Kushtetuesja zbardh vendimin për Elvis Rroshin. Ja sa kohë ka presidenti Nishani të dekretojë zgjedhjet në Kavajë

0
188

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin për shkarkimin e Elvis Roshit nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës.

Në vendimin prej 11 faqesh, argumentohet se përse vendimi i KQZ-së dhe ai i Këshillit të Ministrave për shkarkimin është kushtetues.

Në vendim mësohet gjithashtu se votimi kundër Roshit ka qenë 8-0. Sipas Kushtetutës, Presidenti Nishani ka tani 48 orë kohë të dekretuar datën e zgjedhjeve në Kavajë, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Vendim nr. 24 datë 23.03.2017

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Bashkim Dedja, Kryetar, Vladimir Kristo, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Besnik Imeraj, Fatos Lulo, Gani Dizdari, anëtarë, me sekretare Edmira Babaj, në datat 28.02.2017 dhe 07.03.2017 mori në shqyrtim në seancë plenare, me dyer të hapura, çështjen me nr. 4 Akti, që u përket palëve:

KËRKUES: ELVIS RROSHI, përfaqësuar nga z. Theodhori Sollaku dhe z. Viktor Gumi, me prokurë.

SUBJEKTE TË INTERESUARA:           

KUVENDI I SHQIPËRISË, përfaqësuar me autorizim nga z. Alban Brati.

KËSHILLI I MINISTRAVE, përfaqësuar me autorizim në gjykim nga z. Artur Metani.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE, përfaqësuar me autorizim në gjykim nga zj. Dëshira Pasko.

PROKURORIA E PËRGJITHSHME, përfaqësuar me autorizim në gjykim nga z. Arqile Koça.

 

Objekti: Shfuqizimi i nenit 2/1/a, nenit 2/2, nenit 4, pikat 1, 5, 6 dhe 7, i fjalëve “moszgjedhje” në nenin 10  dhe i shkronjës “d”, neneve 14 dhe neni 15 për funksionarin publik kryetar i bashkisë, i ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

 Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr.952, datë 29.12.2016 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, zoti Elvis Rroshi”.

Shfuqizimi i vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nr.174, datë 29.12.2016 “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik, z. Elvis Rroshi, Kryetar i Bashkisë Kavajë, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Shqyrtimi i kushtetutshmërisë së të gjithë ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

 BAZA LIGJORE:    Nenet 6/1, 29, 115 dhe 134/1/i të Kushtetutës; neni 71, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

GJYKATA KUSHTETUESE,

pasi dëgjoi relatorin e çështjes Gani Dizdari, shqyrtoi pretendimet e kërkuesit, që kërkoi pranimin e kërkesës, parashtrimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Shqipërisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Ministrave, që kërkuan rrëzimin e kërkesës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që ia la në çmim Gjykatës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N:

I

Kërkuesi është zgjedhur kryetar i Bashkisë Kavajë në zgjedhjet vendore të mbajtura në qershor të vitit 2015.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me vendimin nr.174, datë 29.12.2016 (174/2016) “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik, z. Elvis Roshi, Kryetar i Bashkisë Kavajë, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ka vendosur: “Të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, z.Elvis Roshi. Ky vendim i njoftohet menjëherë Kryeministrit për të vijuar me procedurat e parashikuara nga neni 115 i Kushtetutës.”.

Këshilli i Ministrave (KM) në datën 29.12.2016 miratoi vendimin nr.952, datë 29.12.2016 (952/2016) “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, zoti Elvis Roshi”, me të cilin vendosi: “Shkarkimin nga detyra për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, zoti Elvis Roshi.”.

Në datën 09.06.2016 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.4810 ndaj shtetasit Elvis Roshi për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal (KP). Hetimet vazhdojnë ende.

