“Le të zotohemi bashkë se Fatmir Xhafaj nuk do ta kalojë pragun e Ministrisë së Brendshme, përveçse mbi trupat tanë”, pati kërcënuar Lulzim Basha në ditën e 28 të protestës.
Ka kaluar pothuaj një javë nga këcënimi që bëri kryetari demokrat. Të enjten Fatmir Xhafa pasi kaloi pragun e presidencës pritet të kalojë një tjetër prag, atë të Parlamentit. Nënkryetari demorkat Edi Paloka përdor gjuhë më të zbutur se ajo e Lulzim Bashës për fatin e ministrit të ri të Brendshëm.
“Rrëzimi i Xhafajt është bërë moralisht. Sado të zerë postin e tij si ministër ai është i rrëzuar nga i gjithë opinioni shqiptar dhe kur je i rrëzuar moralisht mund të nënshkruash letra sa të duash, por nuk kanë vlerë”,- deklaron Paloka për “BalkanWeb”.
Protesta e opozitës ka hyrë në ditën e 33 -të saj dhe nga Edi Rama nuk ka mbërritur sinjali që demokratët presin. Numri dy i Partisë Demokratike bën një parashikim krejt të ndryshëm nga kryeministri. Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë dhe nëse një skenar i tillë ndodh, opozita nuk do të lejojë mbajtjen e tyre, paralajmëron nënkryetari demokrat.
“Nuk do shkohet në zgjedhje pa PD. Ne kemi deklaruar se s’do ketë zgjedhje me Edi Ramën dhe pa PD. Çdo proces zgjedhor me Edi Ramën kryeministër do ishte proces fars. Në 18 qershor ta ngulisë mirë kushdo, jo se PD nuk do marrë pjesë në zgjedhje, por në Shqipëri më 18 qershor me ketë qeveri nuk do ketë proces zgjedhor. Ta harrojë Edi Rama dhe kushdo tjetër që mendon se mund të bejë një proces fars apo fallco. Do zhvillohen zgjedhje dhe pa Edi Ramën, me kushte të tilla që shqiptarëve tu krijojmë besueshmëri dhe absolutisht, nuk themi të jenë perfekte por të kenë një garanci që shqiptarët të jenë të bindur që vota e tyre të shkojë aty ku ata e hedhin. Edi Rama të shohë ëndrra, ai është në rolin e gomarit që po e hante ujku dhe gomari përsëriste se jam në ëndërr. Edi Rama në ketë pozicion është sot, që kujton se është në ëndërr dhe çadra është aty për t’i krijuar sfond muzikor në zyrë, ta dijë që i vetmi sfond që do ketë po vijoi kështu do jetë muzikë funebre”, thekson Paloka.