Kokëdhima: Ilir Meta dhe LSI-ja nuk mund të shkojnë në zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës

0
198

Ish-deputeti i PS-së, tashmë drejtues i Lëvizjes ZGJIDHJA në PS, Koço Kokëdhima, deklaroi mbrëmë në studion e Arian Çanit, te emisioni “Zonë e lirë” se vendi ka nevojë për një qeveri të shumicës së majtë, e cila do të garantojë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Ai këmbënguli sërish se pa opozitën nuk do të ketë zgjedhje dhe se pa të nuk shkohet në zgjedhje, por në luftë dhe se Shqipëria nuk është e gatshme të shkojë në luftë as për Edi Ramën, as për ndonjë njeri tjetër. I pyetur nëse PS dhe LSI do të bëjnë koalicion parazgjedhor, Kokëdhima deklaroi se mund të shprehej që edhe Ilir Meta dhe LSI-ja nuk mund të shkojnë në një koalicion në zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. “Për mendimin tim LSI nuk mund të shkojë dot në zgjedhje për hir të faktit se është në koalicion me PS-në, nëse në këto zgjedhje nuk përfshihet opozita. Nëse këto zgjedhje do të realizohen me pjesëmarrjen e shumicës dhe të opozitës, atëherë ne mund të flasim se si mund të konfigurohen”-u shpreh ai. Kokëdhima u shpreh i pezmatuar për faktin që luftën për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri e ka marrë si kauzë opozita, e cila e mbolli kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve, mëse dy dekada më parë. “Unë mendoj se PS-ja nuk e meritonte që të ishte në këtë pozitë që është sot. E para sepse PS-ja duhet të udhëhiqte luftën për zgjedhje të lira në Shqipëri dhe ne e kemi kauzë këtë dhe nuk mund t’ia dorëzojë PS-ja kauzën për zgjedhje të lira PD-së, e cila është partia që mbolli kulturën e vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Qeveria e Edi Ramës nuk bëri asnjë përpjekje për të pasur zgjedhje të lira në Shqipëri”-u shpreh Kokëdhima.

“Duhet qeveri e shumicës së majtë”

Kokëdhima tha se vendi nuk ka nevojë për qeveri teknike, siç kërkon opozita, por për një qeveri të shumicës së majtë, e cila garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend. “Qeveria jonë kishte përgjegjësinë që të bënte reformë zgjedhore me themel dhe përfundimtare. Këtë detyrë e ka edhe sot. PS-ja, shumica, duhet t’i japë besim opozitës, t’i japë një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shumica jonë duhet ta riformulojë qeverinë dhe nuk është me shumë rëndësi nëse shkon me Edi Ramën apo pa Edi Ramën. Duhet të shkojë me një qeveri të shumicës së majtë, por që është serioze dhe që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Prandaj kam kërkuar unë Kongresin e Jashtëzakonshëm që të analizohej situata me përgjegjësi të lartë, të mos fshihen të vërtetat, të merren përgjegjësi për situatat që janë zhvilluar për qeverisjen e vendit, për historinë e vendit, për korrupsionin, për kanabisin. Duhet riformuluar një qeverisje serioze me njerëzit dhe potencialet më të mira të së majtës që ofron seriozisht qeverisjen e duhur për vendin dhe për zgjedhjet. Duhet bërë reforma zgjedhore me konsensus të plotë me opozitën dhe të shkohet në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata që deklarojnë se do të bëjnë zgjedhje pa opozitën, me forcë, janë deklarata të papërgjegjshme kalamajsh dhe jo burrash shteti”-u shpreh Kokëdhima.

