Ditën e djeshme disa shqiptarë ishin protagonistët e lajmeve të kronikës së mediave italiane pasi rrahën për vdekje me shufra hekuri një 20-vjeçar italian, pas një konflikti të nisur në një klub nate.
Dje u raportua se italiani Emanuele Morganti po luftonte për jetën në spitalin e Romës, pasi u transportua menjëherë për në sallën e operacionit me fraktura të shumta në kafkë dhe në qafë. Por sot mediat italiane njoftojnë se 20-vjeçari nuk mundi t’i bënte ballë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Ngjarjen e rëndë nuk e kanë lënë pa komentuar edhe vetë politikanët italianë, të cilët kanë folur me tone të ashpra për shqiptarët.
“Nuk mund të vdesë një 20-vjeçar i masakruar nga një tufë kafshësh shqiptarësh të armatosur me shufra hekuri. Ajo që i ndodhi Emanueles është shumë trishtuese dhe nuk ka fjalë për të shprehur ngushëllimet për familjen e këtij djali. Një jetë e pafajshme e çuar dëm. Shpresoj që ata që e bënë këtë të kalben në burg,” shkruan në Facebook Presidentja i Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni, raporton BalkanWeb.
Po ashtu edhe Matteo Salvini, lideri i partisë Lega Nord dënoi aktin duke thënë: “Të lutemi për Emanuelen, 20-vjeçarin e vrarë brutalisht me shkelma, grushta e shufra hekuri nga një duzinë famëkeqësh”.
Ngjarja ndodhi dje
Një grup shqiptarësh janë arrestuar pasi rrahën gati për vdekje një të ri italian pas një sherri gjatë një feste. Tani, Emanuele Morganti, 20 vjeç është duke luftuar me vdekjen në spitalin e Romës, pasi u transportua menjëherë për në sallën e operacionit me fraktura të shumta në kafkë dhe në qafë.
20-vjeçari gjendej në një festë së bashku me të dashurën e tij kur u përfshi në një konflikt me një shqiptar. Pas nisjes së debateve, shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, thirri shokët e tij të cilët goditën disa herë më shufra hekuri italianin në kafkë duke i shkaktuar hemorragji cerebrale. Ngjarja ndodhi rreth orës 2 të mesnatës.
Morganti u transportua me helikopter në spitalin “Umberto Primo” në Romë ku i është nënshtruar një operacioni delikat dhe po lufton për jetën e tij. Ndërsa shqiptarët përfunduan në pranga dhe presin dënimin.