II

5. Kërkuesi i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) sipas objektit të saj, ku ka disa kërkime, të përmbledhura si më poshtë:

5.1.  Në lidhje me shfuqizimin e vendimit të KM-së, kërkuesi pretendon se:

5.1.1.  Vendimi i KM-së për shkarkimin e kërkuesit nuk përmban shkaqe ligjore konkrete, por i referohet vendimit të KQZ-së, ndërkohë që ky i fundit i referohet shkresës së Prokurorisë së Përgjithshme (PP). Sipas kësaj të fundit, mandati i kërkuesit duhet të ndërpritet për shkak të ligjit nr.138/2015, sipas të cilit çdo lloj krimi apo kundërvajtje penale passjell ndalim të ushtrimit të funksionit publik përjetë. Pra, akti i shkarkimit nga ana e KM-së dhe e KQZ-së mbështetet në një ligj antikushtetues, pasi nuk respekton asnjë standard kombëtar dhe ndërkombëtar për kufizimin e të drejtave themelore.

5.1.2.  Vendimi i KM-së ka marrë të mirëqenë ekzistencën e akteve të përmendura në shkresën e PP-së (masa e sigurimit personal dhe dëbimit), duke u dhënë atyre fuqi të plotë provuese. Ndërkohë, as masa e sigurimit personal, as ajo e dëbimit nuk mund të barazohen me fajësinë, e kundërta do të thotë cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë. Po kështu edhe procedimi penal për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve nuk ka përfunduar në ndonjë vendim fajësie apo rezultat tjetër që shkon në favor të vërtetimit të shkeljes së ligjit nga kërkuesi. Edhe ky veprim cenon parimin e prezumimit të pafajësisë.

5.2. Në lidhje me shfuqizimin e vendimit të KQZ-së, kërkuesi pretendon se:

5.2.1.   Vendimi i marrë nga KQZ-ja është tejet i ashpër, për shkak të ashpërsisë së ligjit nr.138/2015 ku ai bazohet, duke e shndërruar pasojën që sjell në një dënim penal, gjë që nuk është në pajtim me përmbajtjen e vetë ligjit nr.138/2015 dhe të Kushtetutës. Dënimi penal parashikohet vetëm në K P për vepra të përfshira në të.

5.2.2.  Vendimi i KQZ-së është antikushtetues, pasi nuk është shoqëruar as me vendimin penal të dhënë nga gjykatat italiane, siç pretendohet nga shkresa e PP-së, as me dekretin e dëbimit të kërkuesit nga autoritetet italiane. Madje këto akte nuk i janë vënë asnjëherë në dijeni kërkuesit. Mosadministrimi në dosje i vendimit penal dhe aktit të dëbimit është shkelje flagrante e ligjit dhe e Kushtetutës, që e bën aktin e shkarkimit të pavlefshëm. E njëjta gjë vlen edhe për masën e ndalimit personal dhe urdhrin e kërkimit ndërkombëtar.

5.2.3.  Vendimi i KQZ-së ka marrë të mirëqenë ekzistencën e akteve, duke u dhënë atyre fuqi të plotë provuese. Ndërkohë, as masa e sigurimit personal, as ajo e dëbimit nuk mund të barazohen me fajësinë, e kundërta do të thotë cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë.

5.3. Në lidhje me shfuqizimin e ligjit nr.138/2015, kërkuesi pretendon se:

5.3.1.  Ligji i kundërshtuar cenon parimin e sigurisë juridike, pasi u jep fuqi prapavepruese veprave të kryera para marrjes së funksionit nga ana e personave që zgjidhen ose emërohen, duke sjellë si pasojë cenimin e pritshmërive të ligjshme. Në momentin e zgjedhjes së kërkuesit kryetar bashkie ndalimet e parashikuara në ligjin nr.138/2015 nuk kanë qenë të parashikuara, pra janë shtuar rastet e ndalimit të marrjes së funksionit pasi ai ka filluar të ushtrojë detyrën. Në këto kushte individi është vënë në pamundësi të shmangies së këtyre ndalimeve shtesë. Për këtë arsye, ky ligj bie ndesh me Kushtetutën dhe KEDNJ-në.

5.3.2. Ligji parashikon se kur verifikohen kushtet për moskandidim ose moszgjedhje mandati shpallet i pavlefshëm. Koncepti i “shpalljes së pavlefshmërisë së mandatit” është i panjohur nga Kushtetuta në pjesën e qeverisjes vendore apo nga ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

5.3.3.   Baza kushtetuese për shkarkimin e kryetarit të bashkisë lidhet vetëm me mënyrën e kryerjes së detyrave dhe zbatimit të detyrimeve ligjore të tij në ushtrimin e mandatit dhe kompetencave të kryetarit të bashkisë dhe nuk i referohet asnjë sjelljeje apo gjendjeje të mëparshme të tij para se të marrë postin. Shkaqet e ndërprerjes së mandatit për organet e qeverisjes vendore janë të parashikuara nenin 115 të Kushtetutës dhe nenet 61 dhe 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.

