“Mos fut 3 lojtarë!”/ Duro zbulon mesazhin e marrë para Kukësit

0
251

Mos aktivizoni tre lojtarë, do të tolerojnë ndaj Kukësit”. Ky është mesazhi që ka ardhur në drejtim të trajnerit të Flamurtarit, Shpëtim Duro, para ndeshjes me kryesuesit dy javë më parë. Vetë Duro e ka zbuluar një fakt të tillë në një bisedë për televizionin lokal “6+1 Vlora”. Trajneri ka rrëfyer gjithçka, duke iu përgjigjur me batutë edhe zërave kritikë: “Unë nuk kam ardhur për bukurosh në Vlorë. Ka shumë të tillë këtu. Mbaj një përgjegjësi profesionale…”

 

Zoti Duro, çfarë pengu keni nga ndeshja me Partizanin?
Ishim përgatitur që të merrnim diçka nga kjo ndeshje. Edhe barazimi do të ishte një rezultat pozitiv. Keqardhja e vetme është vetëm fillimi i lojës, pasi ta nisësh ndeshjen me rezultatin 2-0 është një faktor moral i jashtëzakonshëm për kundërshtarin. Në ato 10 minuta lojë kam mbetur i befasuar për mënyrën e marrjes së golave, sidomos tek i pari. Duke ditur aftësitë dhe vlerat e lojtarëve të Partizanit, i kisha marrë masat dhe më erdhi keq që goli i parë u pësua në atë mënyrë. Megjithatë, u ngushëllova pak, pasi gjatë zhvillimit të ndeshjes skuadra pati rritje në lojë dhe mund të kishim marrë një barazim.

Skuadra është në një situatë të vështirë sa u përket pikëve, cilët shikoni si rivalë direkt të Flamurtarit për mbijetesën?
Kjo javë pati surpriza. Luftëtari mund të them e ka siguruar mbijetesën pas fitores në Durrës, por edhe Vllaznia. Mendoj se jemi në luftë me Laçin dhe Teutën. Për ne është shumë e rëndësishme ndeshja me Laçin. Pa diskutim që duam fitoren, por edhe barazimi nuk është keq. Unë kam nisur të punoj me skuadrën në aspektin psikologjik. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, por unë kam besim te skuadra. Ky besim më shtohet nga prezenca e sulmuesit kryesor, Tomislav Bushiç. Unë jap fjalën që, nëse ne e kalojmë pozitivisht Laçin, qëndrojmë në elitë.

Cili është lojtari që shikoni si pikë kyçe në ekip?
Kemi disa lojtarë që bëjnë diferencën, por Bushiç është një ndër pikat kryesore të Flamurtarit. Ai është sulmuesi ynë kryesor, siç mund të themi për Ekubanin që ka Partizani apo Pejiçin te Kukësi.

Keni frikë nga aleancat në këto ndeshje të mbetura?
Natyrisht që në futbollin shqiptar është rreziku i aleancave. Është e pashmangshme të mos ketë aleanca. Megjithatë, humbja e Teutës ishte pozitive në këtë aspekt, pasi futen tri skuadra në lojë. Ka një konkurrencë tani për mbijetesë dhe do të vazhdojmë deri në fund.

Flitet se ka një bashkëpunim në aksin Shkodër-Laç-Korçë. Keni ndonjë koment?
Nuk ia vlen që këtë ta diskutosh, pasi e keni parë shumë mirë në këto ndeshjet e fundit që nuk ka dalë realiteti ashtu siç është. U fol edhe për ndeshjen tonë me Kukësin. Më kanë ardhur në vesh shumë gjëra.

Çfarë ju kanë thënë për ndeshjen me Kukësin?
Unë në karrierën time nuk kam dyshuar asnjëherë te futbollistët e mi. Sepse po arriti trajneri të dyshojë te një futbollist duhet ta largojë që të nesërmen, jo ta mbajë në skuadër. Aty përfundon puna me trajnerin.

A mund të na thoni më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë?
Po e zbuloj publikisht tani një fakt. Në ndeshjen me Kukësin më kanë ardhur mesazhe që të mos fusja tre lojtarë. Fati im është që unë nuk e kam hapur fare mesazhin, por për të shuar kuriozitetin, e bëra pas ndeshjes me Kukësin. Mesazhet më kanë ardhur më 3 mars dhe ndeshja u zhvillua më 5 mars. Por, ata lojtarë që shikoja në telegram, fatmirësisht ishin më të mirët në ndeshjen me Kukësin.

