Koço Kokëdhima: Dy dekada pas marsit 1997 Edi Rama zhyti vendin në tragjedi

0
362

Ish –deputeti socialist, Koço Kokëdhima i quan arnime ndryshimet në qeveri. Arnime, që sipas tij, nuk do t’i japin asesi zgjidhje situatës delikate politike dhe nuk do të garantojnë zgjedhje të ndershme. Sepse për të garantuar zgjedhjet të pakontestueshme “Shqipërisë dhe Partisë Socialiste, në këto pak javë që na ndajnë nga zgjedhjet, nuk i nevojiten ministra të rinj, por rregulla të reja loje”, shprehet ai në një shkrim të botuar në të përditshmen Panorama.

Kokëdhima ka lëshuar sërish kritika të forta ndaj kryeministrit Rama dhe mënyrë së marrjes së vendimeve. Ai thotë se Rama e konsideron qeverinë si pronë dhe si sekt, vendos pa marrë mendimin e socialistëve dhe as nuk denjon të japë shpjegime.

“Kjo qeveri trajtohet si pronë e një personi dhe e një grushti të vogël njerëzish dhe lidershipi nuk denjon të japë sqarime për arsyet e vërteta të këtyre lëvizjeve, edhe pse anëtarët dhe militantët e PS-së kanë nevojë dhe të drejtë që të sqarohen. Një lidership serioz partie nuk mund të shkojë te militantët vetëm kur ka interes t’u lypë votën dhe t’i injorojë ata për lëvizjet e rëndësishme strategjike e politike që ndërmerr në emër të partisë… Partia Socialiste nuk është sekt. Vendimet nuk mund të dalin vetëm nga mendja e një njeriu”, shkruan Kokëdhima.

Në shkrimin e tij Kokëdhima artikulon akuza të ashpra edhe për ish –ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e bërë përgjegjës të drejtpërdrejtë për kriminalizimin e policisë dhe kanabizimin e vendit. Ai thotë se pasuesi i Tahirit duhet të shkarkojë të gjithë zyrtarët e policisë në qarqet e vendit që janë evidentuar si të lidhur me mavien e kanabisit.

“Pas largimit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, njeri thellësisht politik dhe i përlyer në inkriminimin e Policisë së Shtetit në kanabizimin e vendit dhe në pasojat që do të ketë krimi i lidhur me këtë trafik në zgjedhjet e ardhshme, zëvendësi duhet të jetë një figurë me integritet, i papërlyer dhe që të ofrojë garanci të plota për një regjistër të pastër dhe të besueshëm zgjedhësish dhe një Polici Shteti që do të jetë gardiane e një procesi të qetë dhe të lirë zgjedhor. Kërkesa e parë e ministrit të ri të brendshëm duhet të jetë shkarkimi i të gjithë zyrtarëve të policisë në qarqet e vendit, të evidentuar të lidhur me mafien e kanabisit, që u bënë vjet protektorët dhe përfituesit e 20-30 për qind të vlerës së prodhimit të drogës në të gjithë territorin e vendit, duke ja nxirë faqen vendit dhe Partsë Socialiste përpara gjithë botës.  Zëvendësimi me një tjetër Saimir Tahir do të ishte një lojë e rrezikshme me integritetin e procesit zgjedhor. Me këtë nuk them se Shqipëria do të sfidojë demokracitë perëndimore me cilësinë dhe standardet e zgjedhjeve. Fatkeqësisht, ato do të jenë sërish të molepsura dhe të ndotura, ashtu siç kanë qenë zgjedhjet shqiptare prej mëse dy dekadash e gjysëm. Mafia e drogës, që ka sot një fuqi financiare të pakrahasueshme dhe është në gjendje të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucionet e tjera të vendit do të rrezikojë seriozisht edhe zgjedhjet parlamentare dhe milionat e fituara nga droga do të përdoren për të blerë votat e popullit të skamur”.

Arrnimet – shkruan Kokëdhima – nuk do të mund ta kënaqin opozitën, pasi ajo kërkon vetëm kokën e Edi Ramës, si garanci se zgjedhjet do të jenë të drejta, të lira e të ndershme.