Drejtuesi i Lëvizjes ZGJIDHJA tha se burrat e shtetit duhet ta përballojnë të vërtetën siç është sepse janë histori me përgjegjësi të rëndë për vendin. “Vihet në diskutim paqja dhe stabiliteti i vendit. Nuk mund të bësh zgjedhje pa opozitën. Opozita e ka për detyrë që të hyjë në zgjedhje që do të jenë të lira dhe të ndershme. Ne kemi detyrën që t’i pastrojmë përfundimisht zgjedhjet. Nuk e bëjmë pastrimin e zgjedhjeve as për PD-në, as për Lulzim Bashën, as për Sali Berishën. Reforma zgjedhore është mëma e reformave. Nga pastrimi i zgjedhjeve fillon drejtësia. Nga vjedhja e zgjedhjeve burojnë të gjitha këto fatkeqësitë e tjera që nuk po e lënë Shqipërinë të ngrejë kokën për 26 vjet”-u shpreh ai. I pyetur pse ngulmon kaq shumë në standardin e zgjedhjeve, Kokëdhima u shpreh se në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe as në vitin 2013 nuk u bënë zgjedhje të të pastra. “Në çdo palë zgjedhje ka trafikim dhe manipulim të votës, pjesërisht apo jo, nuk ka rëndësi se si. Zgjedhjet janë të shenjta, çdo votë është e shenjtë”- tha ai. I pyetur nga moderatori Çani se pse nuk ka reagim nga populli i varfër, Kokëdhima tha se: “Ky popull ose është duke ikur, ose është i strukur, sepse e kanë degjeneruar, ia kanë vjedhur dhe trafikuar votat, ia kanë manipuluar votat, i kanë hequr arsyen, e kanë bërë të parëndësishëm individin, anëtarin, qytetarin, votuesin, përmes standardeve dhe zgjedhjeve të munguara në këtë vend”.

Projekti politik

Kokëdhima u shpreh besimplotë se kauza dhe projekti i tij politik do të fitojë brenda shumë pak kohe. “Deri përpara pak kohësh unë isha një iniciator për të ndërtuar dhe zhvilluar një lëvizje politike, ndërsa tani drejtoj një lëvizje ku janë mijëra anëtarë, të cilët janë të rëndësishëm, sepse seicili prej tyre është një personazh me shumë rëndësi. Ka diçka të rëndësishme për të thënë për çdo gjë dhe unë nuk mund të them më dot gjë vetëm. Tani vendimet merren nga gjithë kjo organizatë. Nuk e vendos unë, e vendosin ata nëse do të hymë në zgjedhje. Çështja ime nuk është as deputeti, as pushteti. Kauza ime dhe projekti im politik do të fitojë në mënyrë të sigurt brenda shumë pak kohësh. Më beso për këtë gjë”-iu drejtua Kokëdhima moderatorit Çani. Duke folur për lëvizjen ZGJIDHJA, Kokëdhima tha se programi i saj kërkon reformimin e sistemit politik, që në Shqipëri të sundojë ligji, shteti modern, drejtësia. “Ne tani kemi një përqëndrim të madh për të zgjeruar radhët me të rinj dhe të reja dhe me qytetarë të tjerë dhe është një periudhë intensiteti shumë e lartë me anëtarësishme. Nisma ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua”, synon që t’i japë fund situatës parapolitike të partive politike në vend. Këto parti nuk janë parti me standarde, qeverisen si banda, qeverisen si ndërmarrje private që nuk respektojnë standarde dhe ligje. Këto parti politke duhet që me ligj të respektojnë standardet siç i kanë partie politike në të gjithë vendet e civilizuara”-deklaroi Kokëdhima.

Duke shpjeguar nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua”, Kokëdhima tha se këtë nismë ligjore do të kërkojmë që të firmoset nga të paktën 1 milion e gjysmë shqiptarë. “Jemi duke bërë një nismë ligjore dhe pastaj me vullnetin dhe mbështetjen e këtyre shqiptarëve do të këkrojmë që ky ligj të imponohet për tu bërë standard. Mirëpresim që me shumë intelektualë të bashkëpunojmë për të demokratizuar partitë politike, për t’i dhënë mundësi popullit që të përfshihet në qeverisje, t’i japim mundësi qytetarëve që t’i zgjedhin njerëzit. Ka kuptim që në vitin 2017 deputetët t’i zgjedhë kryetari i partisë. Në PS të gjithë i zgjdh kryetari. Një parti jodemokratike nuk mund t’i japë vendit një qeverisje demokratike. Ne kemi nevojë që të demokratizojmë qeverisjen e vendit, t’i japim një drejtim të ri Shqipërisë. ZGJIDHJA është një platformë thellë- sisht demokratike”-tha Kokëdhima. Ai u shpreh se nuk kishte dhe as do të ketë kurrë ngarkesa personale as me Ramën dhe me asnjë politikan tjetër. “Strategjia politike e Ramës ndaj “Zgjidhjes” që në fillim ka qenë që ta nxjerrë jashtë PS-në, që debatin për “Zgjidhjen” ta mbyllë dhe ta përjashtojë nga partia. Edhe veprimet që ai bëri me mua janë veprime që pajtohen me këtë qasje, shkojnë në përputhje me këtë strategji. Kjo nuk është e shëndetshme, sepse nuk mund të mbyllet debati. “Zgjidhja” ka ardhur si nevojë e socialistëve të bazë për t’u dëgjuar, si nevojë e PS-së për të pasur demokraci të brendshme”-tha Kokëdhima.

