Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka bërë të ditur sot se i ka kërkuar KQZ-së, heqjen e mandatit edhe për 2 kryebashkiakë të tjerë, duke zbuluar emrat e Artur Zotkajt dhe të Tërmet Peçit, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
“I kemi kërkuar KQZ-së t’i hiqet mandati, dy kryebashkiakëve, – tha ai, – kreut të bashkisë së Poliçanit, Artur Zotkaj dhe atij të Tepelenës, Tërmet Peçit. Ka nisur një procedim për falsifikim dokumentash. Dekriminalizimi duhet të zbatohet para zgjedhjeve.”
Deklarata u bë nga Gjirokastra, ku Llalla po zhvillon analizën vjetore të Prokurorisë së Gjirokastrës.
Llalla sqaroi se KQZ-së i janë dërguar vendimet për ndërprerjen e mandatit për Zotkajn dhe Peçin, pasi rezulton se nuk kanë deklaruar dënime që përfshihen në sferën e ndalimit për ushtrimin e funksionit.