Në Gjykatën e Tiranës mesatarisht çdo javë 15 persona dalin para trupave gjyqësore për veprën e “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve nakrotike”.
Bëhet fjalë për ata shtetas që kapen nga policia me doza të vogla dhe që deklarojnë se janë përdorues të hashashit.
I tillë është rasti i familjes Gjella, ku bashkëshortja e Francesko Gjellës e raportoi atë në polici si përdorues hashashi. Gjatë kontrolleve, polcia i sekuestroi Gjellës 80 gramë hashash, sasi të cilën ai e justifikoi se e kishte gjetur rastësisht duke mbledhur kanaçe.
“Sot u paraqitën 6 përdorues, 2 prej tyre i kisha unë në mbrojtje. Pavarësisht se ata e kanë për përdorim vetjak dhe gjykata i lë në “detyrim paraqitje”, ata kthehen sërish për të njëjtën vepër penale”, thotë avokatja Antonela Lala.
“E vërtetoj që klientët e mi kanë qenë përdorues, pasi 7 gramë për 4 veta, që mund t’i bjerë as 2 gramë për përdorues”, thotë avokati Agron Gjedia.
Dy ish-ministra, ai i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm, propozuan një vit më parë ndërhyrje në Kodin Penal për këtë vepër, duke sugjeruar ashpërsimin e tij për çështje trafiku dhe saktësimin e paragrafit që flet për sasi të vogla, sikurse janë dozat që iu gjetën përdoruesve. Por ky grup veprash penale nuk u prek në ndryshimet më të fundit./Top Channel/