Nga çadra në shesh demokratët kërcënojnë se do të destabilizojnë vendin deri në krijimin e një qeverie teknike. Nga zyra në Kryeministri, Edi Rama në Facebook dhe daljet publike thotë se “nuk i hap rrugë budallait” dhe s’ka ndërmend të diskutojë asnjë kërkesë të tillë. Ky është refreni i përditshëm i zhvillimeve politike që prej 18 shkurtit. Situata ngjan pa rrugëdalje dhe duket sikur palët po e çojnë vendin drejt kaosit dhe përplasja është vetëm çështje ditësh. Kjo është pjesa e dukshme për publikun.
Por përtej kësaj gjendje lufte ka dhe një situatë tjetër politike mes palëve dhe zhvillime që po mbahen larg syve të medias dhe publikut. Burime të “Koha Jonë”, afër kryetarëve të dy kampeve, thanë se pavarësisht situatës ekstreme, komunikimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulëzim Basha nuk ka munguar. Edhe kur flitej për “tërheqje zvarrë” dhe rrëzim të Kryeministrit, mes palëve ka pasur negociatorë dhe njerëz të besuar të cilët kanë çuar dhe marrë mesazhe mes liderit të mazhorancës dhe atij të opozitës. Edhe palosja e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri është bërë pasi një negociator mori porosinë nga kryeministri që nëse heq ministrin Tahiri a qetësohet çadra dhe sidomos ish-lideri demokrat. Darka e famshme te vila e miliarderit në periferi të Tiranës, diku afër rezidencës së ambasadores së BE, Vlahutin ka vendosur shkarkimin e Saimir Tahirit, pasi është marrë dakortësia për qetësim të situatës politikës nga PD. Negociatorë si gjithnjë biznesmeni miliarder dhe një pronar mediash.
Por Berisha duke qenë një lider i madh politik i demokratëve dhe i regjur në mosbesim ndaj Ramës si dhe i etur që ta raskapisë sa më shumë shefin e PS-së, ka kërkuar me shumë: edhe kokën e kryeministrit. Kjo pasi e mori “kokën e ministrit” dhe Rama ka mbetur i befasuar, sepse negociatorët e kishin siguruar se me Saimir Tahirin mbyllet çadra. Ndaj negociatorët kanë marrë porosinë që të dorëzojnë në çadër kokën e presidentit të Republikës. Më saktë PS pranon në marrëveshje të fshehtë me PD që t’u jap karriken e Presidentit të Republikës, demokratëve.
Dekretimi i Ministrit Fatmir Xhafaj nga Presidentit Bujar Nishani duket se ishte dhe produkti i parë i konkret i negociatave sekrete PS-PD, por edhe rikonfirmim i Bujar Nishanit në një mandat tjetër në krye të shtetit. Kur të gjithë nga selia blu ishin përgatitur që presidenti të mos e dekretonte ministrin në fjalë (ndonëse ishte absurde) ndodhi mrekullia: Presidenti doli në konferencë shtypi dhe e dekretoi me marifet, pasi negociatorët dorëzuan te Berisha ofertën e Edi Ramës që presidenti i ri të jetë nga PD. Dhe natyrisht Berisha nuk mund të zgjedhë president me të mirë e me besnik se sa Bujar Nishani.
Përveç kësaj, kryeministri Rama ka pranuar të jap disa garanci shtesë për kërkesat e opozitës për zgjedhjet. Largimi i ministrit Saimir Tahiri, një nga zyrtarët më të akuzuar nga PD, ishte njëkohësisht dhe një lëshim përballë protestës së opozitës edhe pse publikisht nuk u servir si i tillë. Një tjetër lëshim i Ramës është dhe ndërrimi i thuajse gjithë drejtuesve të policisë në qarqe dhe rrethe. Nga ana tjetër, duket se është rënë dakord që ndërkombëtarët të kenë një rol shumë herë më të madh nga aktuali në monitorimin dhe çertikimin e procesit zgjedhor. Bile në këmbim të largimit nga çadra dhe futja në zgjedhje mbetet edhe premtimi me shkrim që drejtuesit e rinjë të policisë do jenë të monitoruar nga ambasada amerikane dhe përfaqësues të PD-së. Konkretisht nga Arben Ristani, ish-zv/ministër i brendshëm i qeverisë së Berishës.
Të gjitha këto zhvillime, sigurisht nuk plotësojnë kërkesën kryesore të PD-së për qeveri teknike, por nuk mund të quhen për PD-në humbje. Presidenti i Republikës nga opozita, ndryshime në gjithë hierarkinë e Policisë së Shtetit për zgjedhjet dhe një rol i fortë i SHBA dhe BE në kontrollin e zgjedhjeve, janë diçka nga asgjëja që mund të merrte PD. Dhe në mënyrë mjeshtrore kanë rregulluar vizitën e Bashës në SHBA, ku do të takojë senatorë, kongresmenë apo zyrtarë të tjerë dhe kur të kthehet do serviret para publikut tërheqja nga çadra si një “mesazh amerikan”. Lojë brilante!
Një marrëveshje sekrete kjo e cila rezulton me largim të çadrës, me mos krijimin e qeverisë teknike dhe ku Rama del i fortë në sytë e socialistëve edhe pse sakrifikoi disa ministra. Ndërsa Basha largohet nga çadra me Presidentin e PD dhe disa garanci shtesë nga ndërkombëtarët në zgjedhje.
Dhe të dy dalin të fituar: Basha kthehet nga çadra në shtëpi, kurse Rama nuk bëzdiset më nga zhurma e çadrës dhe nga frika e humbjes së karrikes.
Ndërkohë nga LSI nuk duket se kanë gisht në këto negociata sekrete mes PD e PS. I pyetur nga “Koha Jone”, një drejtuese në selinë e LSI për këto negociata sekrete Rama-Basha-Berisha mohoi të kishin rol në këto pazare, por ajo shtoi se “për LSI ka rëndësi stabiliteti, paqja, rritja e mirëqënies së popullit si dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në mënyrë sa më të gjithëpranuar”.