Baton Haxhiu, analisti dhe drejtori i Klan Kosovës ka bërë një deklaratë të fortë në studion e emisionit “Opinion” kur tha se PS dhe LSI tashmë e kanë kopsitur marrëveshjen për të hyrë bashkë në zgjedhje. Jo vetëm kaq, por sipas tij, koalicioni PS dhe LSI mund të fitojë 100 deputetë në garën e 18 qershorit.
Haxhiu tha se ndonëse marrëveshja PS dhe LSI është arritur tashmë, nuk ka ende detaje të mënyrës së qeverisjes, e cila është një vazhdimësi e reformave që kanë mbetur pa përfunduar, pavarësisht 100 mandateve që mund të marrin bashkë këto dy parti në zgjedhje.
Më tej, ai tregoi se pse është kundër këtij koalicioni.
“E para, jam kundër se kemi një opozitë të dobët. Dhe çadra ka dy funksione, vrasja e një lideri dhe ruajtja e një lideri. Çadra realisht është për të ndërtuar një opozitarizëm që ka munguar për tre vite. Çfarë do të thotë vrasja e një lideri? Çadra e riktheu Lulzim Bashën të heshtur. Dhe do largojë Sali Berishën, i cili realisht ka një moshë për të cilën ai duhet të hapë krahun. E vetmja gjë që e ka shpëtuar pluralizmin në Shqipëri është çadra dhe lindja e Bashës si lider. Opozitarizmi në Shqipëri me Partinë Demokratike ka qenë i shpërndarë në dy nivele. Niveli opozitar sipas funksionit opozitar brenda Parlamentit. Si dhe niveli opozitar brenda mazhorancës. Çfarë janë këto dy opozitarizma brenda këtij koncepti. E para, ky opozitarizëm ose opozitarizmi i Metës është për t’a ruajtur apo për t’a fuqizuar këtë opozitarizëm të dobët të PD-së, që Rama të mos ketë fuqinë që të sundojë Shqipërinë me mënyrën e vet politike”,- vijoi ai.