5.3.4  Ligji nuk respekton asnjë kriter të parimit të proporcionalitetit, të parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës. Veçanërisht balancimi i interesave të prekur dhe atyre të mbrojtur nuk rezulton të jetë respektuar nga ligji objekt kërkese. Ndalimi i pakufizuar, pra përjetë, për të kandiduar është në tejkalim të parimit të proporcionalitetit, pasi është mjaft i ashpër. Si rrjedhim, ky ndalim cenon të drejtën për t’u zgjedhur si e drejtë themelore në një demokraci.

5.3.5.   Neni 2/2 i ligjit nr.138/2015 bie ndesh me nenin 45/3 të Kushtetutës, pasi kapërcen parashikimet e këtij të fundit, duke përfshirë si shkak të mbarimit të mandatit, përveç vendimit gjyqësor të formës së prerë, edhe dënimin me vendim jopërfundimtar, si dhe masat e vendosura për sigurimin personal apo kur ndaj tij është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar, si dhe ata që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë për vepra të parashikuara në ligj. Kjo gjë cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke mosrespektuar parimin e proporcionalitetit dhe atë të hierarkisë së akteve, parashikuar nga neni 116 i Kushtetutës.

6Subjekti i interesuar, Kuvendi i Shqipërisëka parashtruar si vijon:

6.1. Kërkuesi nuk mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese duke e bazuar kërkesën e tij te neni 115 i Kushtetutës, por te neni 131/e i saj. Arsyeja për këtë është se nuk ndodhemi para rastit të shkarkimit të një organi të qeverisjes vendore, por të mbarimit të mandatit për shkak se lidhet me zgjedhshmërinë e kërkuesit dhe jo me shkelje të bëra gjatë detyrës. Vendimi i KM-së është marrë mbi bazë të vendimit të KQZ-së dhe jo për shkak të shkeljeve të kryera nga kërkuesi gjatë ushtrimit të detyrës.

6.2. Lidhur me kërkesën për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit nr.138/2015 jemi të qëndrimit se sanksioni ligjor i parashikuar për përfundimin para kohe të mandatit nuk është sanksion penal dhe respekton tërësisht parimin e proporcionalitetit në kufizimin e një të drejte themelore siç është e drejta për t’u zgjedhur.

7Subjekti i interesuar, Prokuroria e Përgjithshme, ka parashtruar si vijon:

7.1. Nuk qëndron pretendimi i kërkuesit se PP-ja nuk ka kryer hetim të plotë dhe nuk ka administruar vendimet e dënimit. Ky institucion i është drejtuar Zyrës Ndërlidhëse të Italisë nëpërmjet Zyrës Kombëtare Europol, e cila ka konfirmuar dënimin për përdhunim në vitin 1995 dhe lëshimin në të njëjtën ditë  të dekretit për ekspulsë (dëbim). Po kështu, edhe Zyra Ndërlidhëse e Zvicrës ka konfirmuar se në vitin 1993 kërkuesi është ndaluar për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë. Gjithashtu, ai është dëbuar sërish në vitin 1997 nga Zvicra. Po kështu, në vitin 2015 DEA/US ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin shtetasin Enver Roshi (emër i mbajtur dhe i përdorur nga kërkuesi) për trafik droge dhe pastrim parash, por nuk kishin detaje të mëtejshme. Të gjitha këto janë vepra të parashikuara nga neni 2/ 2/b i ligjit nr.138/2015. PP-ja ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim verifikimin e kritereve dhe të kushteve që parashikon ligji nr.138/2015.

7.2. Gjithashtu, institucioni i PP-së ka nisur procedimin penal në ngarkim të shtetasit Elvis Rroshi për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve, parashikuar nga neni 190/1 të KP-së, pasi ai nuk i ka deklaruar vendimet dhe aktet e parashtruara më sipër.

