Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në mbyllje të seances së sotme plenare përshëndeti miratimin nga Kuvendi i Kosovës të rezolutës që kërkon lirimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
“Përshëndes rezolutën e sapomiratuar nga parlamenti i Kosovës që kërkon lirimin pa kushte të Haradinaj”, u shpreh Meta në fund të punimeve te seances së sotme.
Me nismën e partisë së Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi në Prishtinë miratoi të enjten një rezolutë që kërkon lirimin e tij.
Përveç lirimit të ish-komandantit të UÇK-së, që po mbahet në Francë që nga fillimi i vitit mbi bazën e një fletë-arresti serb për krime lufte, rezoluta kërkon dhe ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e tij.