Vettingu/ “Kuvendi do kërkojë shtyrjen e afatit për ngritjen e komisionit ad hoc”

0
219

Sot Parlamenti do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për miratimin e projektligjeve që i hapin rrugë zbatimit të vettingut. Sot pritej që të ngrihej Komisioni Parlamentar ad hock që do të miratojë anëtarët e institucioneve të vettingut, që janë zgjedhur nga lista e Avokatit të Popullit dhe kontrolluar nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit.

Por pak minuta para nisjes së seancës parlamentare, burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se Parlamenti do kërkojë shtyrjen e afatit për ngritjen e komisionit ad hoc.

Po kështu, sipas burimeve parlamenti do t’i kërkojë Avokatit të Popullit rivlerësimin e kandidaturave.

Pasditen e sotme, pak orë para nisjes se seancës plenare, kryeministri Edi Rama është takuar në “Vilën 30” me kreun e Kuvendit Ilir Meta, kryetarin e Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa, kryetarin e grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçin, dhe ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili.

Në përfundim të mbledhjes kreu i grupit PS, Gramoz Ruçi nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me tre emrat e propozuar nga mazhoranca për komisionin ad hoc.

Ndërkaq, pak më herët kreu i Kuvendit, Ilir Meta iu dërgoi një letër gjithë krerëve të grupeve parlamentare, ku iu kërkonte të sillnin propozimet për 6 anëtarët e Komisionit të Vettingut.

Ende nuk ka një përgjigje zyrtare as nga mazhoranca, e aq më pak nga opozita e cila ka paralajmëruar bojkotin edhe të seancës se sotme. I vetmi emër që doli ishte një vetëpropozim nga PDIU që Shpëtim Idrizi të jetë një prej tre anëtarëve të mazhorances në komisionin ad-hoc.

Opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë as në këtë seancë, bojkot që ka ngjallur diskutimin për gjetjen e hapësirave kushtetuese që do të çonin përpara procesin e Vettingut.

Kushtetuta e miratuar më 21 korrik, përcakton se “Brenda tre ditëve nga marrja e listës së kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Kuvendi krijon një komision ad-hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë, midis shumicës dhe pakicës parlamentare”.

Nuk dihet ende si do të operojë sot Kuvendi në mungesë të opozitës, por ajo që dihet është se këto vendime nuk merren me shumicë absolute. Ndërkaq opozita vazhdon në çadrën para Kryeministrisë protestën e saj, me kërkesën për një qeveri teknike që do të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here