Kokëdhima deklaroi se kauza e parë e “Zgjidhjes” janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Socialistët e vërtetë duan zgjedhje me standarde. Nëse fiton vullneti i popullit fitojnë të gjithë, edhe socialistët, edhe demokratët, edhe qytetarët e Shqqipërisë. Nëse nuk fiton vullneti i popullit, edhe nëse fiton PSja, jemi të humbur ne si socialistë, ne si qyytetarë dhe fitojnë vetëm 5 vetë dhe një grup biznesesh të lidhur me 5 persona që qeverisin dhe që përfitojnë nga këto manipulime”. Teza tjetër, sipas Kokëdhimës, është se cili është roli i popullit në demokracinë e Shqipërisë. “E kam thënë në shumë fjalime, se popullin e kanë zhveshur nga të drejtat e tij. Populli shqiptar është i vetmi në një demokraci kushtetuese që nuk ka të drejtë që të votojë në referendume, nuk ka të drejtë të votojë ligje në mënyrë të drejtpërdrejtë, çështje, kauza, nuk ka të drejtë që të zgjedhë asnjë përfaqësues, nuk zgjedh dot në asnjë formë që bazohet tek vullneti i tij i drejpërdrejtë, as këshilltarët e bashkive, as kandidatët për deputetë, as kandidatë për kryeministër, as për president, absolutisht asgjë. Të gjithë përfaqësuesit e popullit shqiptar i zgjedhin kryetarët e partive. Ky është regjimi i partitokracisë. Nëse ka 26 vjet tranzicion të dështuar në Shqipëri është për shkak të faktit që 5 kryetarë partish dhe 3 ambasadorë qeverinë Shqipërinë. Populli voton thjeshtë partitë. Nuk ka një shembull të vetëm të një vendi të vetëm në botë ku populli nuk ushtron me votë të drejtpërdrejtë kompetencat e tij dhe nuk bën pjesë në qeverisje”- u shpreh Kokëdhima.

Kokëdhima: “Unë dhe “Zgjidhja”, rol të rëndësishëm në 10 vitet e ardhshme

Duke folur për projektin politik të lëvizjes “Zgjidhja” Kokëdhima tha se objektivi është që në fund të prillit të bëhen 25 mijë anëtarë të lëvizjes. “Unë dhe “Zgjidhja” do të luajmë rol të rëndësishëm në politikën e Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme. Kjo lëvizje ka lindur si korrent në PS. Lidershipi i PS-së është përpjekur ta nxjerrë jashtë dhe ta shtypë këtë lëvizje. Mos të harrojmë se represioni që është ushtruar ndaj aktivistëve tanë është i pashembullt. Provat i kam deklaruar që lidershipi i PSsë, kryeministri ynë pushon nga puna njerëz të shkëlqyer vetëm për faktin se ata kanë bindjet e tyre politike dhe kanë pajtimin e tyre me këtë projekt për demokratizimin e PS-së, të partive dhe të gjithë jetës së vendit. Ramës unë nuk i kërkoj asgjë që është e tij. Unë i kërkoj Ramës dhe Bashës të lëshojnë të drejtat që janë të popullit, që këta i kanë marrë dhe i kanë uzurpuar. Në këto 10 këto vite unë do të bëj një rol dhe do të lë një gjurmë në politikën e Shqipërisë. Do të fitojmë, nuk diskutohet dhe kjo është e drejtë e popullit”-u shpreh Kokëdhima.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here