Përdorimi i internetit nga të rinjtë ka padyshim nxitje për zhvillim, njohje në fusha të ndryshme ku klikohet për të zgjeruar një material por sigurisht ka dhe anët e errta sidomos kur përdoret nga fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Tendenca e fundit për të hapur adresa e-maili dhe për t’u bërë pjesë e rrjeteve sociale ka bërë që fëmijët të rrezikohen nëpërmjet angazhimit të tyre në këto linja, deklaron Policia e Tiranës, e cila vë alarmin se është rritur numri i denoncimeve nga prindërit për shkak të problemeve nga interneti.
Rreziku fillon që në aspektin e përqëndrimit ndaj mësimeve, krijimin e njohjeve të reja në rrjetet sociale, komunikim me shokët ose shoqen e klasës, të cilët mund t’i keqpërdorin fotot që ju kanë dërguar në shënjë besimi kur kanë qenë në vazhdim të një lidhje mes tyre.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës kanë ardhur denoncime të shumta lidhur me fenomenin e Bulizmit që nënkupton sharjet, fyerjet, poshtërimin, kërcënimin, shantazhin, vënien në lojë si dhe keqpërdorimi i fotove në rrjetet sociale.
Këto raste kanë lënë gjurmë tek fëmija që bie viktimë duke krijuar tek ai shenja depresioni që arrijnë deri në mendimin për një vetëvrasje të mundshme.
Specialistë të Krimit Kompjuterik si dhe psikologë të këtij institucioni vënë në pah se këto aspekte janë pjesë e përgjejësisë prindërore si dhe të mësuesve, lidhur me kontrollin në mënyrë të vazhdueshme në internet nga fëmija i tij.
Prindërit shpenzojnë shumë para për blerjen e aparateve celularë të shtrenjtë duke ia dhuruar fëmijës së tyre gjë e cila nuk është e këshillueshme për keto grup mosha pasi vetë ata nuk marrin masa për kufizimin e tyre në internet.
Psikologët pohojnë se nuk është e nevojshme që një fëmijë nën moshën 16 vjeç të përdorë adresa të ndryshme dhe të lihet i lirë për të vepruar, pasi mund të rrezikohet nga shumë faktorë siç janë edhe rastet e pedofilëve.