Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli: Tahiri bëri punë të mirë, por kanabisi lulëzoi në Shqipëri
“Zgjedhje pa opozitën në një vend demokratik nuk do ishin efikase”. Ndryshe nga kreu i qeverisë, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli, mendon se zgjedhjet e 18 qershorit nuk bëhen pa PD-në. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Kadeli shpjegon mes të tjerash mosprezencën e tij në Komisionin e Ekonomisë, ku në rend të ditës ishte pikërisht drafti ligjor për ekspertin fiskal. Ai thekson se do ta paraqesë më vonë në komision, pasi do të jetë më i plotë. E për “braktisjen” e PS-në në seancë plenare, ku ishte në votim shkarkimi i Drejtores Ekzekutive të AMF-së, Enkelejda Shehi, Kadeli thekson se, ende si grup parlamentar, nuk janë të njohur me arsyet e shkarkimit. Duke komentuar lëvizjet e fundit në qeveri, sidomos tek “lirimi” i Saimir Tahirit, deputeti i LSI-së, vlerëson punën e Tahiri në Policinë e Shtetit, por shton se kanabisi lulëzoi në të gjithë Shqipërinë. Lidhur me komentet e deputetëve të PS-së, që LSI duhet të masë forcën për të marrë qeverisjen e ardhshme, Kadeli përgjigjet se LSI-ja nuk ka asnjë problem të garojë e vetme.
z.Kadeli, në Komisionin e Ekonomisë, ku ju do të prezantonit draftin ligjor për ekspertin fiskal të depozituar prej jush, për kreun e këtij komisioni, z.Braçe, mosprezenca juaj rrezikon dhe shqyrtimin e draftit, ku ju është kërkuar përmes medias që ta tërhiqni draftin . Cila është rruga që do të ndiqni?
Pas disa shqetësimeve të shfaqura nga biznesi në përgjithësi dhe Shoqata e Ekspertëve Kontabël, do ta rishikojmë duke rakorduar me këto grupe interesi në mënyrë që ligji të jetë më i plotë dhe të mos cenojë interesat e askujt, por të jetë dobiprurës për biznesin pasi ky ka qenë qëllimi i vetëm i tij. Mungesa e informacionit nga ana e biznesit ka bërë që të ketë reagime, të cilat do të konsultohen dhe në kohë të mëvonshme, ku do të paraqitet më i plotë në komision.
Javën e kaluar Kuvendi shkarkoi nga detyra Drejtoren Ekzekutive të AMF-së, Enkelejda Shehi me 55 vota pro dhe 20 kundër. LSI bëri opozitën duke votuar kundër, edhe pse një votim i fshehtë, ku LSI votoi kundër socialistëve. A vuri në provë edhe njëherë debatin mbi numrat e maxhorancës aktuale?
E kam shpjeguar edhe më herët se ne si grup parlamentar nuk kemi jemi të bindur akoma mbi arsyet e shkarkimit pasi ky institucion financiar është shumë i rëndësishëm dhe lëvizje të tilla të parekoduara ndikojnë negativisht në punën e tij. Numrat janë legal dhe nëse do të ishte kundër LSI-ja nuk do të kishim qeverisje. Maxhoranca PS dhe LSI-ja, vazhdojnë normalisht si dy forca politike të majta, të cilat kanë programin e vetë secila dhe kanë për qëllim zbatimin e tij.
Si i komentoi qëndrimin e Kryeministrit mbi “lirimin” e ministrave nga posti, për t’i shërbyer PS-në për zgjedhjet e 18 qershorit? Për ju pse u shkarkua Tahiri?
Është në tagrin e Kryeministrit zëvendësimi i ministrave sa herë ai e shikon të arsyeshme pa bërë publik arsyet. Kryeministri ka përgjegjësinë e plotë për qeverisjen dhe si i tillë ndërmerr hapa të tillë. Tahiri ka bërë punë të mirë në reformimin e policisë, pavarësisht se kanabisi lulëzoi në të gjithë Shqipërinë shumë shpejt, por kjo mund të shpjegohet me reformimin e policisë dhe paaftësitë e drejtuesve të rinj, të cilët kërkuan kohë të ambientoheshin me detyrat e tyre.
Për Saimir Tahirin, në artikuj të ndryshëm në media, u shkruajt se shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Brendshëm e kërkoi z.Meta. Është lëvizje e LSI-së, shkarkimi i Tahirit?
