerkuar punë kudo, di 5 gjuhë të huaja kërkova punë më Call Center, por shanset ishin të pakta”, thotë ajo.

TCH: Nuk të ndihmoi askush nga familja jote të vazhdoje shkollën?

Besa: Jo, më duheshin lekë të jetoja me qera

TCH: Po ti je nga Tirana, nuk kanë shtëpi prindërit e tu?

Besa: Jo prindërit e mi janë ndarë dhe unë për këtë arsye jetoja tek gjyshja.

TCH: Sa vjeçe ishe në atë kohë?

Besa: Isha 19 vjeçe. Më kapen në flagrancë me dy shtetas turq dhe një shoqen time. Zakonisht klientët i gjen shok pas shoku, ai i thotë dikujt tjetër e kështu. Kur dal për te gjetur klientë përshembull vishem provokuese dhe shkoj në lokal nate. Zakonisht afrohen vete dhe unë ia shpjegoj që jam goce pune dhe në këtë mënyre unë arrij të gjej klientët.

TCH: Dhe çfarë tarife duhet të paguajë klienti kandidat

Besa: Varet sa do të rrijë. Nëqoftëse rri një orë ka raste 50, me raste 70 nëqoftëse rri me pak se një orë ka raste edhe 30. Ka patur shumë raste kur me dhunë mi kanë marrë leket në fund, kanë qene të pirë apo të droguar. Kam patur klientë në moshë të thyer 45-50 vjeç, kam patur avokatë, gjyqtarë, prokurore.

TCH: Po thua që ke patur klientë avokatë, prokurorë, gjyqtarë? Si i njohe?

Besa: Me anë të shokëve, ata më thoshin kemi klientë të rëndësishëm dhe unë thosha ok.

TCH: Pse mendon qe ata ishin gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë?

Besa: Sepse më kanë thënë, por unë nuk i pyes klientët për emrat. Njeri prej tyre më ndihmoi të lirohesha kur u arrestova herën e parë.

TCH: Dhe çfarë tarifash paguanin këta njerëzit e drejtësisë?

Besa: Njësoj si të gjithë

TCH: Po si të gjenin?

Besa: Më merrnin ne telefon dhe unë me taksi shkoja aty.

TCH: Ke qenë ndonjëherë e kërcënuar për jetën?

Besa: Po në një rast shkoj në hotel me shoqen, po unë nuk e dija qe ajo kishte çun. Erdhi çuni i saj i pirë dhe e rrahu, ishte tutor dhe ma vuri thikën edhe mua sepse desha t’i ndaj.

TCH: Ke menduar ndonjëherë në momentet kur të kanë dhunuar të njoftosh policinë?

Besa: Po kam menduar. Ka qene rasti i një suedezit qe me rrahu keq sic ta thashe, madje desha të bëj edhe kallëzim, por ishte e kote sepse para se te kapnin personin duhet te kapnin mua sepse unë po ushtroja prostitucion kështu që nuk u bënte llaf fare që unë të beja ndonjë denoncim.

TCH: Kush ta tha këtë?

Besa: Një shef policie

TCH: Si ia gjete numrin këtij shefit?

Besa: E kam patur shok, e kam njohur me anë të kësaj pune. E kam njohur si klient edhe kërkova ndihme tek ai, kujtova se do më ndihmonte, por ishte e kot.

Vjollca Pustina, avokate në Gjykatën e Tiranës, e humbi edhe gjyqin e fundit në të cilin mbronte një 24 vjeçare nën akuzë për prostitucion. Por megjithëse klientja e saj u dënua me gjobë duke i shpëtuar burgut, avokatja dyshon se vajza në fakt është viktimë e një rrjeti të brendshëm.

“U dënua në shumën e 150 mijë lekëve. Në fakt është për t’u habitur se në të shumtën e rasteve këto vajza gjatë hetimeve paraprake deklarojnë me detaje pjesën e rrjetit. Kush i rekruton dhe çfarë bëjnë, por kur vijnë në Gjykatë thonë se e kryejnë vetë këtë punë pa ndihmën e askujt. Ndoshta ekziston presioni i palës shfrytëzuese që mund te jene taskistë, menaxherë hotelesh”, shprehet Vjollca Pustina.

TCH: Klientja juaj ishte e bashkëakuzuar me një taksist?

Pustina: Po ishte e bashkëakuzuar,por kur vajza dha dëshminë tha se taksisti nuk kishte të bënte fare me aktivitetin që ushtronte.

TCH: Ti e besove këtë gjë?

Pustina: Tani unë edhe e besoj edhe nuk e besoj…

“Ashtu siç e tregoi edhe operacioni i fundit i Policisë së Shtetit kryesisht ka një rrjet. Nëpërmjet taksistëve apo edhe ndihmësve të tyre, të cilët ndihmojnë vajzat që të ushtrojnë prostitucionin”, shprehet Elona Gjebrea, zv/Ministre e Brendshme.

Përveç gjobës një numër i madh vajzash që shpallen fajtore për herë të parë për prostitucion, kryesisht nëna të divorcuara, apo studente. Drejtësia iu jep mundësinë e rehabilitimit duke i dënuar me shërbim prove.

“Në këtë drejtim duhet të pranoj se kemi hasur rezistencën nga vetë të dënuarat, ato nuk pranojnë të shkojnë të regjistrohen si të papuna, sepse nuk kanë besim, kanë frike se do të paragjykohen” tha Ilir Qafa, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.

Trendi në rritje i prostitucionit të brendshëm është së pari i kuptueshëm nga statistikat. Në vjetarin statistikor që përpilon Ministria e Drejtësisë rezulton se për 2016 janë shpallur fajtor 140 persona për prostitucion, shfrytëzim dhe mbajtje lokalesh e hotelesh për këtë veprimtari, nga vetëm 50 për 2015-ën.