7.3. Nuk qëndron edhe pretendimi se PP-ja nuk i ka vënë në dispozicion kërkuesit kopje të vendimeve dhe akteve të mbledhura gjatë procesit të verifikimit sipas ligjit nr.138/2015. Ky ligj nuk parashikon detyrimin e organeve të verifikimit për t’i njohur subjektet me kopje të akteve të mbledhura.

7.4. Për sa i takon pretendimit të kërkuesit për antikushtetutshmërinë e ligjit nr.138/2015, mendojmë se bazueshmëria e tij në standardet kushtetuese nuk mund të vihet në dyshim as organi i PP-së, as nga kërkuesi. Bazuar në nenin 145/2 të Kushtetutës këtë të drejtë e kanë vetëm gjykatat, të cilat gjatë zbatimit të ligjit mund të pezullojnë çështjen dhe t’ia dërgojnë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese.

8. Subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, ka paraqitur prapësime me shkrim, duke argumentuar si vijon:

8.1. Nuk qëndron pretendimi i kërkuesit se vendimi nr.952/2016 nuk ka respektuar kriteret kushtetuese, pasi nuk është i mbështetur në shkaqe dhe argumente ligjorë. KM-ja, si organ kompetent në bazë të nenit 115 të Kushtetutë, ka konstatuar se kërkuesi kishte kryer shkelje të ligjit, bazuar në ligjin 138/2015, fakt ky i konstatuar nga PP-ja dhe KQZ-ja. Bazuar në këtë konstatim KM-ja vendosi shkarkimin e kërkuesit.

8.2. Nuk qëndron as pretendimi se vendimi i KM-së është një vendim i natyrës penale dhe si i tillë nuk mund të merret në kushtet e mosvërtetimit të faktit. KM-ja si organ i qeverisjes qendrore ka detyrimin të garantojë besimin e publikut te organet publike. Besimi publik i zyrtarit cenohet edhe kur vepra penale është kryer para marrjes së detyrës ose funksionit. Sa më e rëndë të jetë shkelja, aq më i rëndë është cenimi e për rrjedhojë në proporcion me to duhet të jetë edhe masa mbrojtëse për organin përkatës.

9Subjekti i interesuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka parashtruar si vijon:

9.1.  Vendimi i këtij institucioni është marrë në bazë dhe për zbatim të ligjit nr.138/2015. Prokurori i Përgjithshëm, me shkresën nr.2436, datë 11.05.2016, i kërkoi KQZ-së verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të z. Elvis Rroshi. Pas verifikimit PP-ja ia dërgoi rezultatin KQZ-së. Kjo e fundit kreu hetim të plotë administrativ dhe në përfundim të tij vendosi shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të kërkuesit.

9.2. Për sa i takon kushtetutshmërisë së ligjit nr.138/2015, pavarësisht se nuk jemi organ kompetent për ta kërkuar, por nisur nga problemet e hasura gjatë zbatimit të këtij ligji, i sugjerojmë Gjykatës që të ofrojë një interpretim kushtetues të këtij ligji.

III

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese

Për legjitimimin e kërkuesit dhe juridiksionin e Gjykatës

Për kundërshtimin e vendimit nr. 952/2016 të KM-së

Kërkuesi kundërshton vendimin nr.952/2016 të KM-së, duke pretenduar se është shkarkuar nga detyra e kryetarit të Bashkisë Kavajë në mungesë të shkaqeve të parashikuara nga neni 115/1 i Kushtetutës, pasi ai nuk ka kryer sjellje dhe akte që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjin gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se vendimi për shkarkimin nga detyra të organit të qeverisjes vendore është një akt individual i natyrës administrative. Në rastin e shkarkimit nga detyra të organit të qeverisjes vendore, kushtetutbërësi, në mënyrë që t’u japë garanci më të mëdha në ushtrimin e detyrës këtyre organeve, në nenin 115/2 të Kushtetutës ka parashikuar të drejtën e tyre për t’u ankuar drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese, si një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit Gjykata shqyrton drejtpërdrejt vetëm kushtetutshmërinë e akteve me karakter normativ (shih vendimet nr. 67, datë 11.11.2016; nr.32, datë 10.07.2013 të Gjykatës Kushtetuese). Pra, nisur nga praktika e vazhdueshme e kësaj Gjykate, kërkuesi legjitimohet prima facia t’i drejtohet Gjykatës, nëse shkarkohet nga KM-ja për shkelje të ligjit, sipas nenit 115/2 të Kushtetutës.