Numrat e qeverisjes janë së bashku, në të kundërt do të kishim rënë komplet qeverisja dhe jo vetëm një ministër LSI-ja ka bërë ndryshme edhe më parë dhe është normale që ministrat të largohen apo zëvendësohen sipas situatave dhe nevojës së përmirësimit të qeverisjes.
Do të votojë në Kuvend LSI për mandatin e ministrave të rinj? Si e shihni qëndrimin e Presidentit Nishani që i bën thirrje Kuvendit për mosvotimin e z.Xhafaj, si ministër të Brendshëm?
Pa diskutim që do i votojë të gjithë ministrat, të gjithë deputetët e Kuvendit përfshirë edhe ministrat e dekretuar që kanë plotësuar formularin e dekriminalizimit dhe për sa kohë janë të pastër. Nuk ka asnjë arsye të hamendësojmë apo të besojmë shpifje apo sajesa në prag të emërimit të një ministri. Presidenti veproi sipas kushtetutës dhe kuvendi do të bëj të njëjtën gjë.
Mesazhi i ministrit Vasili për zyrtarët e LSI-së, ku thuhej nuk duhet të përdoret fjala: “Duam Metën kryeministër”, do ta respektoni, pasi këto ditë edhe është shkelur nga deputetë të LSI-së?
Çdo politikan në karrierë, përfshirë deputetët që kanë ambicien për të qenë sa më të suksesshëm në karrierë. Ilir Meta e ka provuar postin e Kryeministrit dhe dihet nga të gjithë se aftësia, prakticiteti dhe dinamizmi janë aftësi të spikatura të tij. Gjithashtu, çdo forcë politike ka si qëllim marrjen e pushtet për të implementuar programin e saj. LSI-ja ka dëshmuar se është një forcë që merr përditë e më shumë vlerësim nga votuesit shqiptar dhe s’ka si të jetë jashtë ambicies për të qenë forcë e parë në zgjedhjet e 18 qershorit e nëse kjo arrihet padyshim që do të ketë të drejtën e bërjes së qeverisë me Kryeministër z.Meta. Qeveria është marrëdhënie numrash dhe si e tillë besojmë në fitoren e sigurt më 18 qershor te LSI-ja
Ka sinjale për mospjesëmarrjen në këto zgjedhje pa një qeveri teknike. Mendoni se do t’i bënte mirë këtij vendi zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës zyrtare?
Dihet nga kushdo në vend dhe jashtë tij se LSI-ja tashmë ka profilin e saj për frymën e lartë të struktivitetit dhe konsensusit të nevojshëm sidomos për reforma të rëndësishme siç ishte reforma në drejtësi, efektet e të cilave i kalojnë periudhat e një mandati qeverisës, është e domosdoshme të ketë konsensus dhe të jenë të gjithëpranuara që reformat të kenë suksesin e shumëpritur. Nuk besoj se nuk do gjendet zgjidhja pasi zgjedhje pa opozitën në një vend demokratik nuk do ishin efikase. Aty ku nuk ka garë nuk ka as rezultat. Shqipëria e vitit 2017 e ka pjekurinë politike për të ruajtur standardet demokratike sidomos në momentin më të rëndësishëm siç janë zgjedhjet parlamentare.
Deputetë të PS-së janë shprehur se LSI-ja duhet të kandidojë e vetme në zgjedhje për ta zgjidhur z.Meta Kryeministër. Është kjo një matës force apo një betejë se kush siguron numrat për një mandat qeverisës?
Tani në periudhën parazgjedhore, ku parësore për disa individë është vendosja e emrit në listën e kandidatëve sjell edhe çoroditjen politike të radhës. LSI-ja nuk ka asnjë problem të garojë e vetme por duhen bërë mirë llogaritë, para se të mendojmë për vete apo për subjektet tona duhet të mendojmë për qytetarët shqiptarë sidomos elektoratin e majtë, i cili humbet nga ndarja e dy forcave, nëse hyjmë të ndarë në zgjedhje. Kështu që pavarësisht disa zërave kundër apo disa veprimeve të njëanshme të PS-së, herë pas here unë mendoj se koha ka treguar se, kur dy forcat garojnë bashkë mund të kenë rezultat pozitiv të dyja, në të kundërt të dyja dobësohen dhe përfiton më shumë opozita apo subjekte të vogla të cilat po shfaqen përditë si kërpudhat në këtë demokraci akoma të brishtë në Shqipëri.