“Nuk besoj se arnimet në kabinetin qeveritar do të kënaqin opozitën që proteston prej tre javësh në bulevard, ashtu siç nuk besoj se nesër, pasi qeveria e rë të marrë bekimin e presidentit, opozita do të mbledhë plaçkat dhe do të ndërpresë protestën. Ajo kërkon krijimin e një qeverie teknike, pa Edi Ramën kryeministër dhe garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Pa plotësimin e këtyre dy kushteve nuk besoj se Lulzim Basha do të ikte nga “Çadra e lirisë”, të cilën e ka kthyer në një “toën hall” bulevardesk, ku u shpjegon qytetarëve, se si do të qeverisë ai kur të jetë te ajo zyra përballë, lart në katin e dytë të kryeministrisë. Largimi si kënaqje me shkarkimin e ministrave Tahiri, Beqja, Çuçi dhe Klosi, do të ishte vdekja e tij politike në një parti ku ai u çua të drejtonte me zgjedhje me vendim të paracaktuar dhe ku këto gati katër vite shumëkush në selinë blu ka fërkuar duart jo aq për ikjen e zërit të tij në protesta, sesa për moskontrollin e partisë, edhe pse nga pas ka patur mbështetjen e fortë të mentorit të tij, Berisha. Opozita mund të garantohet në shqetësimin e saj të drejtë dhe legjitim për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Në këtë situatë dhe me këto arrnime, që sipas Kokëdhimës sërish nuk garantohen zgjedhjet e lira, ish –deputeti socialist propozon shtyrjen e zgjedhjeve për në tetor, për të mundësuar votimin dhe numërimin elektronik.

“Ne po shkojmë drejt atyre zgjedhjeve me një kod zgjedhor që favorizon dy partitë e mëdha dhe që masakron partitë e vogla. Nuk është vonë për të menduar një shtyrje të mbajtjes së zgjedhjeve të dekretuara nga presidenti në 18 qershor. Tetori mund të ishte një periudhë e përshtatshme. Kështu u japim kohë gjithë atyre që pas tre vitesh zvarritje thanë se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të ndërhyrë në Kod, për të mundësuar votimin dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit. Mendoj se kjo është një mundësi që nuk duhet hedhur poshtë. Sidomos nga OSBE-ja. Prezenca e saj në Shqipëri, për fat të keq, nuk i ka bërë zgjedhjet tona, as më të mira, as më të lira. Shumë ambasadorë të saj janë ndërruar, por jo sjellja e saj ndaj proceseve të shëmtuara zgjedhore që vetëm në Shqipëri kryhen dhe çertifikohen më pas nga zyra e OSBE/ODIHR-it. Ambasadori aktual i OSBE-së, Bernd Borchardt ishte ambasador i Gjermanisë në Shqipëri kur u bënë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, pas të cilave nisi kriza parlamentare, protesta e opozitës së majtë me kërkesën për hapjen e kutive dhe më pas greva e urisë në po atë vend ku sot ngrihet “çadra e lirisë”. Z.ambasador është shprehur pak javë më parë se nuk ka kohë për votim dhe numërim elektronik, duke iu bashkuar qeverisë që kërkon ta bëjë edhe kësaj radhe, si gjithnjë, pis procesin zgjedhor, ku populli voton dhe kryetarët e dy partive të mëdha ndajnë me komisionerët e tyre, si trofe lufte, votën e sovranit. Nëse në Gjermaninë e z.Borchardt kjo as nuk imagjinohet, përse te ne kjo maskaradë duhet të vijojë, madje me konsensusin e plotë të OSBE-së, me justifikimin se nuk ka kohë? Me pak vullnet dhe trysni të huaj, mbajtja e zgjedhjeve në tetor 2017 do të krijonte kushtet e plota kohore që Shqipërisë më në fund t’i mundësohej votimi/numërimi elektronik në qendrat e votimit, pa komisionerë partiakë, që shqyejnë votat si copa mishi, por me një administratë shtetërore të papolitizuar. Prandaj i vetmi vendim kolegjial i drejtë, i zgjuar dhe i paqmë që mund të marrë në këto çaste partia jonë përtej ndryshimit të ministrave, është reforma e sistemit zgjedhor dhe pastrimi përfundimtar i zgjedhjeve. Për këtë është e domosdoshme minimalisht që të vendoset një administratë zgjedhore jopartiake, por shtetërore, jo gjysmake siç e parathotë thirrja e KQZ-së dje për të mbushur vendet e opozitës në KZAZ, me përfaqësues jopartiakë, kur mes tyre do të jenë përfaqësuesit e PS-së. Zgjedhjeve shqiptare u duhet minimalisht identifikimi elektronik i votuesit, printim elektronik i fletës së votimit, numërimi elektronik dhe administrata zgjedhore jo partiake”.

Kokëdhima thotë se “dy dekada pas marsit 1997 që zhyti vendin në tragjedi dhe ktheu mbrapsht orën e Shqipërisë, hija e kaosit politik, me pasoja po aq të rënda si atëherë, qëndron mbi kokën e shqiptarëve”. sipas tij, politika po vazhdon të konfrontohet kokë më kokë duke lënë jashtë fokusit interesin e qytetarëve dhe të vendit, pasi kërkon me çdo kusht fitoren e pushtetit, çka është strumbullari i të këqijave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here