Një grabitje ka ndodhur gjatë natës së kaluar në Korçë. Sipas të dhënave zyrtare, në Policinë e Korçës sot është paraqitur 53-vjeçari me inicialet N.B. nga fshati Kamenicë i cili ka deklaruar se pas mesnate dy persona të maskuar dhe me armë i kanë dhunuar e grabitur kasafortën me lekë.
“Rreth orës 01:45 në shtëpinë tonë private në fshatin Kamenicë, na kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur. Na kanë dhunuar fizikisht mua dhe gruan. Na vunë armën në kokë, kërkuan paratë. Gjetën kasafortën ku kishim një sasi lekësh dhe disa dokumente, i morën dhe më pas u larguan”, ka deklaruar i zoti i shtëpisë në policinë e Korçës.
Pas marrjes së kallëzimit, policia është vënë në lëvizje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Vjedhje me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.