Lidhur me legjitimimin ratione temporis, bazuar në nenin 115/2 të Kushtetutës, organi i shkarkuar mund të ankohet brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata është shprehur se si datë e fillimit të afatit të ankimit ndaj aktit individual, që cenon të drejtat e personit, do të konsiderohet data e marrjes dijeni nga personi për ekzistencën e aktit, pavarësisht formave të tjera të publikimit (shih vendimin nr.67, datë 11.11.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Rezulton se vendimi i KM-së “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, zoti Elvis Rroshi” është kundërshtuar nga kërkuesi në datën 09.01.2017, pra brenda afatit 15-ditor të parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës. Për këtë arsye kërkuesi legjitimohet ratione temporis për kundërshtimin e vendimit të KM-së.

Për sa i takon legjitimimit ratione materiae Gjykata vëren se KQZ-ja, në zbatim të ligjit nr.138/2015, pas verifikimit të PP-së për funksionarin publik, ka vendosur: “Të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, z.Elvis Roshi. Ky vendim i njoftohet menjëherë Kryeministrit për të vijuar me procedurat e parashikuara nga neni 115 i Kushtetutës.”. KM-ja me vendimin nr.952/2016 vendosi: “Shkarkimin nga detyra për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, zoti Elvis Roshi.”.

Gjykata vlerëson se në rastin konkret nuk ndodhemi para situatës së parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës, sipas të cilit kur në veprimtarinë e organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore konstatohen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve, ai mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga KM-ja, por kemi të bëjmë me veprimin e rregullimeve të reja kushtetuese dhe ligjore lidhur me garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike. Konkretisht, neni 179/a i Kushtetutës parashikon: “Mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, që është fituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara nga e drejta për t’u zgjedhur, sipas neneve 6/1 dhe 45, pika 3, të Kushtetutës.”. Ndërsa nenet 7/1/a dhe 10/1/d të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” parashikojnë se kërkesa për verifikimin e figurës së zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar dorëzohet pranë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila rezultatet e verifikimit ia dërgon KQZ-së. Kjo e fundit kur verifikon kushtet për moskandidim ose moszgjedhje shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të tij.

Nisur nga sa më lart, Gjykata çmon se nuk ndodhet para rastit kur duhet të marrë në shqyrtim kushtetutshmërinë e vendimit të KM-së, pasi vendimi i KM-së nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike për kërkuesin, i cili në momentin e marrjes së këtij vendimi nuk përfaqësonte më asnjë pushtet apo organ të qeverisjes vendore. Mandati i tij ishte shpallur i pavlefshëm dhe kishte përfunduar para kohe si pasojë e vendimmarrjes së KQZ-së, si organi i vetëm që e ka një kompetencë të tillë sipas Kushtetutës dhe ligjit nr.138/2015.

Gjykata vëren se në çështjen konkrete ndërprerja e parakohshme e mandatit të kërkuesit si kryetar i Bashkisë Kavajë nga KQZ-ja ka ardhur pas verifikimit të bërë nga PP-ja lidhur me deklarimet e bëra nga kërkuesi, në bazë dhe për zbatim të ligjit nr.138/2015. PP-ja ka verifikuar dhe konstatuar disa fakte, të cilat parashikohen në nenin 2/2 të ligjit nr.138/2015 si shkaqe për ndërprerjen e mandatit të zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar. Në këto kushte, KQZ-ja ka marrë vendim për përfundimin e parakohshëm të mandatit të kërkuesit. Pra, nuk është KM-ja që de facto dhe de jure i ka dhënë fund mandatit të organit të pushtetit vendor në rastin konkret, por është KQZ-ja dhe për rrjedhojë vetëm kundër vendimit të kësaj të fundit mund të fillojë procedura e ankimit gjyqësor nga kërkuesi në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Një mandat i shpallur i pavlefshëm ose që mbaron para afatit nuk ka nevojë për akte të tjera juridike konstatuese, aq më pak që rezultojnë në shkarkimin e një organi, mandati i të cilit ka përfunduar tashmë.

