Leuçemia është një kancer i qelizave të gjakut, e cila e merr zanafillën e saj në palcën e kockës, e cila gjendet brenda kockave të njeriut. Duhet të kemi parasysh se është pikërisht palca jonë e kockave, vendi ku prodhohen qelizat përbërëse të gjakut tek njeriu. Në palcën e kockës gjenden qelizat totipotenciale, që quhen edhe qelizat staminale nga e cila marrin origjinën të gjitha qelizat e gjakut.
Leuçemia ndodh pikërisht kur një qelize staminale hematopoietike pëson “transformim” malinj si pasojë e mutacioneve gjenetike të ndryshme që ndodhin në AND-në e saj, duke u kthyer në një qelizë primitive, të padiferencuar me një jetëgjatësi jonormale. Pra, palca e kockës fillon të prodhojë qeliza jonormale, të cilat quhen qeliza leuçemike, të cilat nuk funksionojnë normalisht dhe që kanë një rritje e zhvillim më të shpejtë se ai i qelizave normale dhe nuk u binden sinjaleve të frenimit të rritjes. Kjo sjell që në mënyrë graduale këto qeliza të përfshijnë thuajse krejt palcën kockore, duke penguar e frenuar qelizat normale të palcës. Kjo sjell probleme të mëdha e mjaft pasoja të rëndësishme për shëndetin e jetën e individit, pasi shoqërohet me anemi, hemorragji dhe infeksione të ndryshme.
Qelizat leuçemike mund të infiltrojnë organe dhe zona të ndryshme të organizmit tonë duke përfshirë mëlçinë, shpretkën, limfonodujt, trurin, veshkat dhe gonadet. Në vendin tonë incidenca e leuçemive varion në 3 deri 5 raste të reja në 100 mijë banorë. Pra, përafërsisht kemi afro 400 raste të reja me leuçemi në vit, ndërkohë që nga të dhënat statistikore në UK ka afro 9.540 raste të reja në vit dhe në Evropë janë afro 82.300 raste të reja të raportuara në vitin 2012.
Çfarë e shkakton leuçeminë?
Ekspertët mbarëbotërorë ende nuk e dinë saktësisht se çfarë e shkakton leuçeminë, por mendohet së është një kombinim faktorësh gjenetike dhe ambientalë. Ka mjaft faktorë që mund të rrisin riskun për të zhvilluar leuçemi, si për shembull faktori gjenetik (Sindromi Down shoqërohet me një risk të lartë për leuçemi). Po ashtu faktorët ambientalë, kimiopreparatet, rrezatimi, kimikatet e ndryshme në punë, benzeni, pesticidet e rrisin riskun për leuçemi. Është parë se duhanpirja shton riskun për të zhvilluar leuçemi akute mieloblastike. Por nuk përjashtohen edhe rastet me histori familjare për leuçemi. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se ka shumë individë që kanë këto faktorë të riskut dhe nuk zhvillojnë leuçemi, sikundër ka edhe pacientë me leuçemi që nuk kanë pasur këto faktorë risku.
Cilat janë grupmoshat më të prekura?
Leuçemia është shumë e lidhur me moshën me incidencë më të lartë në meshkujt e femrat e moshuara. Afro 50% e leuçemive diagnostikohen në pacientë me moshë mbi 70 vjeç. Incidencë specifike lidhur me moshën ulet gradualisht në moshën 0- 4 vjeç, duke qëndruar thuajse e pandryshuar deri në moshën e adoleshencës dhe të adultit të ri. Incidenca fillon të rritet menjëherë, duke filluar nga mosha 40-49 vjeç e lart dhe arrin pikun në moshat 80-89 vjeç te meshkujt dhe +90 vjeç te femrat.
Cilat janë shenjat që shfaq leuçemia?
Këto mund të shfaqen disa ditë deri në disa javë para se të vendoset diagnoza e leuçemisë. Dhe një hematopoiezë e çrregulluar sjell shenjat që hasen më zakonisht dhe që janë anemia, infeksionet e përsëritura dhe hemorragjia apo tendenca e shtuar për gjakosje. Ka edhe shenja të tjera, të cilat nuk janë specifike për leuçemitë, si për shembull: zbehja, lodhja, të ndjerit i sëmurë, rënia në peshë, takikardia dhe dhimbjet në gjoks, të cilat vijnë zakonisht nga anemia dhe gjendja hipermetabolike që paraqet pacienti. Pacienti mund të paraqitet me temperaturë, të cilës jo gjithnjë i gjendet shkaku edhe pse granulocitopenia është shkaku i shumë infeksioneve që mund të jenë edhe fatale për jetën e pacientit.
Pacienti mund të prezantohet me njolla hemorragjike në lëkurë (petekie, ekimoza), por edhe me epistaksis, gjak nga mishrat e dhëmbëve apo me çrregullime të ciklit menstrual. Ndërkohë hemorragjia gastrointestinale apo ajo e traktit urinar është e pazakontë. Infiltrimi i palcës kockore me qelizat leuçemike sjell dhimbje të fortë, atë të kockave, sidomos të fëmijët dhe veçanërisht tek ata me Leuçoze akute limfoblastike. Po ashtu, pacientët mund të prezantohen edhe me dhimbje të kokës, të vjella si pasojë e meningitit leuçemik të shkaktuar nga infiltrimi i sistemit nervor qendror me qelizat leuçemike. Infiltrimet ekstramedulare me qeliza leuçemike mund të sjellin zmadhim të limfonodujve, zmadhim me shpretkës dhe të mëlçisë e madje edhe infiltrim të lëkurës, duke dhënë leuçemia cutis. Hipertrofia gingivale është po ashtu një shfaqje e infiltrimeve ekstramedulare dhe është tipike e leuçemisë akute mieloblastike.
Kur duhet të drejtohemi tek mjeku?
Çdo njeri duhet të adresohet tek mjeku i familjes për kontaktin e parë, nëse ai paraqet apo ka vënë re tek vetja një gjëndër të rritur në qafë, gjakrrjedhje nga hundët apo nga mishrat e dhëmbëve, ka njolla hemorragjike në lëkurë apo ka një cikël menstrual të zgjatur e të rëndë, kur ka temperaturë të shpeshtë, djersë natën, rënie të papritur të oreksit dhe rënie në peshë, rëndim në anën e majtë të barkut apo kur ndjehet i lodhur pa shkak. Më pas mjeku i familjes e vlerëson situatën në mënyrë korrekte, duke i dhënë të bëjë analiza dhe më pas e dërgon tek specialist përkatës, që është hematologu.
Dr. Adela Perrolla/ Mjeke hematologe në Shërbimin e Hematologjisë, QSUT