Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk pret që Gjykata e Apelit në Colmar të marrë një vendim për ekstradimin e tij në Serbi.
“Ndjenja ime është që kjo gjykatë nuk do të nxitoj. Gjykata do të shqyrtojë informacionin e kërkuar nga Beogradi dhe vendimet mund të merren javën e ardhshme”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për AFP, transmeton lajmi.net. Haradinaj është shprehur i bindur se ai do të lirohet.
“Unë nuk mund të imagjinoj se do të dërgohem në Serbi, me një kërkesë për ekstradim e cila nuk ka bazë dhe unë jam viktimë e një persekutimi të vërtetë politik, për shkak të angazhimit tim në një Kosovë të pavarur”, ka shtuar Haradinaj, transmeton Indeksonline.
Ai ka thënë gjithashtu se e respekton sistemin e drejtësisë franceze, por thekson se ai nuk mund ta kuptojë ngadalësinë e gjithë këtij procesi.
“Të gjithë e kanë kuptuar se rasti im është politik, unë shpresoj se kësaj çështje shpejtë t’i vije fundi”, ka theksuar Haradinaj.
Lideri AAK-së, ka cilësuar dialogun me Serbinë si “dështim” dhe sipas tij liderët serbë kanë inkuruajur shtim të tensioneve në Kosovë, vetëm për shkak të zgjedhjeve presidenciale.
Haradinaj nuk ka nguruar të komentojë edhe transformimin e FSK-së në Ushtri, duke deklaruar se është qëllim legjitim i vendit.
“Situata e sigurisë është shumë komplekse në rajon, terroristët shkaktojnë probleme duke përdorur ndonjë vakum. Ushtria e Kosovës do të kontribuojë në shmangien e gjithë kësaj”, ka vazhduar Haradinaj.
Kujtojmë se seanca ndaj Ramush Haradinajt pritet të mbahet këtë të enjte.