Teksa deputetja Kryemadhi ka folur troç gjatë një takimi me banorët e Rrajcës, në Librazhd ku ka mungesë të nevojave bazë të banorëve siç është uji, dhe ka sulmuar propagandën e qeverisë duke i quajtur pseudo-reforma ato në arsim, drejtesi e shendetesi, të ndërmarra nga qeveria ka ardhur dhe reagimi i deputetit të PS në këtë zonë Taulant Balla.
Sipas Ballës, deklaratat e Kryemadhit bien edhe mbi kurrizin e LSI dhe se ajo po i bën opozitë ministrive që partia e saj drejton.
“Në Shushicë Ujësjellësin e drejton LSI. Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Pagesave e ka po prap LSI-ja” – tha ndër të tjera Balla.
Debate të ashpra mes Ballës dhe Kryemadhit janë zhvilluar edhe më parë kur deputetja e LSI ka bërë thirrje për kultivimin e shafranit në zonat ku sipas Ballës duhani është monopol dhe prioritet i fermerëve.
Fjala e Monika Kryemadhit në Rrajcë:
“Të mendosh që nuk ka rrugë, infrastrukturë dhe ujë të pijshëm, megjithëse ujin nuk ta jep politika, por Zoti. Janë disa detyrime që ne në politikë i kemi harruar, pasi përfshihemi nga debatet politike apo nga disa pseudo-reforma, qofshin këto arsimore, drejtësie apo shëndetësie dhe harrojmë gjërat më jetike për të cilat njerëzit kanë nevojë. Duhet të harrojmë fasadat e jashtme dhe të mendojmë për ato gjëra që janë të përditshme për banorët, qytetarët, fshatarët, malësorët”.