“Përveç informacionit që marrin në Gjykatat e të gjitha rretheve gjyqësore, na rezulton se aty ku popullata është më e lartë dhe ekonomia është më e zhvilluar aty edhe fenomeni është më i përhapur, Durrës, Tiranë, Shkodër, Fier, Vlorë , ky fenomen është i përhapur më shumë. Ne do t’i rekomandojmë Këshillit të Ministrave ashpërsimin e politikës penale për këtë grup veprash penale, aty ku ka shtim të këtij fenomeni do kërkojmë më shumë kujdes për ndjekjen penale të kësaj vepre. Ky fenomen nuk është i njohur vetëm nga shifrat për Ministrinë e Drejtësisë, por duhet të jetë i njohur edhe për organet e tjera ligjzbatuese në vend, ata që bëjnë ushtrimin e ndjekjes penale në terren që është Prokuroria, Policia dhe institucionet e tjera hetimore. Por rekomandimet e përgjithshme ku përfshihet edhe kjo kategori veprash penale të ushtrimit të prostitucionit, pasi të merret kontributi i aktoreve të tjerë dhe Ministrisë së Brendshme do të hartohet një dokument i policisë penale që i përcillet qeverisë për vendimmarrje për t’ia dërguar me pas Prokurorit të Përgjithshëm, padyshim që edhe ky grup veprash do të gjejë adresim për forcimin e luftës kundër këtij fenomeni. Ashpërsim do të thotë të ndryshosh kodin penal, këtu politikat penale që duhet të ndërmerren duhet të shoqërohen patjetër edhe me politika sociale”, shprehet Bled Dervishi, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë.

Larg imazheve të punonjësve të seksit që kërkojnë klientë në rrugë, në Shqipëri prostitucioni ofrohet në mënyrë pak më të sofistikuar. Fshehtas, përmes sugjerimeve të hoteleve, apo nga femra me tutore apo jo, të cilat ofrojnë shërbime seksi kundrejt pagesës. Shumica prej tyre janë ne kushtet e mbijetesës. pas 12 viteve e martuar, Selvia, nënë e dy fëmijëve i dha fund një martese të dhunshme dhe refuzimi i familjes e shtyu atë në rrugë.

“E kam bërë për të rritur fëmijët. Dilja në rrugë ku të mundja, nuk e di nuk e kuptoj si i hyra kësaj rruge. Ika nga bashkëshorti, iu thashë vëllezërve më ndihmoni, ata më thanë rri aty ku je e martuar pastaj mora femijët dhe ika. Kështu i hyra asaj rruge, nuk e kisha menduar kurrë”, tregon Selvia.

Dhe të tjera, tarifat e të cilave janë të shtrenjta, ato janë të punësuara diku, aspak me veshje provokuese dhe vetëm një telefonatë larg.

TCH: Si quhesh?
Ana: Quhem Ana. Kështu më thonë në Tiranë, me këtë emër jam prezantuar. I hyra nga halli, i thashë një shoqeje në Itali më gjej punë. Ajo më gjeti klientë, pastaj klient pas klienti ndonjëherë më gjejnë punë dhe taksitë, por nuk dal shumë nga taksitë. Më marrin në telefon dhe më thonë “Ana a je për kafe?”.

TCH: I zgjedh ti klientët apo…?
Ana: Nëqoftëse më duket i rrezikshëm nuk shkoj, gjej justifikim jam sëmure, s’jam mirë, po më marrin të shtëpisë ju them.

TCH: A ke menduar të marrësh tutor

Ana: Jo as nuk kam patur as nuk do kem, njoh vajza që kanë tutor dhe ju flas ju them i mbani për vete lekët.

TCH: Si funksionon prostitucioni në Tiranë Ana.

Ana: As unë nuk ta shpjegoj dot, të merr klienti në telefon i them sa lekë dua dhe shkoj kryej marrëdhënie, nëse e kam klient timin jam e detyruar të marr taksi, nëqoftëse nuk kam aq besim sa te hipi në një makinë me të. Nëqoftëse kam besim i them hajde më merr.

Se çfarë po ndodh kuptohet fare mirë në burgun e grave. Të dënuarat për ushtrim prostitucioni mbajnë vendin e dyte pas atyre për vrasje.

“Është një trend në rritje. Kur bisedoj me to në forme të lire padiskutim që s’kuqen në momentin kur ti u bën pyetje, pse kush të detyroi çfarë të shtyu. Kanë edhe një lloj droje para shoqeve të qelisë dhe të regjimit. Megjithatë po t’i dëgjosh me vëmendje ato e tregojnë totalisht dramën e tyre”, shprehet Xhoi Jakaj, drejtoreshe burgu.

Por përveç mungesës së të ardhmes për këto vajza, prostitucioni po hap plagë të tjera, siç është krimi i trefishte në Korçë nga Naum Toshi, bashkëshortja e të cilit në kushtet ekstreme të varfërisë kishte vendosur të shiste trupin. Por fenomeni më i ri po vërehet edhe në Gjykatë, prostitucioni po prek familjen duke u bërë shkak për divorce.

“Isha thirrur në gjykatë për të asistuar fëmijët e një çifti, gruaja punonte banakiere bashkëshorti këmbëngulte se ajo ishte ndryshe, gjyqi zgjati derisa policia e konstatoi këtë zonjë duke ushtruar prostitucion dhe më pas bashkëshorti kërkoi fëmijët”, tregon psikologia Arlinda Selmani./Top Channel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here