Nga Ervin Kaduku
“Garë në zyrat e Rilindjes: Kush do të shënojë rekordin në udhëtimet gjithnjë e më të shpeshta jashtë vendit. Natyrisht me lekët e shqiptarëve”…
Nga ministritë, tek ndërmarrjet me kapital shtetëror, për të shkuar tek bashkitë: të gjithë punonjësit e shtetit duket se janë vënë në garë se kush realizon më shumë kilometra fluturime dhe kush ze më shumë hotele jashtë vendit. Rezultati? Rrëmuja në vend!
Udhëtimet jashtë Shqipërisë të administratës duket se po bëhen gjithmonë e më aktive për aq kohë sa numri i procedurave të tenderimit për blerje biletash ka ardhur në rritje. Në më pak se tre muaj të këtij viti kemi 17 ministri, institucione varësie apo të pavarur publikë që kanë zhvilluar procedura të ngjashme për blerjen e biletave në transport ndërkombëtar. Procedurat kanë një fond limit të prokuruar që synon që të mbulojë të gjitha udhëtimet deri në 31 dhjetor 2017.
Në total fondi i Prokuruar nga institucionet deri më tani për blerjen e biletave kap shifrën 121 milionë lekë. Vlerën më të lartë të Prokurimit e zë Ministria e Punëve të Jashtme me 30 milionë lekë e cila ndiqet nga Aviacioni Civil dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik me secila nga 10 milionë lekë si fond limit. Ja sa kanë prokuruar institucionet të marra secila më vetë për bileta avioni në 2017.
Agjencia Kombëtare e Turizimit | 7 milionë lekë |
Ministria e Punëve të Jashtme | 30 milionë lekë |
Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale | 2.8 milionë lekë |
Prokuroria e Përgjithshme | 8 milionë lekë |
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë | 8 milionë lekë |
Shërbimi Informativ i Shtetit | 3.3 milionë lekë |
Drejtoria e Patentave dhe Markave | 2.5 milionë lekë |
Kontrolli i Lartë i Shtetit | 11 milionë lekë |
Ministria e Bujqësisë | 6 milionë lekë |
Ministria e Zhvillimit Urban | 6.3 milionë lekë |
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve | 5.9 milionë lekë |
Autoriteti i Konkurrencës | 1.5 milionë lekë |
Albgaz sh. A | 2.2 milionë lekë |
Autoriteti i Aviacionit Civil | 10 milionë lekë |
Ministria e Zhvillimit Ekonomik | 10 milionë lekë |
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit | 2 milionë lekë |
Ministria e Integrimit | 4.4 milionë lekë |
Bashkia
Por nuk ka mbetur jashtë kësaj gare Erjon Veliaj me shpurën e vet. Sikurse e kemi bërë të ditur në një artikull të mëparshëm të botuar tek “Standard”, edhe një agjenci turistike do t’ua kishte zili zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës. “Trimat e Lali Erit” kanë lënë nam vitin e shkuar, duke e bërë Italinë si të ishte Ndroqi, por pa u ngrënë hakun edhe kontinenteve më të largëta. Në buletinin e radhës të prokurimeve publike, publikim periodik i Agjencisë së Prokurimit Publik, ditën e hënë dolën pagesat e kryera nga institucioni i pushtetit vendor të kryeqytetit shqiptar, ku të bën përshtypje një mori e pashpjegueshme lëvizjesh, që vështirë se kanë sjellë apo do të sjellin në të ardhmen ndonjë “qar” për qytetarët e Tiranës, po kanë shërbyer pa dyshim për shëtitje lukzose dhe të paharrueshme për një pjesë të kupolës pranë Veliajt, pa harruar atë vetë. Kjo, me shpenzimet e qytetarëve, të cilëve iu janë marrë nga taksat plot 103 mijë e 481 euro vetëm për të paguar koston e këtyre lëvizjeve, ku përfshihen edhe fluturime me nga 10-12 orë, që kuptohet se sa “të rënda” janë për buxhetin e Bashkisë.
Janë plot 33 raste, ku vihen re pagesa nga ana e Bashkisë së kryeqytetit shqiptar për agjenci turistike, për udhëtime jashtë vendit të zyrtarëve të saj. Kryeson Italia me 7 udhëtime, ndërkohë edhe në Gjermani dhe Austri bashkiakët kanë shkuar nga tri herë tek secili vend. Nga dy herë regjistrohen udhëtime në Francë dhe Holandë. Por le të shkojmë tek rrugët e kripura. Dy herë zyrtarë të Bashkisë Tiranë rezultojnë të kenë shkuar përtej oqeanit Atlantik, për të shkelur territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Doni edhe më larg akoma? Dy janë edhe udhëtimet drejt dy qyteteve të ndryshme të Republikës Popullore të Kinës.
Por ajo që të le pa gojë është destinacioni që është përzgjedhur në Amerikën Latine, ku sërish mund të shtrohet pyetja se përse duhen zgjedhur këto linja kaq të gjata për të rregulluar punët e Tiranës, të cilat janë këtu dhe kërkojnë shumë para për t’u rregulluar, duke nisur nga strehimi i të pastrehëve, uji i pijshëm, ngrohja në shkolla e çerdhe gjatë dimrit, rrugët e amortizuara, për të cilat është paguar një herë për t’i ndërtuar kur kryebashkiak ishte Edi Rama. Në kontinentin latinoamerikan, Lali Eri ka preferuar të vizitojë dy vende: Ekuadorin dhe Kolumbinë. Dy vende mjaft të bukura për turizëm, por me problematika tejet të ndryshme nga ato të Tiranës dhe të Evropës. Për më tepër, ndërsa në Ekuador, bashkiakët kanë qendruar në kryeqytetin Kuito, në Kolumbi – vend i njohur si atdheu botëror i kokainës – ata kanë përzgjedhur, veç kryeqytetit Bogota, edhe qytetin e Medellinit, që është një nga dy qendrat e narkotrafikut të drogës së bardhë në gjithë botën, krahas kartelit rival të Kalit, gjithnjë në Kolumbi. Pikërisht qendra ku ngriti perandorinë e vet të së Keqes Paolo Escobari famëkeq.
EKSKLUZIVE- STANDARD.AL