Zbardhen detaje të reja në lidhje me vrasjen e Elton Çiços, në Maj të vitit të shkuar, ku sipas burimeve nga grupi hetimor, në drejtim të mjetit që shoqëroi Jani Aliajn deri tek lokali “De Niro” në zonën e ish-Bllokut, nuk qëndronte Renato Milloshi, por Nelgert Pata, që u ekzekutua në Nëntor të vitit 2016 në Fier.
Nelgert Pata, më 20 Nëntor të 2016-ës u ekzekutua me breshëri plumbash në Fier, pasi i ishte bërë edhe një atentat me snajper në Shtator në kryeqytet, por kishte arritur të shpëtonte.
Burime të sigurta pranë grupit hetimor thanë dje për “Gazetën Shqiptare” se këto janë të dhëna që pritet të verifikohen në vijim të hetimeve, ndërkohë që në kërkim vijon të jetë autori i dyshuar”.
Emri i Renato Milloshit (djali i Hysni Milloshit, ish-kreu i Partisë Komuniste) doli në skenë pak ditë pas atentatit që iu bë Çiços, pasi mjeti tip “Ford Focus” me targa AA 560 NX me të cilin dyshohej të kishte lëvizur atentatori, rezultonte të ishte i regjistruar në emër të tij.
Pas ngjarjes, Policia e Tiranës shpalli në kërkim Jani Aliajn si autorin kryesor të vrasjes së Çiços, dhe Renato Milloshin si bashkëpunëtor të tij. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici një muaj më parë. Aktualisht, ai ndodhet pas hekurave, pasi gjykata vendosi ta lërë atë në “arrest me burg”. 36- vjeçari pranoi se ishte personi që kishte blerë mjetin që ishte përdorur nga Jani Aliaj, por se paratë ishin paguar nga vetë Aliaj dhe ai kishte firmosur vetëm për pronësinë e tij. Po ashtu, djali i ish-kreut të Partisë Komuniste Shqiptare Hysni Milloshi, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen dhe se në atë moment ai ndodhej në banesën e tij.
Nelgert Pata
DËSHMIA E RENATO MILLOSHIT
“Pak ditë para se të vritej Eltoni, Jani Aliaj më kërkoi të blija një makinë në emrin tim. Lekët për makinën i pagoi Jani. Unë nuk njoh as njeriun që e shiti. Kam shkuar vetëm te noteri dhe kam firmosur kontratën për blerjen e makinës në emrin tim. Makinën ia dhashë Janit. Tri ditë pasi ia dorë- zova mjetin, mësova nga televizionet se ishte vrarë Elton Çiço. Në lajme pashë edhe makinën që kishte përdorur vrasësiU frikësova, se ishte pikërisht makina që bleva në emrin tim. Unë nuk kam marrë pjesë në vrasje. Kam qenë në shtëpinë time, prapa Postës Nr.8 në Tiranë. Një gjë e tillë vërtetohet lehtësisht nga qelizat e telefonit”. Ishte kjo dëshmia që 36-vjeçari Renato Milloshi dha para hetuesve të çështjes, ndërkohë që u kishte kërkuar që të bënin edhe verifikimet rreth dëshmisë së tij.
Ai tregoi se ndodhej i fshehur në një banesë në periferi të Tiranës deri në momentin që vendosi t’i jepte fund arratisë së tij dhe të vetëdorëzohej në polici e të tregonte të vërtetën. Ndërsa, për sa i përket njohjes që ai kishte me Çiçon dhe Aliajn, tha se “me Jani Aliaj dhe Elton Çiçon njihem që fëmijë, që në Tepelenë”.
Konflikti Aliaj-Çiço nisi që në burgjet e Greqisë
Konflikti mes Elton Çiços dhe Jani Aliajt ka nisur vite më parë, në një burg grek. Jani Aliaj ka qenë i dënuar me 18 vite burg në Greqi, për një vrasje të ndodhur në këtë shtet. Ai ka kryer vetëm 10 vite burg dhe më pas është arratisur prej andej. Gjatë kohës që Aliaj ka qenë duke kryer dënimin, në burg ndodhej edhe Elton Çiço, i cili ka qenë i dyshuar për drogë. “Hasmëria” mes tyre ka vijuar edhe në Shqipëri. Më 10 janar 2016, në një lokal në “Rrugën e Kavajës”, Tiranë, është tentuar të vritet me pistoletë Jani Aliaj. Autori ka qëlluar disa herë teksa ka qenë në lëvizje me një makinë, ndërsa i plagosur nga ciflat e xhamit ka mbetur një klient, shkruan GSH. Më 25 prill 2016, në Gjirokastër, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Lumit”, Jani Aliaj ra pre e një atentati tjetër me armë zjarri, ku mbeti i plagosur në dorë. Për të dyja këto ngjarje, sipas burimeve zyrtare të policisë, i dyshuar ishte Elton Çiço. Në ato kohë, ai ishte shoqëruar në polici, por më pas ishte lënë sërish i lirë për mungesë provash. Ndërkaq, vetëm 6 ditë më vonë, Elton Çiços iu bë atentat në lokal “De Niro”, në zonën e ish-Bllokut, në kryeqytet. Për këtë ngjarje, Policia e Tiranës tha zyrtarisht se autori kryesor i dyshuar është Jani Aliaj, i cili vijon të jetë ende në kërkim.