Nga Kreshnik Çollaku
Ka disa ditë që ka shpërthyer një sulm mediatik i paprecedentë i Demokratëve amerikanë kundra Presidentit Trump.
Fushata mediatike synon të rrënjosë në opinion idenë se fitorja e Trump u mbështet nga influenca ruse në SHBA.Absurde kur mendon se historikisht Republikanët amerikanë kanë mbajtur qëndrime anti-ruse shumë më radikale se Demokratët.Sado e rëndë dhe qaramane kjo akuzë mbetet një çështje amerikane.Çudia e madhe është se thuajse në sinkron me fushatën Anti-Trump në SHBA, shpërthen dhe “fushata anti-ruse” në Tiranë.
Çuditërisht, rilindasit filosovjetik të Tiranës zgjohen anti-rus të tërbuar. Akuzat janë identike me ato që Demokratët humbës të SHBA-ve i bëjnë Republikaneve fitues dhe presidentit Trump…thelbi “influenca ruse mund të ndikojë zgjedhjet”.
Çudia e rilindasve të Tiranes është mbresëlënëse. Ne fakt ishin këta që nuk guxonin të hapnin gojën për sanksionet, pushtimin e Krimesë, ishin këta që dërgonin emisarë të fshehtë në Moske, janë këta që prej muajsh luten për një vizitë kryeministrore në Moskë… janë po këta që sot zgjohen “anti-rusë”.
Gjatë fushatës presidenciale kryeministri Rama u ofrua të përdoret dhe u keqpërdor nga strategjistët anti-Trump.Dalja e tij në CNN me fyerje ndaj kandidatit Trump nuk ishte një marrëzi, ajo ishte pjesë e strategjisë anti-Trump se atij i mungon mbështetja ndërkombëtare.
Trump fitoi dhe u bë president i SHBA-ve.
Kryeministri i Tiranës me zërin e mekur gjeti një metaforë naive për të kërkuar ndjesë “e kisha me kandidatin jo me presidentin”.
Sot kryeministri vendit nuk ka më asnjë metaforë që të shfajësohet nesër. Ai dhe qeveria e tij sot po përdoren nga të njëjtët strategjistë për të sulmuar Presidentin e SHBA-ve.
Rilindasit si një kamare e prishur po luajnë koralen ndërkombëtare të një “tragjedie amerikane”..se rusët ndihmuan fitoren e Republikanëve në SHBA.
Kur keqpërdoresh në këto nivele përdoruesit nuk kujdesen të të ruajnë dinjitetin. Prandaj Rilindasit keqpërdoren kaq pa dinjitet në Tiranë e akuzojnë turbullt se druhen se rusët mund të ndikojnë në zgjedhje…ndërsa janë duke pritur me ankth konfirmimin e vizitës kryeministrore në Moskë.