Gjykata e sheh me vend të theksojë gjithashtu se, në rastin e mbarimit të parakohshëm të mandatit, ligji nr.138/2015 nuk e autorizon KQZ-në që të referojë çështjen te një organ tjetër kushtetues ose ligjor që të fillojë procedurën e shkarkimit të një organi të zgjedhur ose të emëruar, por vetëm e autorizon KQZ-në që të njoftojë KM-në për përfundimin e mandatit të organit të zgjedhur. Për këtë arsye, togfjalëshi i përdorur në pikën 3 të vendimit të KQZ-së “për të vijuar me procedurat e parashikuara nga neni 115 i Kushtetutës” del tej kompetencave të saj.

Gjykata duke vlerësuar rrethanat konkrete të çështjes konstaton se përfundimi i mandatit të kërkuesit si kryetar i Bashkisë Kavajë nuk ka ardhur si pasojë e vendimmarrjes së KM-së, por si pasojë e vendimmarrjes së KQZ-së, bazuar në ligjin nr.138/2015. Për këtë arsye, Gjykata çmon se pretendimet e kërkuesit për kundërshtimin e vendimit të KM-së nuk bien në rrethin e çështjeve të parashikuara nga neni 115 i Kushtetutës dhe si të tilla nuk mund të shqyrtohen nga kjo Gjykatë.

b) Për kundërshtimin e vendimit nr.174/2016 të KQZ-së

Gjykata vlerëson se vendimi i KQZ-së i kundërshtuar nga kërkuesi është një akt administrativ individual dhe si i tillë ai mund t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Bazuar në nenet 131/f dhe 134/1/i të Kushtetutës, individi mund t’i drejtohet kësaj Gjykate me anë të një ankimi individual, nëse pretendon se gjatë shqyrtimit gjyqësor i janë cenuar të drejtat e tij themelore që burojnë nga Kushtetuta, vetëm pas shterimit të këtyre mjeteve. Individi, në kuptim të neneve 131/f, 134/1/i dhe 134/2 të Kushtetutës, mund ta vërë në lëvizje këtë Gjykatë për çështje që lidhen me interesat e tij, kur pretendon se i janë cenuar të drejtat kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike, çka nënkupton se kërkuesi duhet të shfrytëzojë në rrugë normale mjetet juridike, të cilat janë të përshtatshme, të disponueshme dhe efikase për një çështje konkrete (shih vendimet nr.52, datë 20.07.2015; nr.85, datë 30.12.2016 të Gjykatës Kushtetuese).

Nisur nga sa më lart, Gjykata çmon se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike në dispozicion dhe për këtë arsye ai nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate.

c) Për kundërshtimin e ligjit nr.138/2015

Në lidhje me legjitimimin e kërkuesit për kundërshtimin e dispozitave të ligjit nr.138/2015, Gjykata çmon se ai nuk legjitimohet rationae personae. Gjykata thekson se e drejta për të bërë një ankim kushtetues individual, sipas neneve 131/f dhe 134/1/i të Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 71/a të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, mund të ushtrohet vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion dhe vetëm nëse vërtetohet interesi i drejtpërdrejt i kërkuesit, sipas nenit 134/2 të Kushtetutës. Nisur nga parashtrimet e vetë kërkuesit, por edhe të subjekteve të interesuara, Kuvendit, KQZ-së dhe KM-së, Gjykata vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet të kërkojë shfuqizimin e ligjit nr.138/2015. Ai duhet të përdorë mjetet juridike në dispozicion për të kundërshtuar aktet individuale të dala në zbatim të ligjit që ai pretendon si antikushtetues dhe vetëm pasi të ketë shteruar rrugët gjyqësore, nëse kërkuesi pretendon se i janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore, atëherë ai mund t’i drejtohet kësaj Gjykate.

Si përfundim, Gjykata vlerëson se kërkesa e paraqitur nga kërkuesi nuk mund të pranohet, pasi ai nuk legjitimohet për vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për kundërshtimin e vendimit nr.952/2016 të KM-së, të vendimit nr.174/2016 të KQZ-së, si dhe të ligjit nr.138/2015.

 PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/f dhe 134/1/i të Kushtetutës, si dhe të neneve 70 e në vijim të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri

V E N D O S I

Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here