Michelle Rawlins është një grua mbipeshë nga Sheffield, nënë e dy fëmijëve, e cila ka treguar historinë e saj të trishtë me një shqiptar, e publikuar sot nga “The Sun”. Sipas saj, shqiptari e mashtroi vetëm për të marrë vizën angleze.
Ata u njohën në Selanik, ku anglezja shkoi me pushime tek një mikja e saj. Ajo thotë se një natë u erdhi në shtëpi një djalë i pashëm dhe aty filluan shkëndijat e para.
“Pasi Ema na prezantoi unë kuptova se ne përshtateshim si tipa, por unë e dija se dikush si ai s’do kishte kurrë interes ndaj meje. Gjatë natës unë vura re se ai po më kushtonte më shumë vëmendje seç duhej dhe kjo më bëri të ndihesha mirë. Mendova se ai thjesht po tregohej i sjellshëm me mua, por natën pasardhëse ne e takuam atë në një bar pranë detit dhe ai po më joshte. Qëndruam gjatë gjithë natës duke biseduar dhe më pas ai më çoi në shtëpinë e tij me motoçikletë”, tregoi ajo.
Pas largimit nga Greqia ata mbajtën kontaktet dhe kur u takuan sërish në Selanik shqiptari i kërkoi që ta merrte në Angli, pasi kishte qejf që ta vizitonte edhe atje.
“Ai më tha se do më telefononte çdo ditë, e mbajti fjalën dhe ne qëndruam në kontakt. Unë kam 2 fëmijë nga martesa ime e parë dhe sapo munda bleva biletat dhe shkova sërish në Selanik. Këtë herë mora me vete dhe vajzën time të vogël. Në momentin kur u takuam ndjemë se gjërat mes nesh nuk ishin ftohur aspak. Bledi më tha se duhej që unë t’i siguroja një vizë në mënyrë që ai të vinte e të më takonte në Angli. Ai më rrëfeu se ishte shqiptar dhe se duhej të udhëtonte në Tiranë për të marrë vizën në ambasadë. U surprizova pak, por isha e gatshme të bëja gjithçka të isha me të”, tregon ajo.
Më pas, ajo tregon se e ndoqi pas në Tiranë, ku Bledi mori vizë 3 mujore dhe shkuan në shtëpinë e saj në Angli, ku jetuan bashkë me fëmijët, shkruan balkanweb.
“Isha shumë e gëzuar që do mund të mburresha tek shoqet e mia që kisha pranë një mashkull si Bledi. Ne shkonim në klubet e natës të cilat unë i vizitoja rregullisht dhe unë rrija me krenari në krah të tij, ndërsa vajzat londineze më kishin zili. Ishte një hakmarrje e ëmbël për të gjithë ata që më kishin tallur më parë”, tregon ajo.
Kthesa nis për Krishtlindje, kur u erdhi vizitë kushëriri i shqiptarit. Ajo thotë se ata flisnin shqip, ajo nuk kuptonte, por ndjente se diçka nuk shkonte mirë.
“U habita kur më 25 dhjetor ai më propozoi me një unazë duke më kërkuar të martohesha me të. Shkuam të hidhnin firmat si fillim e më pas të organizonim dasmën. Pasi mbaruam procedurat, unë dhe fëmijët shkuam në qendrën tregtare që të provoja një fustan nusërie dhe kishim vendosur të takoheshim me Bledin aty”, por sipas saj shqiptari nuk u kthye kurrë.
“Atëherë kuptova se ai më përdori vetëm për të marrë vizën angleze”, thotë ajo, duke shtuar se kishte marrë vesh se ai ishte i martuar madje edhe me fëmijë.
Kjo është gjëja më e ulët që mund t’i bëhet një femre, i premton dasmë dhe e lë në pritje me fustanin e nusërisë dhe zhdukesh pa asnjë shpjegim.
51-vjeçarja përmes historisë së saj do t’i japë një mesazh të gjitha vajzave dhe grave të tjera që ta duan veten ashtu siç janë dhe të mos mashtrohen kaq lehtë.