Banorët e Batincës në Maqedoni të shqetësuar. A ka kontejnerë me mbetje kimike?

0
168

Banorët e fshatit Batincë të Studeniçanit janë ngritur në këmbë pas një shkrimi të publikuar disa javë më parë në mediat italiane, që shkruanin se kontejnerë me mbetje kimike janë sjellë në deponinë “Drislla” që gjendet në afërsi të fshatit të tyre.

 Ata kërkojnë që ndërmarrja publike “Drislla” dhe institucionet përgjegjëse të prononcohen lidhur me atë se a janë sjellë ose jo siç thuhet 1300 kontejnerët me mbeturina kimike, që nga Italia janë sjellë për tu djegur në këtë deponi, transmeton Gazeta Express.

“Nga frika që na kërcënohet një katastrofë e vërtetë ekologjike, ndërsa sipas shkrimeve në media që në deponinë Drislla duhet të shpërbëhen 1300 konejnerë me mbeturina nga Italia, kërkojmë që përgjegjësit  nga Drislla të na thonë të vërtetën ku kanë përfunduar këto mbeturina”, tha Salem Izberoviç, banor i fshatit.

Sipas banorëve, kjo deponi po ua ndot ajrin dhe ujin, dhe se kjo siç thonë ata ka bërë që shumë të rinj të vdesin nga kanceri. Nga “Drislla” derdhen ujëra të zeza në lumin e Markovës, e që sipas banorëve përbën rrezik tjetër.

“Këtu, kohëve të fundit të gjithë që kanë ndërruar jetë, shkak ka qenë kanceri. Ne dyshojmë që shkaku për këtë është deponia Drislla”, tha Nusret Pashaliq.

Hyrjes në deponi i parapriu një zënkë midis banorëve dhe sigurimit të saj. Pas shprehjes së kërkesave të banorëve, njëri nga udhëheqësit në mungesë të drejtorit priti banorët për të dëgjuar kërkesat e tyre.

Shefket Ibishi, që është udhëheqës reparti në “Drislla” thotë se janë të pavërteta informatat që po qarkullojnë nëpër media se 1300 kontejnerë janë nisur nga Italia me destinacion këtë deponi.

“Absolutisht nuk janë të vërteta. Edhe ne kemi lexuar një gjë të tillë. A e din se sa janë 1400 kamionë me nga 20 tonë!? Zogj të jenë do të hetoheshin, e jo kamionë“, tha ai.

Ministri i Mjedisit Jetësor, Bashkim Ahmeti i pyetur rreth këtij shqetësimi tha se nuk ka asgjë për panikë dhe se ai përgënjeshtron informatat e mediave italiane.

“Nuk ka arsye për panik. Deri në këtë moment nuk ka hyrë asgjë dhe Ministria nuk ka dhënë asnjë leje. Kërkesa ka pasur, por nuk ka përgjigje pozitive. Ne sigurojmë se asnjë materie e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve nuk do të lejohet të hyjë në Maqedoni”, tha Ahmeti.

Portali italian “Pianeta Italia News” dhe gazeta “Roma”, disa javë më parë publikoi storjen duke shkruar për dyshimin e dërgesave me mbetje kimike nga Italia për në Shqipëri dhe Maqedoni. Sipas kësaj medie, 1300 kontejnerë nga Italia janë dërguar edhe në Maqedoni.  E si destinacion përfundimtar është përmendur deponia Drislla, që ndodhet 14 kilometra nga Shkupi dhe që nga viti 2013 ajo është marrë nën koncesion nga kompania italiane “ Ambiente”. Sipas asaj çfarë shkruan media italiane, kontejnerët me mbetje janë zhdukur në doganën e “Qafë Thanës”. Në shkrim shkruhet më tej se përfaqësues të ambasadës së Italisë në Tiranë dhe Shkup, janë bërë pjesë e këtij hetimi, në të cilin Maqedonia është duke bashkëpunuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here