Mund të na i përmendi emrat?
Nuk ka rëndësi tani. Ajo që unë dua të them me këtë është se gjëra të tilla ndodhin, por trajneri nuk duhet të hyjë në situatë mosbesimi, pasi prishet gjithçka. Nëse ajo ndeshje nuk do dilte ashtu siç doli, do të fillonin të flisnin pastaj.

Në fakt, shumë u fol për një aleancë mes Kukësit dhe Tiranës, por nuk u hap asnjë hetim. Keni një koment për këtë?
Këto janë aleanca që ndodhin në mënyrë të pashmangshme. Tirana kishte interes të futej në Kupë, ndërsa Kukësi të merrte tri pikët. Këto janë gjëra që ndodhin, nuk ke çfarë t’u bësh.

Të flasim pak për skuadrën, a vlejnë lojtarët e ardhur në merkaton e janarit?
Mund të them se lojtarët që kanë ardhur në merakaton e janarit nuk bëjnë diferencën.

Në gjykimin tuaj, çfarë nuk ka shkuar te Flamurtari?
E kam marrë në një situatë, që e kam thënë që në ditën e parë të prezantimit tim, që nuk është pozitive. Jam shumë përgjegjës në punën time, pasi dua të bëj diçka për Flamurtarin. Objektivi minimal është qëndrimi në Superiore. Situata është e vështirë dhe do të jetë luftë deri në momentet e fundit. Nuk është problemi se ke financa dhe u bë skuadra e mirë. Problemi është mënyra e menaxhimit. Unë shikoj sot te Flamurtari që dy futbollistë e kanë pagën katërfish më pak se një i huaj, por janë më të mirë se ky i fundit. Më mirë merr dy lojtarë që të bëjnë diferencën se sa pesë të tillë. Unë shoh aty futbollistë që kanë ardhur me shumë financa dhe nuk i aktivizoj dot në fushë. Për këtë më vjen keq edhe për presidentin.

Keni ndonjë koment rreth deklaratave se ju shpesh justifikoheni me faktin se nuk e keni ndërtuar vetë këtë Flamurtar…?
Unë nuk kam ardhur në Vlorë për bukurosh. Ka shumë bukuroshë dhe kinga në Vlorë. Unë mbaj një përgjegjësi profesionale, pasi Vlora ka figura të shquara të futbollit që më kanë mirëpritur dhe kam ardhur të bëj maksimumin. Por, është ndryshe kur trajneri e merr skuadrën dhe e ndërton vetë dhe ka objektiva të qarta para. Unë e kam marrë në këtë situatë dhe ky është realiteti. Jam shumë i ngarkuar dhe e vuaj shumë si çdo trajner punën e tij. Por, Flamurtari është një ngarkesë shumë e madhe. Unë dua që Flamurtari të jetë në nivelin e Partizanit dhe Skënderbeut. Unë i kam ndërtuar ekipet edhe me shumë pak shpenzime. Partizanin e kam ndërtuar me 40% më pak shpenzime se ky ekip aktual.

Jeni i kënaqur me frymën që ekziston në skuadër?
Është një skuadër serioze me djem shumë të mirë. Jam 80% i kënaqur me lojën, me mënyrën e ndeshjeve, por duhet të kemi ekuilibër nga momenti i parë deri në momentet e fundit. Kam qenë shumë kritik me futbollistët për marrjen e golave, por kam respekt për punën që po bëjnë në stërvitje.

Nëse e kaloni këtë situatë me sukses, çfarë do të bëni për sezonin tjetër?
Kjo është një dëshirë tjetër që më ka shtyrë më shumë dhe për ta kaluar këtë situatë. Pra, për të filluar një sezon tjetër me objektivat që janë para. Historikisht kam marrë skuadra që kam pasur dëshirë t’i ndërtoj vetë. Të jemi realistë, edhe këtë vit, skuadra ka arritur rezultate të mira, edhe kur kanë qenë trajnerët e tjerë. Por, duhen pikët. Në katër ndeshje kemi marrë dy pikë dhe janë shumë pak. Mund të merrnim më shumë, por realiteti është ky. Edhe ndeshjet i kemi pasur të vështira, por unë e kam thënë që bilancet duhet të bëhen në fund dhe, nëse do ta arrijmë atë objektiv, kjo është pozitive, pasi lufta si për titull kampion dhe për mbijetesë do të jetë e fortë.

Së fundmi, kush mendoni se shpallet këtë vit kampion?
Është një luftë e ashpër për titullin kampion. Të tri skuadrat kanë qenë në ekuilibër. Nuk jam në gjendje të them kush është favorite./panoramsport

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here